Ministri Aliu anuloi marrëveshjen me UBT-në pasi AKK-ja nisi hetimet

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu më 20 prill publikoi një njoftim, ku tregohej se kishte nënshkruar një marrëveshje me Kolegjin ‘UBT’. Ministri Aliu kishte nënshkruar marrëveshje me punëdhënësin e tij tek ky kolegj, ku merrte një pagë të lartë si punë të dytë. Kësisoj, Periskopi kishte bërë një raportim ekskluziv, ku më pas kishte kërkuar […]
Menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit, AKK-ja kishte konfirmuar për Periskopin se ka pranuar informatën dhe do ta trajtonte atë brenda afateve ligjore. Megjithatë, ky institucion ka ndërprerë hetimet, me arsyetimin se ministri është tërhequr nga marrëveshja.
“Në lidhje me rastin e Memorandumit mes Ministrit të Mjedisit dhe Kolegjit UBT, ju njoftojmë se gjatë procesit të mbledhjes se informacioneve për rastin, Agjencia kundër Korrupsionit ka pranuar konfirmimin nga Ministri Aliu për anulimin e këtij Memorandumi. Në Opinionin e nxjerr nga Agjencia kundër Korrupsionit, janë shqyrtuar dhe vlerësuar të gjitha veprimet dhe pas aktit të anulimit të Memorandumit rasti tashmë konsiderohet i mbyllur”, thuhet në përgjigjen e AKK-së dhënë të martën për Periskopin.
Ndërkohë, në opinionin për ministrin Aliu, AKK ka thënë se ka dhënë rekomandimet e veta të bazuara në legjislacionin aktual, për atë se si duhet të deklarohen dhe të shmangen situatat e mundshme të konfliktit të interesit në të ardhmen, që në momentin kur ato paraqiten.
Periskopi ka parë se ky vendim është anuluar nga ministri Aliu, në muajin Maj, pra pak ditë pasi AKK-ja kishte nisur një hetim për konflikt të mundshëm të interesit.
“Anulohet Marrëveshja e Bashkëpunimit e datës 20.04. 2022 e lidhur në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit UBT. Vendimi hynë në fuqi ditën e nënshkrimit nga Ministri i MMPHI”, thuhet në këtë vendim, i cili është i nënshkruar nga Liburn Aliu.

Periskopi ka raportuar se Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës po e favorizonte hapur kolegjin UBT, nga i cili merr një pagë si profesor.
Nënshkrimin në marrëveshje e patën hedhur, ministri Liburn Aliu dhe punëdhënësi i tij tek kolegji UBT, Edmond Hajrizi.
Në ueb-faqen këtij kolegji figuron se ministri Aliu është mësimdhënës, dhe merr një pagë në vlerë prej 1128 eurove në muaj, pagë e cila sot është rritur në 2000 euro.
Në fotografinë që Ministria ka publikuar sot, me Aliun shihet që është edhe Rineta Jashari – shefe e stafit të kabinetit të Aliut.
Periskopi ka gjetur se edhe Jashari është ligjëruese në UBT dhe merr një pagë në vlerë prej 800 eurove.
Në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes, Aliu kishte shkruar se ajo është ligjore
“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale, konferencave dhe simpoziumeve shkencore, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojave e tregut të punës, si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore”, kishte shkruar Aliu.
Lidhur më këtë marrëveshje patën reaguar fuqishëm akteret të shoqërisë civile, bile edhe nga ata që janë shfaqur të afërt më LVV-në. /Periskopi/












