Kurti e pranon para deputetëve se Asociacioni mund të bëhet, por me gjashtë kushte

Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend ka folur për planin franko-gjerman dhe Asociacionin, transmeton Periskopi. ‘’Në të gjitha takimet e deritanishme me ndërmjetësin e BE dhe QUINT, kam potencuar përkushtimin tonë që sa më shpejt që është e mundur të arrijmë dakordimin final rreth propozimit franko-gjerman të prezantuar tek ne më 8 shtator 2022. E […]
‘’Në të gjitha takimet e deritanishme me ndërmjetësin e BE dhe QUINT, kam potencuar përkushtimin tonë që sa më shpejt që është e mundur të arrijmë dakordimin final rreth propozimit franko-gjerman të prezantuar tek ne më 8 shtator 2022. E shohim si bazë të mirë dhe jemi të interesuar që të punojmë sa më intensivisht që i njëjti të nënshkruhet nga palët. Kërkojmë nga Borrell që sa më parë të ftojë në takime të rregullt dhe shpeshta që të avancojmë. Shteti normal nuk i diskriminon pakicat por i mbron si vlera shoqërore. Asociacioni i dalur në parim nga marrëveshje e Brukselit si një mekanizëm i tillë mund të konsiderohet me këto kushte nga Kosova:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).












