Jahja Kokaj ekskluzivisht për Periskopin: Flet për ‘shpejtësinë e vajit në tepsi’, fyerjet ndaj UÇK’së e raketën e famshme

Jahja Kokaj ekskluzivisht për Periskopin: Flet për ‘shpejtësinë e vajit në tepsi’, fyerjet ndaj UÇK’së e raketën e famshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe fizikanti i njohur, Jahja Kokaj në një intervistë ekskluzive për Periskopin ka dhënë opinionet nga këndvështrimi i një shkencëtari por edhe politikani për disa çështje që janë diskutuar gogja shumë së fundmi në Kosovë.

Prej deklaratës së famshme të zv.ministrit Blerim Sallahu për’ shpejtësinë e vajit në tepsi’ e deri tek vlerat e UÇK’së e deklaratat fyese të zyrtarëve të Vetëvendosjes ndaj veteranëve.

Nuk kishim si mos ta komentonim edhe ‘lëshimin e raketës’ në Qeverinë Kurti, për çka deputet Kokaj kishte qenë në masë të madhe cak i hajgareve në opinion.

Lexoni intervistën e plotë:

 Periskopi: Z.Kokaj, krahas vendimit të djeshëm të Qeverisë  që obligon gastronominë të shërbejë ujë  nga çezma për klientët, deputetja e VV’së, Fitore Pacolli tha se planet janë që edhe në hapësirat e Kuvendit të Kosovës të ndërtohen fontana me ujë, e ndoshta të pihet edhe me grushta. Si do e prisnit ju një gjë të tillë?

Jahja Kokaj: Po shikoni unë nuk mund të flas më së pari se nuk e kam ndi atë. Se kur ipen informacionet e dorës së parë, të dytë e të tretë, mund të jenë informacione që gjenerojnë fërkim informativ. Unë nuk mund të bazohem në fërkime informative, të jap koment për të cilin e paska dhënë dikush atje. Unë kur flas për diçka, duhet të flas me kompetencë. Sasia e informacioneve për të cilën kam unë për këtë problem dhe problemin në tërësi është shumë i zbehur për mua që të flas me kompetencë.

Periskopi: Zv.ministri Blerim Sallahu e pati dhënë një deklaratë gogja interesante. Ai tha se ministria e Drejtësisë po punon me shpejtësinë e shpërndarjes së vajit në tepsi. A mund të na sqaroni çka do të thotë kjo sipas jush?

Jahja Kokaj: E vajit në tepsi? Unë nuk e kam ditë që lëvizë vaji në tepsi. Qysh lëvizë, nuk e kam të qartë. Unë absolutisht nuk po e kuptoj. Unë nuk e di a keni ba ju pite në tepsi apo keni shtrirë vaj në tepsi, unë këtë punë s’e kam bërë kurrë në jetë time. Kur flitet shpejtësia, unë jam ekspert i shpejtësisë për arsye se materia është prej kohës së eklipsit dhe është në rrjedhje, në lëvizje, në shpejtësi. E tashti, nëse e lidhë vajin me shpejtësi, mua nuk ma kap truri im me e komentu këtë punë të shpejtësisë në vajit në tepsi.  Unë distancohem nga ajo për arsye se nuk kam bërë pite kurrë. A e kupton, duhet dikush që ka bë pite, e ka shtru tepsinë, përhapë vajin dhe dikush që ka kompetencë eksperimentale ose teorike.

Periskopi: Çka pat ndodhur me atë raketën e përfolur se do të ‘niset’ përgjatë qeverisjes së Albinit?

Jahja Kokaj: Unë kam folë për shpejtësinë e parë, të dytë kozmike, e gazetarët kanë thënë se Jahja Kokaj do të niset raketa prej Kosovës, në kohën e Albinit. E kanë gjetur një spin. Prandaj unë jam shumë i kujdesshëm kur flas tash para gazetarëve, se unë kam kujtu që po flas para vëllezërve e motrave të mi,  nuk e kam ditë që mund ta kapin me spin. Se aty mandej e kuptova psikologjikisht, e konsultova një ekspert ndërkombëtar, tha shiko; ajo ka qenë sulm ndaj partisë për militantët. Thash po unë jam një shkencëtar. Thanë kjo ka qenë për me t’gjeneru nervozitet. I thash po mua nuk më kanë gjeneru nervozitet se unë flas për shpejtësinë e parë e të dytë kozmike nuk flas unë për nisjen e raketave sepse dihet që fizikanti nuk nis raketa por jep mendime për nisjen e raketave.

Periskopi: Trusti nuk kaloi. Tash janë mbledhur mbi 15  mijë nënshkrime përmes një peticioni që çështja të shkojë sërish për votim në Kuvend. Cili është qëndrimi juaj?

Jahja Kokaj: Kur e lexova Ligjin, e pashë që është i destinuar përtej moshës 65 vjeçare. Kështu njerëzit nguten dhe i marrin të hollat, hyn në kredi dhe kur bëhen 65 vjeçarë, gjyshja ime thoshte ishalla të vjen pleqëria e rehatshme, se për rini e tejkalon. Jam në mesin e dy zjarreve se çka të bëj, se është varfëria në Kosovë, kurse ana tjetër është cila është zgjidhja më e mirë për prosperitetin  e mirëqenies së një krijese njerëzore. Mirëpo për këtë çështje, nuk mund të deklarohem në mënyrë telegrafike, po apo jo.

Periskopi: Në fund të fundit, jeni deputet i Kuvendi të Kosovës dhe i votoni gjitha këto Projektligje, qoftë Trustin, qoftë Pagën Minimale, ku po lidhemi me këtë të fundit; Veteranët u çuan me protesta dhe shprehën pakënaqësi. A mendoni që veteranët duhet të përfshihen në Pagën Minimale. Përpos kësaj,  kemi dëgjuar e parë edhe disa deklarata jo fort të këndshme që janë rikthyer prej zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes ndaj UÇK’së. Si i komentoni ju?

Jahja Kokaj: UÇK’ja është jo vetëm simboli, por koncepti më i dashur në jetën time. Jo pse unë kam qenë pjesë e saj, tek e fundit secili e ka obligim që t’i shërbejë atdheut. Por prej kohës së Skënderbeut e këtej, faza më e ndritshme e kombit tonë dhe e kosovarëve në veçanti është Epopeja dhe kontributi i UÇK’së, lufta, sakrifica dhe në qoftë se është diçka për me u mburrë në histori, është kjo. Këta njerëz të UÇK’së për mua janë gjithçka. Jo pse janë vëllezër dhe bashkëluftëtarë të mi, por për arsye se. Të ardhurat e UÇK’së duhet të jenë 1 mijë euro, jo minimale. Pse me e lidhë minimale. Unë s’jam për Pagë Minimale, por me ia dhanë 1 mijë euro në muajt. Ata s’kanë shku për të holla, e një jetë më të mirë e bë. Ata kanë shku për diçka tjetër.

Periskopi: A mendoni që ministri Hekuran Murati duhet të japë dorëheqje pas deklaratave që i kishte bërë më herët për UÇK’në, ndonëse ka ofruar kërkimfaljen?

Jahja Kokaj: Kushdo, qoftë se është edhe vëllai im apo prindërit e mi që kanë qenë e i du me gjithë zemër, ai që flet ashtu për UÇK’në është armik i imi. Por unë Hekuran Muratit e njoh që kur kam hyrë këtu, një djal miqësor, që kurrën e kurrës s’e kam dëgjuar të flasë kundër UÇK’së. Prandaj unë nuk e di se si e ka thënë dhe në çfarë konteksti e ka thënë, por nëse ai flet kundër UÇK’së, jam kategorikisht kundër. Nëse i ka rrëshitë ajo fjalë, fundi i fundit, njerëz jemi edhe në Parlament pati shajë njëri aty. Në qoftë se është qëllimi ogurzi, qëllim i keq dhe i paluhatshëm, atëherë ai e ajo s’ka vend rrugëdalje tjetër. E nëse ai e paska tërheqë fjalën,  një kërkimfalje është  e justifikueshme dhe me i dhënë pikë asaj pune. Me kusht që në asnjë rrethanë e në asnjë mënyrë mos ta përsërisë. Nëse ka qenë konsekuent dhe shprehja është kundër UÇK’së, ai s’ka vend as në shoqërinë tonë. Kushdo që është ai, qoftë edhe vëllai im.

Intervistoi: Kaltërina Misini

 

 

Shpërndaje në: