Kurtit dështon me projektet infrastrukturore brenda Kosovës, orientohet drejt Tetovës

Albin Kurti premtoi së fundmi tunel 200 milionë euro që lidh Prizrenin dhe Tetovën. Lëre që nuk ka nis ndonjë projekt të ri madhor. Ai brenda dy viteve e gjysmë sa është koha prej kur është ulur në kolltukun kryeministror nuk ka arritur ta finalizojë akoma asnjë nga projektet ekzistuese gjigante infrastrukturore, që i trashëgoi […]
Ai brenda dy viteve e gjysmë sa është koha prej kur është ulur në kolltukun kryeministror nuk ka arritur ta finalizojë akoma asnjë nga projektet ekzistuese gjigante infrastrukturore, që i trashëgoi nga qeverisjet e kaluara. Autostrada e Gjilanit, rruga Prishtinë – Podujevë, ajo Prishtinë – Mitrovicë janë tri projektet e papërfunduara.
Nuk ka ndodhur zgjerimi i rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren e as rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj.
Asnjë kaci nuk është hedhur për ndërtimin e rrugëve kufitare Deçan-Plavë e Prizren-Tetovë.
Të gjitha këto rrugë që u përmenden parashihen në programin e Qeverisë Kurti.
Telenovela e autostradës së Gjilanit
Hapin e parë për ndërtimin e kësaj autostrade e kishte hedhur kryeministri Isa Mustafa, më 2017. Ky u kishte dhënë kontratë rreth 100 milionë euro disa operatorëve ekonomikë.
Kompanitë kontraktuese të Mustafës i ndërroi me të ardhë në pushtet, Ramush Haradinaj.
Kjo meqë tenderi shkoi në rivlerësim dhe pas ankesave që bënë kompanitë nën pretendimin për shkelje të ligjit. Edhe ujditë e Haradinajt për këtë projekt u përcollën me dyshime të mëdha korrupsioni.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Betim Reçicës dhe tre zyrtarëve të tjerë lidhur me Autostradën e Gjilanit.
Punimet e autostradës ishin paraparë të kryeheshin për 2 vjet.
Nga 2017-a deri më 2023, kanë kaluar plot 6 vjet e janë ndërruar shumë qeveri, raporton “Front Online”.
Megjithatë, ajo që dihet është se auto-udha nuk është përuruar ende.
Kryeministri Albin Kurti premton se hapja bëhet këtë vit.
Sipas tij, kanë përfunduar mbi 70% të punimeve.
“Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve. I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të parë dhe llotit të dytë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që të kenë gjithashtu qasje. Gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22.8 km, prej Banullës në Lipjan te Bresalci në Gjilan”, u shpreh kryeministri.
Punimet në autoudhën Prishtinë – Gjilan janë të kontraktuara me 8 operatorë ekonomikë ose një operator ekonomik është punëkryes në një lot, kur dihet se ky segment rrugor është i ndarë në 8 lote.
Rruga e ‘zvarritjes’ Prishtinë – Podujevë
Fati i njëjtë, si autostradën e Gjilanit, e ka përcjell edhe rrugën Prishtinë – Podujevë.
Punimet në të cilën janë duke u zvarritur tash e 6 vite prej kur kanë nisur. Vonesat po vazhdojnë edhe në Qeverinë Kurti.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu qysh në fillim të vitit 2023 kishte premtuar se brenda 2 muajsh do të përfundojë rruga.
Kjo s`ka ndodhur. Dikasteri që ai drejton u ka ndarë 38 milionë euro operatorëve ekonomikë, nga to 8 milionë për kompaninë e Bujar Shabanit, dostin e numrit dy në Ministri, Hysen Durmishit.
Front Online kishte raportuar ekskluzivisht për këtë kontratë, ky dyshohej se bëhej fjalë për konflikt të pastër interesi. Kjo sepse në bazë të dokumenteve të siguruara shihej se kontratën milionëshe Durmishi ia kishte nënshkruar vetë mikut të tij, ani pse mohonte diçka të tillë, raporton “Front Online”.
Madje Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontrata me kompani për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, ani se për fituesin e njërit prej loteve të tenderit pati ankesë të pashqyrtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Kjo bie kategorikisht ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik.
Para disa javësh kryeministri Albin Kurti inauguroi punimet për zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë.
Sipas tij, kjo rrugë do të kryhet për një vit.
“15 km është gjatësia e rrugës të cilën po e zgjerojmë. Vlera e projektit është 35 milionë euro. Për 365 ditë pune do të përmbyllet pritja shumëvjeçare. Urime të gjithëve!”, shkroi Kurti.
Prishtinë – Mitrovicë, një dekadë punime, asgjë e përfunduar
Tash e një dekadë kanë nisur punimet në rrugën Prishtinë – Mitrovicë.
Përkundër kësaj, ato, nuk janë kryer deri tash shkaku i telasheve me pronësimet atje, raporton “Front Online”.
Më 2013, Ministria e Financave e udhëhequr nga ish-ministri Besim Beqaj, kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me zëvendëspresidentin e Fondit për Zhvillim të Mbretërisë Saudite, Mohammed A. Al-Jenaidel për zgjerimin e magjistrales.
Ujdia parashihte që vlera e projektit të jetë rreth 60 milionë dollar dhe pritej të përfundonte diku rreth vitit 2017.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, dha afat një vjeçar për përfundimin e punimeve, të cilat pritet të nisin në vjeshtë.
Sipas tij, tashmë është rregulluar çështja e shpronësimeve.
“Shtatori dhe fillim i tetorit të jetë koha kur ne e fillojmë realizimin e punëve në projektin e Mitrovicës, dhe ky e ka afatin një-vjeçar. Kjo është, keq apo mirë, kjo është situata, pra mund të akuzohemi dhe të gjitha, por kjo është situata. Në rrugën e Mitrovicës kemi punuar intensivisht dhe kemi mbërri në këtë pikë. Ka pasur telashe të shumta, mendoj që i kemi përmbyllur dhe jemi të gatshëm që të vazhdohet me këtë projekt”, shtoi ai.
Projektet tjera infrastrukturore
Gjatë Qeverisjes Kurti nuk ka ndodhur akoma zgjerimi i rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren e as rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj.
Asnjë kaci nuk është hedhur për ndërtimin e rrugëve kufitare Deçan-Plavë e Prizren-Tetovë.
Kjo përkundër se parashihet të realizoheshin në programin e Qeverisë Kurti 2021 – 2025.
Opozita: Qeveria Kurti më e dobëta në histori për investime kapitale
Lidhur me mosrealizimi e këtyre projekteve opozita i ka hedhur fajin Qeverisë Kurti.
Arben Mustafa është koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai thotë se Qeveria Kurti përfaqëson Qeverinë më të dobët që ka pasur ndonjëherë Kosova kur është fjala te hartimi dhe zbatimi i projekteve publike kapitale.
“Që nga ardhja në pushtet përveç se nuk kanë hartuar asnjë projekt kapital serioz të ri, nuk po munden t`i përfundojnë as projektet e nisura më parë. Ideja për rrugën Prizren – Tetovë paraqet vetëm edhe një ide tjetër populliste të Kryeministrit Kurti, e cila nuk bazohet në ndonjë analizë të arsyeshmërisë ekonomike”, potencoi Mustafa për “Front Online”.
Tutje Mustafa tha se premtimi i Kurtit për tunelin 200 milionësh që lidh Prizrenin me Tetovën dëshmon mungesën e vizionit që ka ekzekutivi.
“Duhet pasur parasysh se ne kemi ndërtuar njërën ndër autostradat më të bukura në Evopë që lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut dhe shtrohet pyetja se ku qëndron nevoja e një investimi kaq të madh prej 200 milionë euro për një rrugë të re që lidhë Kosovën me këtë shtet. Përveç se të motivuara nga popullizmi, ide si kjo shpërfaqin edhe mungesën e madhe të ideve që ka kjo qeveri për ta vënë paranë publike në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit”, u shpreh Mustafa për “Front Online”.
Tuneli i Kurtit
Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar nisjen sa më të shpejtë të punimeve për fillimin e ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë.
Ai përmendi hapjen e një tuneli 200 milionë euro për lidhjen e të dyjave qyteteve.
“Kostoja e parallogaritur e këtij aksi të rëndësisë së madhe ndërshtetërore, kombëtare, rajonale e evropiane është rreth 200 milionë euro, 3/4 për tunelin e pjesa tjetër për rrugët në të dy anët e tij që e lidhin Prizrenin me Tetovën, që e lidhin Tetovën me Prizrenin”, ka deklaruar Kurti.












