Kosova do ta humb shpejt përkrahjen e madhe, ndoshta që në ndeshjen me Malin e Zi

Kosova do ta humb shpejt përkrahjen e madhe, ndoshta që në ndeshjen me Malin e Zi

“Dardanët” e fillonin një këngë e cila iu mbetej në gjysmë dhe shuhej nga mospërkrahja e pjesës tjetër të publikut. Por, pëshpërimat nuk ndaleshin. Çka do të thotë kjo për të ardhmen e futbollit të Kosovës?

Kosova mbrëmë arriti vetëm barazim 1 me 1 përballë Bullgarisë në stadiumin Fadil Vokrri.

Unë prisja fitore sepse Bullgaria ndodhet në një prej momenteve më të këqija në historinë e saj të futbollit. Në pazarin e lojtarëve, vlera e tyre është për dymbëdhjetë milionë më e ulët se ajo e Kosovës. Përveç kësaj, në gjithë fazën e këtyre kualifikimeve, Kosova nuk do ta ketë asnjë ndeshje më të kollajshme se kjo. Bullgaria ishte kundërshtari më i dobët i grupit, dhe ne luanim në shtëpi. Pra, për t’i rënë shkurt: dështuam që ta nisnim mbarë!

Por, cila do të jetë e ardhmja e kombëtares sonë?

Ajo është e përcaktuar nga politika, në rend të parë. Nëse klasa e korruptuar politike vendos të bëhet skajshëm populliste e të kërkojë bashkim kombëtar [lexo: etnik] për t’i ikur burgut, atëherë Kosova do të shuhet. Se një rrezik i tillë është i madh mund ta shohim nga budallallëku i Lëvizjes Vetëvendosje që vazhdon të provokojë nacionalizëm romantik dhe nga belbëzimet për korrigjim kufijsh nga Hashim Thaçi, që si hap tjetër e kanë “bashkimin me Shqipërinë”.

Por, nëse evitohet rreziku nga njerëzit e korruptuar e mediokër nga të dyja vendet, atëherë Kosovën e pret një rrugë fort e mundimshme.

Fillimisht, duhet thënë hapur se ajo në luftën për t’i mbledhur talentët me origjinë nga Kosova që fillojnë karrierë në Evropë, ka përballë Shqipërinë. Kombëtarja kuq-e-zi, vjedhurazi e si pa të keq përpiqet t’i bind lojtarët kosovarë që fillojnë karrierën në diasporë që të luajnë për ta. Së fundi, ajo na e vodhi edhe kapitenin e kombëtares së shpresave të Kosovës, Ardian Ismajlin, duke i premtuar vend në kombëtaren e të rriturve. Mbetëm pa një mbrojtës që do t’i kryente punë shumë Kosovës, dhe pa një partner më të mirë për Amir Rrahmanin.

Aktualisht, Kosova ndodhet në një moment më të mirë pas ecurisë prej dymbëdhjetë ndeshjeve pa humbje. Por, kjo do të marr fund shpejt. Kosova do të mposhtet. Dhe momenti do të prishet.

Dje në Stadiumin “Fadil Vokrri” mund të dëgjoja pëshpërimat e gërditshme të dhjetëra e qindra njerëzve që nganjëherë shndërroheshin edhe në piskama. Ata shanin bash çdo lojtar të Kosovës. Përfshirë edhe Zenelin, që u paraqit më mirë se çdo tjetër. E vërteta është se asnjëri nuk e meritonte të shahej. Të gjithë luajtën mirë. Por, kjo masë ishte përkohshëm aty, veç për shkak të stadiumit “Fadil Vokrri” dhe për shkak të rezultateve të mira. Kjo ishte një masë në-shpërbërje, e që do të shpërbëhet sapo kombëtarja të bëhet normale brenda jetëve tona, e më pas bajate, dhe kur do ta kemi të qartë pozitën tonë mes kombëtareve tjera. Edhe ne do të bëhemi si shqiptarët e Shqipërisë në raport me kombëtaren e futbollit, e do të mbesim thjesht badihavxhinj apatikë.

Kosova është kombëtarja më e dobët në rajon, pas Shqipërisë. Talentët e mëdhenj, për dallim nga Zeneli e Celina që refuzuan Suedinë e Norvegjinë respektivisht, nuk do të refuzojnë Gjermaninë, Zvicrën apo ndonjë kombëtare tjetër mbi nivelin e Kosovës. Pra, Kosova do ta ketë gjithnjë një farë kufiri të talentit të lojtarëve mbi të cilin nuk do të kalojë.

E vërtetë, në Kosovë ka shumë futbolldashës. Kjo mund të vërehet me sy të lirë në gjithë ato akademi futbolli, në bastoret sportive, në terrenet ku luhet futbolli i vogël, në kafenetë që shfaqin ndeshje të ligave evropiane etj. Por, kjo masë futbolldashëse nuk ka karakter lokal, siç ka ta zëmë në vendet e zhvilluara perëndimore. Globalizimi i bëri ata më të lidhur me qytetet e ndryshme të Anglisë, Spanjës, Francës, Italisë e Gjermanisë, se sa me qytetet e tyre. Kjo e pengon zhvillimin e futbollit në ligën e Kosovës, nxjerrjen e talenteve nga akademitë lokale dhe varësinë e madhe nga vendet perëndimore.

Mirëpo, e vërteta është se as diaspora nuk prodhon aq shumë sa mund të mendojmë. Shumica e lojtarëve kryesorë të kombëtares së Kosovës janë prodhim vendor, të dalë nga akademitë lokale. Futbollisti më i shtrenjtë Milot Rashica, mbrojtësi kryesor Amir Rrahmani dhe sulmuesi kryesor Vedat Muriqi janë nxjerrë nga Vushtrria, Drenica dhe Liria e Prizrenit. Ka edhe të tjerë si Kastrati, Beka, Aliti, Berisha etj.

Të marrim si shembull Malin e Zi, komshiun tonë të vogël që s’e ka as një të tretën e popullsisë së Kosovës [e që përveç kësaj, është më e mirë në një varg sportesh tjera, përfshirë basketbollin]. Ajo me të gjithë lojtarët e nxjerrë nga akademitë e saj vendore, vlen dy herë më shumë se Kosova. Stefan Saviq, lojtari që vlen 40 milionë e që luan për Atletico Madridin, e nisi karrierën e tij në një klub të vogël të quajtur Brskovo në Mojkovac të Malit të Zi. Ky klub garon në Ligën e Tretë të këtij vendi.

Pra, rruga e Kosovës përpara është e qartë: ose duhet ta rris cilësinë e ligës e të nxjerrë më shumë talentë nga brenda, ose do të mbes në nivel me Shqipërinë.

Le të përballemi me të vërtetën: nuk jemi dhe nuk mund të jemi superfuqi futbolli në Ballkan, lëre më në Evropë. Ky sentiment do të prishet kur ta kuptojmë pamundësinë tonë për të bërë mrekulli. Ka mundësi që prishja e këtij sentimenti të mirë do të bëhet nga Mali i Zi, në ndeshjen e ardhshme në Podgoricë. Ka mundësi një herë tjetër. Por do të prishet.

Shpërndaje në: