Lladrovci kërkon të shtyhet procesi i regjistrimit të popullsisë

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet për të paktën edhe dy javë të tjera. Ai është ankuar se Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk është përgatitur mjaftueshëm për këtë proces. Ai ka thënë se komuna është njoftuar se regjistrimi – që nis sot, 5 […]
Ai ka thënë se komuna është njoftuar se regjistrimi – që nis sot, 5 prill – është shtyrë për të hënën.
“Më vjen keq që sërish më duhet të përsëris fjalën time të 2 nëntorit kur edhe atëherë kemi shpreh ankesat për papërgatitjet e ASK për këtë proces. Na kemi informacionet që gjithë anëtarët e Komisionit komunal për Regjistrim kanë marrë njoftim që regjistrimi është shty deri të hënën, sa është e vërtetë na e thuani ju këtu. Konkursi për regjistrues ende vazhdon”, ka thënë ai në takimin e ftuar nga MAPL-ja, ku merr pjesë edhe kryeministri.
Lladrovci ka thënë se komuna e tij ka mungesë të zyrtarëve të regjistrimit, e sipas tij shumë prej tyre edhe e lënë punën. Ndërkohë, ai ka shtuar se ka mungesë të informacionit dhe buxhetit për këtë proces, duke theksuar paqartësitë mbi pyetësorin lidhur me dëmet e luftës.
“Unë nuk e di a kem të drejtë por unë kisha thënë që me shty edhe 2 javë procesin e regjistrimit se e kemi vështirë me kry mirë edhe ju qysh po kërkoni edhe ne qysh po duam”, ka thënë Lladrovci.
Të kundërtën e ka thënë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi. Ai ka theksuar se procesi nuk ka nevojë të vonohet. Megjithatë, ka shprehur shqetësim edhe ai lidhur me pyetësorin që do të bëhet për dëmet gjatë luftës.
“Nuk është që jemi shumë krenarë me arkivat e Kosovës dhe të komunave. Të gjitha raportet, bie fjala arkivit tonë, kanë shku në arkivin e Kosovës. Që ta merrni arkivin ose dokumentacionin e arkivit duhet me pas takime specifikisht me diskutu për këto tema”, ka thënë Latifi. /koha.net/












