Kurti ka të drejtë kur thotë: ‘Nuk është Zajednicë’ [Sepse është shumë më shumë]
![Kurti ka të drejtë kur thotë: ‘Nuk është Zajednicë’ [Sepse është shumë më shumë]](/cnt/019de313-2e69-701a-aa47-c3cfd4f26fd2__m.webp)
Kur Albin Kurti i thotë opozitës se ‘kjo nuk është Zajednicë’ – duke iu referuar draftit që ai e ka pranuar – (fizikisht dhe përmbajtësisht) dhe për të cilin ka dërguar komente te Lajçaku me shokë për të, ai ka të drejtë. Pavarësisht se çfarë drafti pranoi, e vërteta e dhimbshme dhe e frikshme, shkon […]
Shkruan: Dafina Demaku
Sloganizime, ngjarje, individë janë disa prej pikave që përshkuan seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për draftin e Asociacionit, mes tyre: “…Nuk ka pranim pa nënshkrim. Nuk është Zajednicë kjo. Vuçiq po iu lyp juve”.
Përtej kësaj kakofonie politike, me një mbivendosje diskursive që në fund të ditës, llogaritë në vota, janë disa emra të cilët flasin qartë në këtë mjegullnajë rreth Marrëveshjes dhe Asociacionit.
Njëri prej tyre, quhet Jeffrey Hoevenier dhe është ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Sa për nënshkrimin ose jo, ai flet kështu:
‘Marrëveshja dhe Aneksi janë ligjërisht të obligueshme. Këshilli i Evropës e miratoi në konkluzionet e tij. BE njoftoi se në protokollet e anëtarësimit të Serbisë në BE dhe do të përfshihen detyrimet. Më pak e rëndësishme për mënyrën se si është miratuar, të fokusohemi në obligimet e arritura”, deklaroi ai ditë më parë në një intervistë ekskluzive për kanalin10, risjell në vëmendje Periskopi.
Marrëveshja kusht për integrime euro-atlantike?
Po. Raporti i fundit i Progresit, shënjon qartë këtë pikë. Çdo deklaratë e çdo vendi të fuqishëm evropian (Gjermani, Francë, Itali), e shënjojnë qartë këtë pikë, duke nënkutpuar se rruga e integrimeve, tashmë varet kryekëput nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Për të mos u zgjatur këtu, lexoni më lart vetëm deklaratën e ambasadorit amerikan, por po e sjellim këtu edhe interpretimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, z.Enver Hasani, i cili në librin e sapo botuar ‘E drejta kushtetuese’, shkruan kështu:
“Dy vendet do ta kenë si barometër për rrugëtimin e tyre evropian, nivelin e zbatimit të dispozitave të MO dhe Planit të Zbatimit (pika e fundit e Planit të Zbatimit shprehimisht lidh pranimin në BE me nivelin e zbatimit të detyrimeve të MO nga palët)”**
“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”, thotë pika 3 e Planit të Zbatimit.
Ku dallojnë Marrëveshja e Thaçit 2013 dhe Mustafës 2015 me atë të Kurtit në Ohër?
Marrëveshja e Ohrit, është një ‘detyrim super-kushtetues’ për komunitetin serb në Kosovë dhe atë që (mundohet!) ta elaborojë Enver Hasani, ajo është një bazë për ‘Kushtetutë materiale’ për serbët në Kosovë.
Qysh me e kuptu më thjeshtë këtë?
Republika e Kosovës, e ka Kushtetutën e saj formale si çdo shtet i pavarur dhe sovran. Themelimi i një mekanizmi ‘vetëmenaxhim’, ‘aranazhim specifik’, autonomi, nënkupton shtet brenda shtetit.
“Marrëveshjaa e Ohrit ka çimentuar themelet e një kushtetute materiale në Kosovë, që do të ekzistojë paralel dhe në rivalitet me Kushtetutën e Kosovës, si Kushtetutë formale e një shteti sovran dhe të pavarur”.***
Sipas këtij interpretimi – ‘Shteti i Kosovës, po shndërrohet bazuar në këtë kushtetutë materiale, në një shtet unitar me decentralizim të avancuar që ka përbrenda autonomi terrotoriale dhe joterritoriale. Që bashkë e kanë të garantuar rivalitetin me pushtetin qendror në Prishtinë’.****
Me autonomi territoriale, referuar Marrëveshjes që folë me gjuhën e ‘vetëmenaxhimit’ dhe ‘aranzhimit specifik’, më thjeshtë elaborohet kështu: autonomi territoriale – siç thotë Dukagjin Gorani në Pressing – prej ‘Veriut deri në Shtërpcë’ ndërkaq autonomi joterritoriale, referuar kapitullit në librin e prof.Enver Hasani, nënkupton ‘autonominë në të drejtën e trashëgimisë kulturore, fetare, etj).
‘Ky definim, që fokusohet në konceptin e ‘vetëmenaxhimit’ në një dispozitë shtesë në nenin 7.2 që lidhet me Kishën Ortodokse Serbe dhe me trashëgiminë kulturore dhe fetareve të vendeve serbe’******
Për implementimit e Marrëveshjes së Ohrit, përkujdeset vetë BE, e cila ka krijuar një Komitet të përbashkët (neni 10 i Marrëveshjes lidhur me pikën 6 të Planit të Zbatimit të MO).***
Shembull më i thjeshtë i autonomisë – si pasojë – rivalitetit të Asociacionit me pushtetin në Prishtinë (Republikën e Kosovës)
Teksa po pija kafe me një ekspert të njohur të çështjeve juridike në Kosovë, i këkrova të ma sqaronte – siç thonë amerikanët – ‘for dummies’ çështjen e autonomisë së Asociacionit dhe këtij ‘rivaliteti të pushtetit qendror’.
“Supozojmë se kryetari i Leposaviqit ose Zubin Potokut, duan ta krijojnë një linjë autobusi që përshkon të dyja vendet. Sipas juridiksionit, aktualisht, propozimi që bëjnë këta kryetarë, nuk do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën sepse është kërkesë e dy kryetarëve, ose tre e katër. Në momentin që Kryetari i Zajednicës, do t’i thërrasë këta dy kryetarë dhe do t’ua kumtojë vendimin për këtë linjë autobusi, si kërkesë ekskluzive e tij, ky është ‘niveli i tretë i pushtetit’ në Kosovë që do të mund ta ushtrojë Kryetari i Asociacionit”, më tha ky shok.
Përtej këtij shembulli të thjeshtë elaborues të ‘ushtrimit të pushtetit’, vëreni shembullin më poshtë, si e jep Enver Hasani në libër:
‘Çdo mbështetje e strukturave serbe të pushtetit në Kosovë, me infrastrukturën normative të Shtetit të Kosovës, nuk do të jetë veçse e përkohshme dhe transitore deri në bartjen e memories institucionale të krijuar pas 10 qershorit 1999 në organet dhe institucionet e autonomisë serbe të krijuara me Marrëveshjen e Ohrit (bartja e dokumentacionit personal që ka të bëj me serbët lokal)’.
‘Nga kjo mund të shihet se modeli i shtetit të Kosovës, i ndërtuar më 17 shkurt 2008, ka pasuar ndryshime radikale’, përfundon kapitulli i librit, që elaboron ‘të drejtën kushtetuese’ në mbarë botën, por nga faqja 720, flet vetëm për efektin juridik të prodhuar nga të gjitha marrëveshjet në dialog, përfshi këtë të fundit nga ana e Qeverisë Kurti – dhe ku me fusnotë – janë cituar disa pjesë të tij në këtë artikull. /Periskopi/
(Të gjitha citatet e përdorura në artikull, referuar me këtë lloj fusnote *,*** ), janë pjesë e librit: “E drejta kushtetuese’, “6.1. Kosova”, faqe 720, me autorë: Prof.dr. Enver Hasani, Prof. Ass.dr:Përparim Gruda, Prof.ass.dr: Zahir Çerkini)












