Llogaritja te minoritetet joserbe dhe “transferet” e deputetëve për pozita ministrote – Kombinimet eventuale për formimin e Qeverisë së re

Llogaritja te minoritetet joserbe dhe “transferet” e deputetëve për pozita ministrote – Kombinimet eventuale për formimin e Qeverisë së re

Menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë koalicioni me partitë e mëdha shqiptare që janë në opozitë – Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Edhe këto tri parti opozitare kanë thënë se nuk do […]

Menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë koalicioni me partitë e mëdha shqiptare që janë në opozitë – Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Edhe këto tri parti opozitare kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me Kurtin.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese, LVV-ja në këtë rast, që të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Por, kjo parti duket se do t’i ketë 48 vende deputetësh, në Kuvendin e përbërë prej 120 sosh.

Për ta formuar Qeverinë, një mandatari i duhen të paktën 61 vota.

Analistët politikë besojnë se Kurti llogarit në skenarin e formimit të Qeverisë me minoritetet joserbe, që i kanë 10 vende, si dhe në lëvizjet që mund t’i bëjnë disa deputetë të opozitës aktuale, “për pozita ministrore”.

AAK-në, ka thënë hapur se nuk ka “vija të kuqe” përballë koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

Por, për politologun Dritëro Arifi, Kosovës nuk i duhet një qeveri “e brishtë” në situatën aktuale gjeopolitike në botë.

“Një parti e vetme, si Vetëvendosje, me një koalicion kaq të vogël dhe të brishtë, do ta ketë të pamundur që t’i realizojë kërkesat që mund të vijnë nga partnerët ndërkombëtarë”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

A mund të bëhet një Qeveri PDK-LDK-AAK?

I pyetur për kërkesat eventuale, Arifi vlerëson se mund të mos bëhet më fjalë vetëm për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe:

“Çka nëse kërkohet diçka më shumë, sa jemi të gatshëm të lëvizim në këto ndryshime të mëdha globale? Mund të kërkohen shumë gjëra, nuk po aludojmë shumë, por po e marrim vetëm një: çfarë nëse kërkohet ndryshim i kufirit? Çfarë jemi të gatshëm ta bëjmë dhe si do ta bëjmë? Ky është mëkati më i madh, që një shoqëri e tërë nuk ka përgjigje”.

Në rast se partia fituese nuk arrin ta formojë Qeverinë brenda dy javësh, atëherë presidentja detyrohet të mandatojë atë parti ose grup që e bind se mund ta formojë atë.

Për Arifin, edhe nëse kjo nënkupton koalicion mes tri partive të mëdha shqiptare, PDK-LDK-AAK, pamja është sërish e zbehtë, për faktin se nuk garantohet stabilitet.

Cili kombinim do të mund të funksiononte?

Arifi mendon se një koalicion mes LVV-së dhe PDK-së do të ishte më i miri për Kosovën, sepse ashtu, sipas tij, do të mund të tejkalohej edhe kriza për pozitën e presidentit, pasi Osmanit t’i skadojë mandati vitin tjetër.

I pyetur se sa ka mundësi të funksionojë një koalicion i tillë, se sa janë afër në ideologji këto parti, Arifi beson se asnjëri subjekt politik në Kosovë nuk ka dallime në këtë drejtim, dhe se që të gjithë e kanë thuajse të njëjtin koncept:

“Nëse i shikoni vetëm debatet dhe fjalimet, gjithçka në Kosovë sillet rreth sektorit publik, rritjes së pagave. Botëkuptimi i politikëbërjes është shumë i ngushtë. Nuk kanë dallim të madh”.

Megjithatë, sipas Arifit, një koalicion LVV-PDK do të mund të funksiononte, nëse partitë fokusohen në 6-7 prioritete, në mënyrë që rezultati të jetë “pozitiv për shoqërinë dhe për shtetin”.

Rëndësinë e stabilitetit në Kosovë e ka përmendur edhe faktori ndërkombëtar.

Më së voni, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë që Kosova duhet të ketë një Qeveri stabile, teksa ka pohuar se aleanca ushtarake do të punojë me këdo që do ta udhëheqë Kosovën.

LVV-ja, që aktualisht është në pushtet dhe ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është zotuar se do ta formojë sërish Qeverinë.

Udhëheqësi i saj, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara:

“Nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime tjera sa u përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër Qeverisë sonë dhe LVV-së, dhe kemi dalë fitimtarë, dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë Qeverinë e re”. /REL

Të ngjashme
Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Policia: Teknologjia e re mundëson identifikimin automatik të kundërvajtjeve

Policia: Teknologjia e re mundëson identifikimin automatik të kundërvajtjeve

Njofton KEDS: Këto vende nesër mbesin pa rrymë, shkak punimet

Njofton KEDS: Këto vende nesër mbesin pa rrymë, shkak punimet

73-vjeçarja e goditur nga automjeti në Mitrovicë në gjendje të rëndë

73-vjeçarja e goditur nga automjeti në Mitrovicë në gjendje të rëndë

Enver Hasani: Kosova nuk guxon të mbetet jashtë projektit të gazit amerikan

Enver Hasani: Kosova nuk guxon të mbetet jashtë projektit të gazit amerikan

“Matuf plak” - Aktivistja e VV-së me fyerje ndaj Rifat Jasharit, pasi priti të pamen me Sami Lushtakun për Sahit Jasharin

“Matuf plak” - Aktivistja e VV-së me fyerje ndaj Rifat Jasharit, pasi priti të pamen me Sami Lushtakun për Sahit Jasharin

Nga Alfred Cako te Shkëlzen Gashi e Rron Gjinovci, dalin emrat e propozuar nga protestuesit për partinë “Shqipëri e re”

Nga Alfred Cako te Shkëlzen Gashi e Rron Gjinovci, dalin emrat e propozuar nga protestuesit për partinë “Shqipëri e re”

Trump dhe Macron do të takohen për darkë në pallatin e Versajës pas samitit të G7-ës

Trump dhe Macron do të takohen për darkë në pallatin e Versajës pas samitit të G7-ës

Ministri shqiptar pritet në Pentagon nga zv. Sekretari i Luftës, flasin për mbrojtje e siguri

Ministri shqiptar pritet në Pentagon nga zv. Sekretari i Luftës, flasin për mbrojtje e siguri

Të akuzuarit për barrikadat në veri, me dosje të trasha kriminale

Të akuzuarit për barrikadat në veri, me dosje të trasha kriminale

Edi Rama dënon sulmet dhe thirrjet për bojkot për koncertin e këngëtarit Yll Limani

Edi Rama dënon sulmet dhe thirrjet për bojkot për koncertin e këngëtarit Yll Limani

KQZ del me detaje për votat me postë, tregon sa janë numëruar e sa janë anuluar në procesin e verifikimit

KQZ del me detaje për votat me postë, tregon sa janë numëruar e sa janë anuluar në procesin e verifikimit

Vazhdon përgatitja për numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta

Vazhdon përgatitja për numërimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta