Kurti: Sapo të hiqet barrikada e fundit në veri, dokumentet hyrje-dalje shtyhen për 1 shtator

Kurti: Sapo të hiqet barrikada e fundit në veri, dokumentet hyrje-dalje shtyhen për 1 shtator

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, thanë se presin që barrikadat të hiqen të gjitha sot nga pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak dhe pas kësaj, reciprociteti për targa e dokumente të hyrje-daljes, do të zbatohet nga 1 shtatori.

“Sic e theksova, një numër i barrikadave tashmë janë larguar, pjesa tjetër po largohen, për ne është me rëndësi që gjatë ditës së sotme të kemi qarkullim të lirë në rrugët e Kosovës, që rendi dhe ligji të mbizotërojë edhe në atë pjesë të vendit”, tha Sveçla, shkruan Periskopi.

Kurti tha se vlerësohet se janë 9 barrikada në pikat kufitare në veri.

“Barrikadat do të konsiderohet që janë hequr atëherë kur hiqet barrikada e fundit. 9 sosh vlerësohet se janë vendosur dje dhe sot, kur të hiqet edhe barrikada e fundit në Jarinjë dhe Bërnjak dhe presim që këtë njoftim të na jap Policia e Kosovës. Në ato momente, këto dokumentet hyrje-dalje në pikat kufitare me Serbinë, shtyhen për nga zbatimi deri më 1 shtator.  Kur të hiqen të gjitha barrikadat, të hapen vendkalimet në Jarinje dhe Bërnjak, do të mund të shohim shtensionim të situatës dhe nga 1 shtatori do të mund të shohim reciprocitet në këtë drejtim”, tha Kurti, përcjell Periskopi.

Ai ka thënë se zhvillimet e ardhshme në veri, varen edhe nga strukturat që po financohen nga Beogradi.

“Ne e kemi vullnetin e mirë, a do të ketë zhvillime agresive e të dhunshme në veri, nuk varet nga policia, nuk varet nga ministri i brendshëm, nuk varet nga kryeministri dhe do të thosha nuk varen as nga qytetarët atje, por varen nga ato struktura që po financohen nga Beogradi dhe po nxiten prej tij për të bërë trazira në Kosovë” tha Kurti.

Ai u pyet nga gazetarët se a ishin në dijeni aleatët perëndimor, për atë që ndodhi dje, duke u përgjigjur kështu, përcjell të plotë deklaratën Periskopi:

“Ne kemi qenë vazhdimisht në komunikim me partnerët aleatët dhe miqtë tanë amerikanë dhe evropianë. Mirëpo pjesa më e madhe e zhvillimeve ka qenë e kushtëzuar nga veprimet kriminale dhe agresive të bandave që praktikisht si struktura ilegale të Serbisë, dolën nëpër rrugët e Kosovës. E kuptojmë brengën e ShBA-së dhe BE-së, për fushatën e madhe të dezinformimit që është bërë për dy veprimet tona. Ne do ta vazhdojmë fushatën e informimit”, tha ai, përcjell Periskopi.

Jeni të vetëdijshëm që qytetarët e përkatësisë etnike serbe në Kosovë, kanë qenë të bombarduar prej lajmeve të rreme nga Serbia, për diçka që kur nuk e quanin Olluaja, e quanin ferr. Kjo ka qenë brenga e SHBA-së dhe BE-së. I kemi ditët e këtij muaji, drejt 1 shtatorit por natyrisht me kushtin që lëvizja e lirë do të mundësohet gjithandej nëpër rrugët e Kosovës. Unë kam përdorur shprehjet sfiduese dhe problematike, me këto banda kriminale që bllokojnë rrugë me barrikada fizike, natyrisht që ka probleme e sfida, por forca e ligjit, rendit demokratik dhe kushtetues nuk mund ta tolërojë këtë dhunë.  Jemi të bindur që me kapacitetet tona, me institucionet që kemi, me mbështetjen popullore, me aleatët tanë perëndimor dhe demokratik, do ta tejkalojmë këtë sfidë. Kjo sfidë e madhe, nuk kalohet për një ditë, por do të angazhohemi me krejt çka kemi”, tha Kurti, përcjell Periskopi.

Më herët, Radio Evropa e Lirë, raportoi duke u thirrë në burime, se z.Borrell ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për takim në Bruksel, por kryeministri Kurti tha se deri tani, nuk e ka një ftesë të tillë.

 “Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi në Bruksel më 19 korrik. Ai ka kërkuar të shtyhet, mbase ka qenë duke përgatitur atë që ndodhi dje. Unë kam shprehur gatishmërinë, që kur të na thërret Borrell, zëvendëspresidenti i KE-së, do të shkoj në Bruksel, një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi. Në momentin që do ta kemi, do ta bëjmë publike dhe do ta shprehim qëndrimin tonë”, tha Kurti./Periskopi

Shpërndaje në: