Kryetari i Rahovecit flet për Periskopin pas vërshimeve: Dëme gjithëkah, do ia adresojmë Qeverisë për kompensim

Kryetari i Rahovecit flet për Periskopin pas vërshimeve: Dëme gjithëkah, do ia adresojmë Qeverisë për kompensim

Gjendje alarmante prej vërshimeve nga reshjet e mëdha të shiut  u shkaktua në qytetin e Rahovecit në 24 orët e fundit. Kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi në një deklaratë për Periskopin ka treguar se sa e qysh kanë arritur deri tani të intervenojnë dhe çfarë dëme janë shkaktuar. Për fat të mirë, nuk ka pasë rrezik në jetët e njerëzve e nevojë për evakuuime.

Kryetar Latifi tutje ka theksuar se në cilat fshatra janë prekur nga përmbytjet dhe në cilët sektorë ka dëme.

‘’Prej pas mesnate, deri para një ore gjendja ka qenë bukur serioze. Ka pasë përmbytje në Fortesë, Ratkovc, Xërxë, Krushë e Madhe, Sadniq etj. Tash jemi duke i sanu çka po mujmë, prej 12 të natës jemi duke u marrë intezivisht. Jo evakuuim të familjeve s’ka pasë nevojë, por dëmet në amvisëri, dëmet në biznese, dëmet në infrastrukturë publike, në bujqësi janë bukur të mëdha’’, tha Latifi për Periskopin.

Ai tutje ka treguar që në vazhdim do vlerësojnë dëmet dhe do ia adresojnë Qeverisë së Kosovës për kompensim.

‘’Ne sot e kemi thirrë edhe Shtabin Emergjent kemi mbajtë takim. Ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin  e kem këtu edhe të shohim çka mujmë të bëjmë, çka të sanojmë. Do të formojë disa komisione të dëmeve, do të t’i drejtohemi Qeverisë për kompensim. Si dhe për veprime të tjera emergjente për me përballu më lehtë koston e humbjeve të mëdha që e kemi.’’, shtoi ai.

Përpos Rahovecit, nga vërshimet keq u prek edhe Gjakova. Drejtori i Emergjencave në Gjakovë, Haxhi Sejdiu për Periskopin ka treguar se janë evakuar 14 persona e në intervenim janë 35 lokacione.

Ai tutje ka treguar se ku kanë intervenuar më urgjentisht, përfshirë shumë fshatra. Sejdiu po ashtu njoftoi edhe për nivelin e lumenjve.

”Kemi diku 35 lokacione në intervenim e sipër, por rrezik për jetën s’ka. Aty ka ka pasë, i kemi evakuuar 14 persona.  Më problematike e kemi gjendjen te pika e zezë. Përmbytje dmth. Edhe bodrumet, shtëpitë, përdhesa edh e kemi te Shota Galica ka përmbytje të lumit  Erenik. Lumi Krena ka pasë ngritje të mëdha por ka rënë për më tepër se 1 metër.  Edhe në fshtra përreth, në Rugovë, Përdesanë, Mejë, e në gjithë anët ka problem, por është prej kuotave zero që i kemi pasë lumenttë dje, sot i kemi në kuotat maksimale. Brenda 24 orëve e kemi një përmbytje të madhe. Ekipet tona me pompa janë në terren. Edhe prej Agjencionit të Emergjencës të Prishtinës gati janë t’u ardhë. Veç sa s’kanë mbërri. Po ashtu edhe kompania rajonale e Ujësjellësit Gjakova është edhe ajo t’u intervenu nëpër nyje të kanalizimit që janë të bllokume.”, ka thënë Sejdiu.

Sejdiu është pyetur edhe për veturat e përmbytura, ku tregoi ku ka ndodhur dhe pse.

‘’‘’Është rruga kryesore që shkon në Gjakovë, dalja për në Pejë, ka punime, kanalizimi është duke u punuar në ato rrugë dhe ka pasë rënie të dendur. Ka pasë ndonjë lëvizje të veturave si më në krah, por jo nuk ka ndonjë rrezik për jetë. Dëme po. ‘’

Periskopi ka adresuar pyetje edhe tek Instituti Hidrometeorologjik  rreth reshjeve të shiut dhe situatës së krijuar në përgjithësi në vend, por deri tani nuk kemi ndonjë deklaratë prej tyre./Kaltërina MisiniPERISKOPI/

 

 

 

 

Shpërndaje në: