Martin Berishaj nuk e ka deklaruar në Anti-Korrupsion kompaninë në Malin e Zi ku i përfitoi 600 mijë euro

Martin Berishaj nuk e ka deklaruar në Anti-Korrupsion kompaninë në Malin e Zi ku i përfitoi 600 mijë euro

Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, është emri kryesor i përmendur në skandalin e zbuluar financiar në Slloveni ku dyshohet se kandidati për kryeministër, Robert Golob, ka bërë shpëlarje parash dhe atë e ka ndihmuar ambasadori kosovar. Bëhet fjalë për 600 mijë euro. Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, ai nuk kishte deklaruar kompaninë përmes së cilës po del se i ka përfituar ato para…

Sipas lajmit të publikuar nga media sllovene Planet TV, një kompani energjetike ballkanike, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it, shkruan Periskopi.

Nën petkun e zyrtarit të lartë, Berisha e ka bërë deklarmimin e pasurisë menjëherë si ishte emëruar ambasador. Sipas deklarimit i cili është publikë në ueb-faqen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, shihet që Berisha nuk e ka deklaruar kompaninë e tij ‘MB Consulting’, me pronar dhe punëtor vetë Berishaj, ani pse kompania është e regjistruar nga viti 2016 në Mal të Zi.

Berishaj ka deklaruar banesë në vlerë prej 180 mijë euro e përfituar në vitin 2001, shtëpi e trashëguar nga 2008 në vlerë prej 72 mijë euro, një tjetër banesë të përfituar në vitin 2006 në vlerë prej 50 mijë euro, dhe tokë me sipërfaqe 62, 000. 00 m2 e trashëguar nga prindërit në vlerë prej 80 mijë euro.

Pasuri të luajtshme ka deklaruar veturë marcedes E220 e blerë nga kursimet në vitin 2016 në vlerë prej 15 mijë eurove, dhe një veturë në emrin e bashkëshortes Audi 8 e blerë në vitin 2018 në vlerë prej 42 mijë eurove.

Ka deklaruar para të gatshme në dy banka sllovene, në emrin e vetë 15 mijë euro,. Dhe në emrin e gruas 10 mijë euro.

Të hyrat si ambasador i ka deklaruar në vlerë prej 39, 936.00 euro në vit, dhe të hyrat e bashkëshortes në vlerë prej 24 mijë euro në vit.

Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Berishaj është në pronësi edhe të dy kompanive të tjera me seli në Kosovë – “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”. Asnjërën nga këto nuk i ka deklaruar në formular.

Skandali i ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj, ku dyshohet se është përfshirë në shpëlarje parash me politikanë në Slloveni – para që sipas mediave sllovene – rrjedhën e kanë nga dega e GEN-it serb, ka ngjallur dyshime të mëdha në opinionin publik kosovar, duke e lidhur këtë skandal edhe me krizën energjetike në Kosovë. /PERISKOPI/

 

 

 

Shpërndaje në: