Kosova e mbyllur për ‘Open Balkan’

Kosova e mbyllur për ‘Open Balkan’

Çka kuptuam sot nga takimi i Shkupit dhe avancimi i mini-Shchengenit në ‘Open Balkan’? Kuptuam se tri shtete të rajonit kanë arsye të përbashkëta për hapjen e kufijve në rajon – ndërkohë që tri të tjera kanë arsye të ndryshme për ta vazhduar izolimin e përbashkët.

(PERISKOPI) 

Ka shumë të tillë, veçanërisht në Perëndimin politik, që prej sot, Edi Ramën, Aleksandar Vuçiqin dhe Zoran Zaevin do t’i shohin bartës të nismës për ta varrosur të kaluarën e përgjakshme të rajonit dhe t’i hapin ardhmërisë së zhvillimit e mirëkuptimit.

Natyrisht, ka po aq shumë të tillë që projektin ‘Open Balkan’ do ta interpretojnë si ringjallje të Jugosllavisë; pra, si nismë formalisht paqësore, ndër-etnike e ndër-shtetërore e cila, megjithatë, do të flet serbisht në fund. Këta, të shumtën, i gjeni nëpër rajon – jo aq në Perëndim.

Përplasja dhe polarizimi mes këtyre taborreve do të thellohet tutje pas nënshkrimit të sotëm të Memorandumit në Shkup. Që tani mund të presim një vjeshtë të trazuar në rajon, marrë parasysh që liderët e ‘Open Balkan’ u zotuan që implementimin e Mermorandumit ta fillojnë që në muajin tetor 2021.

Megjithatë, ngjashëm me periudhën e lindjes së Jugosllavia-ve (qoftë më 1918 apo 1945), qysh tani dihet se kush do të favorizohet nga komuniteti politik ndërkombëtar/perëndimor – dhe kush do të përfundojë në margjinat e historisë.

Deklarimet e sotme të Ramës, Zaevit e Vuçiqit për bashkëpunim, mirëkuptim, paqe, punësim e zhvillim janë muzikë për veshët e kryeqendrave perëndimore – prej Brukselit deri në Washington. Tutje, përkundër të gjitha sfidave të Pasluftës së Dytë Botërore, një synim i Perëndimit antifashist nuk u shua kurrë: përkrahja e parezervë e nismave mbi-etnike dhe mbi-shtetërore për tregtinë dhe lëvizjen e lirë.

Shkurt, në sytë e Perëndimit sot, Rama, Zaevi dhe Vuçiq janë heronjtë e ri të Ballkanit të ardhshëm. Për të, s’është me rëndësi nëse ata janë njerëzit e gabueshëm përderisa i thonë të gjitha fjalët e duhura – dhe, veçanërisht, nëse nesër i bëjnë të gjitha veprimet e duhura. Kushdo që mendon se bashkësia ndërkombëtare do ta kundërshtojë nismën ‘Open Balkan’ për shkak të biografisë së liderëve të saj, bën marrëzi monumentale. Për logjikën ndërkombëtare/perëndimore më me rëndësi është kryerja e punës, se sa kryesi i punëve. Kjo, sa për definicionin e pragmatizmit politik.

Por, sot u pa se këtë gjë e dijnë mirë edhe themeluesit e ‘Open Balkan’. Kur u pyetën për qeveritë mos-pjesëmarrëse gjatë konferencës së përbashkët për media, të gjithë njëzëri deklaruan se ‘ato do të bashkohen gjatë kohës, meqë s’kanë ku të shkojnë…’

Vërtet, nëse ‘Open Balkan’ do ta fillojë implementimin pas tre muajve me përkrahje të parezervë të Brukselit e Washingtonit, cili do të jetë fati (dhe reagimi) i qeverive të Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjës? Refuzimi i mëtutjeshëm?

Vështirë të besohet.

Nëse, shembull, përmes ‘Open Balkan’ do të fillojë implementimi i kufijeve të hapur mes Serbisë dhe Shqipërisë, a do të jetë në gjendje Republika e Kosovës ta pamundësojë këtë – marrë parasysh se qeveria e saj i refuzon ‘nismat e Novi-Sadit’? Tutje, rruga e Serbisë drejt Shqipërisë kalon edhe kah Mali i Zi: a thua ka të ngjarë që edhe qeveria (aktualisht pro-serbe) në Podgoricë po ashtu ta pamundësojë këtë?

Vështirë të besohet.

Ç’është e vërteta, për të mirë apo për të keq, është gati e pamundshme të besohet se ‘Open Balkan’ nuk do të jetësohet. Jo pse fati i kësaj nisme varet nga liderët themelues të saj, por pikërisht pse nuk varet prej tyre. Rama, Zaev e Vuçiq janë bartës të saj, por jo edhe ideatorët e saj. Ata janë kryesit e punëve në një projekt të kahmotshëm Brukselit e Washingtonit që për Ballkan e kanë vetëm një obsesion: tejkalimin e përkatësive etnike dhe të kufijve etno-shtetërorë si kategori politike dhe ekonomike në rajon.

‘Nëse BE është një Jugosllavi e madhe, atëherë edhe Open Balkan do të jetë një Jugosllavi e vogël’, u përgjigj sot me ironi të barabartë kryeministri Edi Rama në pyetjen që bënte analogji negative me historitë (kon)federalizuese në Ballkan.

Në shumë aspekte sipërfaqësore, kjo mund të shihet si e vërtetë. Por, ka një dallim: deri sot, BE i mbijetoi sfidave etnike, nacionale dhe ‘sovranizuese’ të shoqërive anëtare. Jugosllavia, jo. Për logjikën perëndimore, kjo mjafton. Diçka që funksionon nuk ka nevojë për ndryshim. Andaj, sipas kësaj logjike, nëse ‘Open Balkan’ do të implementohet brenda parimeve që themeluan BE-në, do të mund të funksionojë. Kaq e thjeshtë është kjo, për Perëndimin.

Dhe, çfarë mendoni se do të ndodhë me qeveritë refuzuese në Prishtinë, Podgoricë e Sarajevë? Asgjë spektakolare, do të thonim. Pas një periudhe jo të gjatë kohore, do të anëtarësohen në ‘Open Balkan’, mbase duke kërkuar t’i plotësohen disa kërkesa kozmetike për modifikimin e tij. Kjo, sa për të mos u dukur tërësisht budallenjë dhe të shkelur nga koha. Këto qeveri nuk e kanë as demografinë, as ekonominë e as ndikimin politik që t’i bëjnë ballë magjisë retorike për ‘mirëkuptim, bashkëpunim, punësim e zhvillim’ – sidomos kur kjo kombinohet me përkrahje të parezervë nga atje ‘ku lind dielli për shqiptarët’.

Atëherë, pse e gjithë kjo dramë dhe farsë me mospjesëmarrje – sidomos nga ana e qeverisë kosovare? Meqë Serbia nuk e ka njohur Kosovën? Ky arsyetim tingëllon edhe më i pakuptimtë marrë parasysh që shumica e shteteve anëtare të ‘Open Balkan’ e njohin shtetësinë e saj. Logjikshëm, një pjesëmarrje e Kosovës do ta vështirësonte edhe më shumë aktrimin e mosnjohjes së saj nga ana e Serbisë. Në anën tjetër, kështu si dukej sot, të gjithë flisnin në emër të Kosovës – përveç Kosovës. Ajo sot ishte zhvendosur në nivel të një rajoni anonim që ndodhej dikund mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë.

Tutje, çka fituam me mospjesëmarrje? Ose, çka do të fitojmë nëse vazhdojmë të mos marrim pjesë – e që po shihet se është trend i gjithmbarshëm politik e shoqëror në Kosovë? Përkrahje ndërkombëtare? Sovranitet të shtuar? Investime të huaja?

Kjo nuk është vetëm e vështirë të besohet. Kjo tashmë është e pamundur të besohet. Vështirë se ka kush që mund të na bindë se pjesëmarrja e dy shteteve shqiptare në ‘Open Balkan’ do të ishte më e dëmshme se sa pjesëmarrja e vetëm njërit prej tyre. Përkundrazi.

 

Shpërndaje në: