Maliqi: Rusi Patrushev këtë javë në Beograd, Putini synon përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës dhe në Bosnjë

Analisti Agon Maliqi ka alarmuar për një vizitë që do të ndodhë në Beograd gjatë kësaj jave. Ai thotë se në Beograd, shkon shefi i shërbimeve të sigurisë ruse, Patrushev. “Synimi, me gjasë, është presioni ndaj Beogradit për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon, mbi të gjitha për ta përkrahur nismën e […]
Analisti Agon Maliqi ka alarmuar për një vizitë që do të ndodhë në Beograd gjatë kësaj jave.
Ai thotë se në Beograd, shkon shefi i shërbimeve të sigurisë ruse, Patrushev.
“Synimi, me gjasë, është presioni ndaj Beogradit për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon, mbi të gjitha për ta përkrahur nismën e Dodikut për zhbërjen e Bosnjes, por edhe mundësia për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës”, shkruan Maliqi, përcjell Periskopi.
Shkrimi i plotë:
Mirëmëngjes. Në kulmin e tensioneve në Ukrainë, shefi i shërbimeve të sigurisë së Rusisë, Patrushev, njëri ndër njerëzit më të afërt të Putinit, këtë javë vjen në Beograd.
Synimi, me gjasë, është presioni ndaj Beogradit për ta hapur një front të ri destabilizimi në rajon, mbi të gjitha për ta përkrahur nismën e Dodikut për zhbërjen e Bosnjes, por edhe mundësia për ndonjë përshkallëzim të mundshëm në veri të Kosovës.
Vuçiq e ka mbështetur agjendën ruse në shumë sfera, por në përpjekje për të balancuar dhe për t’i mbajtur raportet me perëndimin, dhe i vetëdijshëm për pasojat, deri tani është treguar skeptik dhe frenues ndaj Dodikut.
Nëse vazhdon t’i rezistojë këtij presioni në këtë moment thyerjesh të mëdha gjeopolitike, pikët e fituara nga Vuçiq në perëndim, veçanërisht në SHBA, janë të larta. Nëse u hyn aventurave, e djeg gjithë mundin diplomatik të një dekade. Në cilëndo rrethanë dhe sido që të zhvillohet, ky konflikt mes perëndimit dhe Rusisë do ta ridefinojë kontekstin e sigurisë në Evropë, ku Rusia e sheh fatin e Ballkanit dhe atë të ish shteteve Sovjetike si të ndërlidhura – si sfera interesi me mundësi pazaresh dhe shkëmbimesh.
Në këtë kontekst, Kosova e mbrojtur nga NATO nuk e ka luksin të vazhdojë me qasjen sovraniste dhe shpërfillëse ndaj aleatëve, duke ndjekur fitore taktike që zgjojnë emocione të momentit (psh. targat, zgjedhjet) dhe duke e humbur perspektivën strategjike.
Rezultati i kësaj qasjeje është se Kosovën nuk e pret më kush nga nivelet e larta në SHBA, madje as për kafe në margjinat e konferencës së Mynihut.












