Kur jeta e qytetarëve në trafik varet nga tenderi i Hysen Durmishit (Dokument)

Kur jeta e qytetarëve në trafik varet nga tenderi i Hysen Durmishit (Dokument)

Në një makth të vërtetë shndërrohet ngasja e veturës gjatë natës kur bie shi në një pjesë të rrugë nacionale Prishtinë-Pejë. Asnjë vijë anash as në mes. Asnjë shenjë tjetër sinjalizuese as mbrojtje anësore. Orientimi bëhet veç me ‘tahmin’ dhe ngasja mund të zhvillohet veç me drita të gjata. Në këtë gjendje janë pjesa dërmuese […]

Në një makth të vërtetë shndërrohet ngasja e veturës gjatë natës kur bie shi në një pjesë të rrugë nacionale Prishtinë-Pejë. Asnjë vijë anash as në mes. Asnjë shenjë tjetër sinjalizuese as mbrojtje anësore. Orientimi bëhet veç me ‘tahmin’ dhe ngasja mund të zhvillohet veç me drita të gjata. Në këtë gjendje janë pjesa dërmuese e rrugëve në Kosovë. Ministria përgjegjëse, ajo e Infrastrukturës i ka lënë qe sa kohë pa sinjalizim, shkak zvarritja e tenderëve…

Njohësit e çështjeve të komunikacionit e kanë radhitur si rrezikshmëri të lartë në trafik mungesën e sinjalizimit horizontal dhe vertikal, shkruan Periskopi.

Dhjetra veta gjejnë vdekjen në rrugët e Kosovës për shkak të aksidenteve, ndërsa qindra të tjerë lëndohen. Policia e Kosovës nuk ka ofruar të dhëna për Periskopin lidhur më atë se sa aksidente kanë ndodhur vjet për shkak të kushteve të këqija ose mungesës së plotë të shenjave të sinjalistikës në rrugë. Megjithatë, përgjegjëse për sinjalizimin horizontal dhe vertikal, në rrugët nacionale dhe regjionale është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Shenjëzimi sipas rregulloreve, bëhet nga kompanitë që kontraktohen nga ministria përkatëse dhe pastaj ato mirëmbahen gjatë gjithë kohës kontraktuale. Mirëpo, për shkak se kjo ministri po procedon kundërligjshëm, po zvarritën procedurat për rezilin e tenderëve.

Në mars të vitit 2021 kanë përfunduar gjashtë kontratat e nënshkruara katër vite më parë, që kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e sinjalizimit në rrugët rajonale dhe nacionale të Republikës së Kosovës. Dy kontrata (Shih: lot II dhe lot IV) që mbulojnë rreth 700 km rrugë, kryesisht në zonat e Dukagjinit nuk janë nënshkruar asnjëherë dhe atë pjesë nuk e ka mirëmbajtur askush që rreth gjashtë vite. Sot në to mungojnë të gjitha shenjat e komunikacionit rrugor.

Në gusht të vitit të kaluar, qeveria e re kishte hapur një tender të ri për të gjitha lot-ët që përfshijnë territorin e Kosovës. Këtë herë tenderi është ndarë vetëm në gjashtë pjesë (lot). Të gjitha rrugët janë pa mirëmbajtje të sinjalistikës që rreth një vit. Ministria e Infrastrukturës e cila po menaxhohet nga Hysen Durmishi ka bërë disa shkelje që kur është hapur kjo procedurë e prokurimit, andaj janë nënshkruar vetëm para pak ditëve pesë kontrata, por punët nuk kanë filluar akoma.

Siç ka mësuar Periskopi, pjesa (lot IV) nuk ka arritur të nënshkruhet akoma, madje as nuk dihet se kur do të nënshkruhet për shkak se prokurimi i ministrisë, i cili udhëhiqet nga Nexhat Krasniqi, po bënë shkelje. Në këtë pjesë bien 392.1 rrugë nacionale dhe regjionale.

Shkelja si lojë pingpongu

Që nga hapja e këtij tenderi në korrik 2021, Prokurimi i ministrisë ka proceduar kundërligjshëm, duke vendosur specifika teknike në dosjen e tenderit që nuk janë në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik dhe legjislacionin sekondar. Për këtë ka pasur ankesa që në start nga kompanitë, me ç’rast ministria është detyruar që ta korrigjojë dosjen e tenderit, duke bërë tri herë “njoftim për korrigjim të gabimeve”. Më pas nuk u ankua askush, dhe në janar ministria hapi ofertat dhe përzgjodhi fituesit.

Kompanitë e shpallura fituese ishin:

Për Lot I u shpall fitues grupi i kompanive “TSR” & “IDK Konstruksion”. Vlera 291, 394, 51 euro.

Lot II: Grupi i kompanive “Select Prima” & “Ar Impeks Dooel eksport -import”. Vlera 268, 160, 90 euro.

Lot III: Grupi i kompanive “I.T.K” & “Fatos Ademaj”. Vlera 305, 335, 03 euro.

Lot IV. Grupi i kompanive “Sinjali” & “El-Bau” SHPK & “Alp Com’. Vlera 334, 714, 40 euro.

Lot V. Grupi i kompanive “VIA” & “Eurokos Holding” & “Eurotitan”. Vlera 305, 714, 40 euro.

Lot VI. Kompania “RSM Company”. Vlera 330, 883, 80 euro.

Pas shpalljes së fituesve, grupi i kompanive “Malsia Company” & “Traffiiks Va” & “Asfalti” është ankuar në ministri lidhur me lot IV duke konsideruar se komisioni i ministrisë ka bërë shkelje kur ka rekomanduar për kontratë grupin e kompanive “Sinjali” SHPK & “El-Bau” SHPK & “Alp Com’ SHPK.

Ministria e ka pranuar menjëherë kërkesën për rishqyrtim, duke e  formuar kështu një komision për të shoshitur të gjitha pretendimet e kompanisë. Komisioni i ka dhënë të drejtë kompanisë ankuese, duke konsideruar kështu që komisioni tjetër ka bërë shkelje kur e ka rekomanduar për kontratë -lot IV grupin e kompanive “Sinjali” & “El-Bau” SHPK & “Alp Com’. Kësisoj është vendosur që të anulohet ajo pjesë e tenderit dhe se vetëm ajo të kthehet Edhe njëherë në rivlerësim.

Komisioni ka ardhur në përfundim se grupi i kompanive nuk kishin plotësuar një sër specifikash teknike, ndonëse të njëjtat ishin kërkuar nga vetë ministria.

Komisioni pasi shqyrtoi ofertat, rekomandoi për kontratë (lot IV) pikërisht kompanitë ankuese “Malsia Company” & “Traffiiks Va” & “Asfalti.

Me vendimin e ministrisë nuk u pajtuan kompanitë tjera garuese për këtë pjesë të tenderit “Select Prima” SHPK, “ITK” dhe “Sinjali”. Këto kompani konsideruan se Komisioni i ministrisë përsëri procedoi kundërligjshëm kur rekomandoi për kontratë grupin e kompanive “Malsia Company” & “Traffiiks Va” & “Asfalti”.

Sikurse herën e parë, edhe tash, ministria formoi komisionin për shoshitjen e provave. Zyrtarët erdhën në përfundim se edhe komisioni i dytë ka proceduar kundërligjshëm kur ka bërë rekomandimin për kontratë për kompanitë e lartëshënuara. Kësisoj, kjo pjesë e tenderit u vendos të kthehet në rivlerësim.

Pas rivlerësimit për kontratë u rekomanduan tash disa kompani tjera që kishin konkuruar si konzercium: “Via” SHPK; “Eurokos Holding” SHPK; “Eurotitan” SHPK, në vlerë te kontratës prej 362 083.00.

Përsëri pati pakënaqësi ndaj këtij vendimi të ministrisë. Para pak ditëve kërkesë për rishqyrtim në ministri ka bërë kompania “TSR” SHPK, e cila u ankua për një varg parregullsish, kur u rekomanduan për kontratë kompanitë në konzercium.

Për të katërtën herë, ministria e mori kërkesën për rishqyrtim dhe këtë herë vendosi që ta hedhë poshtë, duke e lenë në fuqi vendimin e vetë të fundit për rekomandim të kontratës për lot IV  për konzerciumin “Via” SHPK; “Eurokos Holding” SHPK; “Eurotitan” SHPK.

Kompania ankuese nuk është ndalur më kaq. Më 10 Mars, kundër vendimit të ministrisë është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ky organ e ka pranuar ankesën dhe menjëherë ka autorizuar ekspertin e vetë për të parë nëse ministria e ka shkelur ligjin kur ka rekomanduar për kontratë kompanitë e fundit për lot IV. Eksperti i OSHP-së pritEt që të finalizojë raportin e vetë këto ditë.

Sipas ligjit në fuqi të Prokurimit Publik, raportin duhet ta shqyrtojë Paneli Shqyrtues i OSHP-së, i cili përbëhet nga anëtarët e Bordit. OSHP është pa bord drejtues që një vit. Rrjedhimisht ankesa do të mbetet e deponuar aty dhe ministria do ta lërë pezull tenderin, pasi tashmë e ka pezulluar këtë procedurë të tenderit derisa të marrë vendim OSHP-ja e cila është pa bord.

Periskopi ka kërkuar një sqarim nga ministria se a do të presë derisa të formohet bordi i OSHP-së për të vendosur në këtë ankesë, apo si do t’ja bëjë për të vizatuar vijat në rrugët e Kosovës që bien mbi këtë kontratë. Ministria nuk ka kthyer përgjigje.

Eksperti i sigurisë: Mungesa e shenjëzimit konsiderohet nivel me rrezikshmëri të madhe

Nol Dedaj, njohës i çështjes së sigurisë rrugorë në Kosovë ka folur rreth rrezikut që mund të paraqesë mungesa e shenjave sinjalistike në rrugë.

Sipas tij, mungesa e sinjalizimit është faktor rrugor. Sipas tij, edhe zyrtarisht, ministria e ka pranuar se mungojnë 38 për qind të sinjalizimit në rrugët nacionale dhe magjistrale.

“Në rrugët lokale mungojnë deri në 95 për qind e sinjalistikës edhe horizontal edhe vertikal. Ne e konsiderojmë si vend të rrezikshëm edhe aty ku mungon sinjalizim, varësisht se çfarë mesazhi na japin. Mungesa e sinjalizimit rrugor ne e konsiderojmë si nivel i rrezikshmërisë së lartë, nëse mungojnë edhe parametrat teknik të rrugës. Mundësitë për më shumë fatalitet janë te rrugët nacionale me dy shirita, pastaj vinë regjionale aty ku është frekuenca e automjeteve më e vogël dhe një përgjegjësi e mbajnë edhe rrugët lokale. Duhet të kihet parasysh se rrugë lokale janë rreth 5000 kilometra, dhe mbi 2000 km janë rrugë regjionale e nacionale, ndërsa autoudhë janë rreth 300 km”, tha Dedaj për Periskopin.

Ministria e Transportit dhe komunat për çdo automjet të regjistruar marrin taksën rrugore (ministria 40 euro dhe komuna 10 euro). Në rast të aksidentit për shkak të sigurisë rrugore faji duhet të bie mbi këto dy institucione.

Profesori universitar, Nol Dedaj tutje thotë se qytetarët mund të bëjnë padi ndaj institucioneve, por vetëm në një rast.

“Për me mujt me paditë ministrinë, ose organin e mirëmbajtjes së rrugës, fillimisht duhet të kryhet një ekspertizë, duhet të bëhet hulumtimi i elementeve të cilat e kanë shkaktuar aksidentin. Në rast se gjatë hulumtimit ne na dalin se janë ato rrugore, atëherë sigurisht se duhet të bëhet padi ndaj organit mbikëqyrës”, tha Dedaj.

Sikundër nuk ka dhënë statistika për numrin e aksidenteve për shkak të mungesës së sinjalistikës, policia nuk është përgjigjur as në pyetjen nëse kanë paditur ndonjëherë ministrinë për këto shkaqe.

MMPH-ja nuk e ka ndëshkuar asnjë zyrtarë të saj, të cilët kanë proceduar kundërligjshëm gjatë vlerësimit të këtij tenderi për lot IV. /Mentor Buzhala /PERISKOPI/

Të ngjashme
Ja sa është çmimi i naftës dhe benzinës për sot

Ja sa është çmimi i naftës dhe benzinës për sot

Situatë e rëndë në QKUK: Në spitale ka mungesë të penjve kirurgjik

Situatë e rëndë në QKUK: Në spitale ka mungesë të penjve kirurgjik

SHBA heq sanksionet ndaj Iranit, Trump: Do të bëjë atë që duhet nëse Teherani sillet keq

SHBA heq sanksionet ndaj Iranit, Trump: Do të bëjë atë që duhet nëse Teherani sillet keq

Vetëdorëzohet Nderim Beqiraj, i dyshuari për plagosjen e Shkëlqim Kastratit në Prishtinë

Vetëdorëzohet Nderim Beqiraj, i dyshuari për plagosjen e Shkëlqim Kastratit në Prishtinë

Baraliu: Presidenti duhet të zgjidhet para formimit të Qeverisë, në të kundërtën vendi rrezikon zgjedhje të reja

Baraliu: Presidenti duhet të zgjidhet para formimit të Qeverisë, në të kundërtën vendi rrezikon zgjedhje të reja

‘Nga mikseri i kamionit është shkëputur një gyp’ Detaje nga vdekja e djeshme e 25-vjeçarit në vendin e punës në Prizren

‘Nga mikseri i kamionit është shkëputur një gyp’ Detaje nga vdekja e djeshme e 25-vjeçarit në vendin e punës në Prizren

Era dallavere: VV në Gjilan pritet t'ia japë 75 hektarë tokë të shtetit për 99 vjet një kompanie të sapokrijuar

Era dallavere: VV në Gjilan pritet t'ia japë 75 hektarë tokë të shtetit për 99 vjet një kompanie të sapokrijuar

Haziri: LDK-ja e gatshme për bashkëpunim me VV-në

Haziri: LDK-ja e gatshme për bashkëpunim me VV-në

Messi nënshkruan fanellën me simbole të Kosovës

Messi nënshkruan fanellën me simbole të Kosovës

Mot me diell dhe vranësira, pasdite mundësi për reshje lokale shiu e rrufe

Mot me diell dhe vranësira, pasdite mundësi për reshje lokale shiu e rrufe

Kosova rrezikon t’i humbë 60 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse deri më 30 qershor s’i miraton reformat e kërkuara

Kosova rrezikon t’i humbë 60 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse deri më 30 qershor s’i miraton reformat e kërkuara

Fjalët e Lionel Messit pasi theu rekordin e golave në Kupën e Botës

Fjalët e Lionel Messit pasi theu rekordin e golave në Kupën e Botës

Trump: Do të bëj atë që duhet të bëj nëse Irani shkel marrëveshjen

Trump: Do të bëj atë që duhet të bëj nëse Irani shkel marrëveshjen