Ministria e Liburn Aliut pozicionohet për tender të kundërligjshëm në mirëmbajtjen e rrugëve

Pas rënies së parë të borës për këtë dimër, mbrëmë është raportuar për disa aksidente në rrugët e Kosovës. Në fakt, nuk është asgjë e re që bora t’i zë rrugët kryesore pa mirëmbajtje në territorin e vendit dhe askush të mos japë përgjegjësi. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), e udhëhequr nga […]
As mbrëmë e as sot, asnjë grusht kripë nuk është hedhur në mbi 80 për qind të rrugëve rajonale dhe regjionale që mirëmbahen nga MMPHI. Fati i madh është se nuk ka ngrica të mëdha, ndonëse gjendja më e rënduar mbretëron në disa zona malore. Nëse ngasësit e automjeteve nuk janë të pajisur me gomat e dimrit, gjobiten menjëherë nga organet, por e njëjta nuk po ndodh pse s’po hedhet kripë nëpër rrugë.
Ministria në fjalë ka nënshkruar veç katër kontrata deri tash, nga 15 sosh sa kishte planifikuar për mirëmbajtjen e rrugëve rajonale dhe regjionale për tri vitet e ardhshme. Ato janë: Mitrovica 1, Peja 2, Prizreni 2 dhe Gjakova 2. Për secilin regjion do të jenë nga dy kontrata, veç për Prishtinën tri. Kontratat tjera nuk janë realizuar për shkak se zyrtarët e MMPHI’së janë pozicionuar që të nënshkruajnë kontrata me disa kompani të caktuara për çka ka pasur ankesa, të cilat i ka trajtuar ministria dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit për një kohë gogja të gjatë.
OSHP ia hapë rrugën ministrisë që të nënshkruajë kontratat
Më në fund, Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit i ka dhënë dritën e gjelbër ministrisë që nënshkruajë edhe shtatë kontrata tjera, ndërsa katër oferta t’i kthejë edhe njëherë në rivlerësim për të cilat pritet të ketë zhagitje e të priten ankesa tjera.
Paneli i OSHP-së mori vendim pa i ftuar fare në seancë palët ankuese.
Ajo çka ka rënë në sy në vendimin e Panelit të OSHP-së është se i ka dhënë të drejtë ekspertit të vet në gjykimin e këtij rasti, dhe nuk e ka trajtuar fare elementin kryesor të kompanive ankuese që kishte të bënte me shkeljen e ministrisë se tenderit i kishin skaduar validiteti i ofertave dhe se ato ishin zgjatur pas skadimit. Sipas Ligjit të Prokurimit kjo është e kundërligjshme.
Bazuar në Dosjen e Tenderit e cila është e publikuar në E-prokurim, ofertat e kompanive kanë pasur validitet për një periudhë prej 90 ditëve nga data e hapjes se tenderëve qe ka qene data 20.05.2022, pra deri më datë 18. 08. 2022.
Shkelja e parë
Fillimisht, zyrtari përgjegjës i prokurimit në MMPHI, ka kërkuar vazhdimin e valditetit të ofertave 8 ditë pas skadimeve ( me datë 24. 08. 2022), duke dhënë edhe 2 ditë të tjera kohë për të dërguar vazhdimin e validitetit, me ç ‘rast është ndërprerë komunikimi i vlefshmërisë së tenderëve, ndërkohë është dashur të kërkohet para datës 18. 08.2022, pra para skadimit.
Në këtë rast është bërë shkelja e nenit 21. 1 dhe 21.2 të Dosjes së Tenderit, ku thuhet se Autoriteti Kontraktues para skadimit të periudhës së vlefshmërisë së tyre, mund të kërkohet nga tenderuesit zgjatja e periudhës së vlefshmërisë së tenderëve, si dhe neni 31.4 të RRUOPP se: Kërkesa për zgjatje të validitetit të tenderëve do të bëhet me shkrim dhe duhet të kërkohet para datës së skadimit.
Sipas nenit 31.4 të RRUOPP nuk përcaktohet sa ditë para skadimit të validitetit të ofertave mund të kërkohet zgjatja e afatit të validitetit. Megjithatë është e rëndësishme të ketë kontinuitet midis afatit të skaduar dhe atij të ri, për këtë arsye thuhet “para datës së skadimit”.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik -KRPP, në ueb faqen e saj, tek rubrika Informacione e ka të publikuar edhe dhënien e opinioneve në pyetje të ndryshme që bëjnë autoritetet kontraktuese dhe palët e ndryshme. Aty është dhënë sqarimi për periudhën e validitetit të ofertës, ku thuhet se në mënyrë retroaktive nuk mund të kërkohet zgjatja e validitetit të ofertave.
“Megjithatë, është e rëndësishme që të ketë kontinuitet midis afatit të skaduar dhe atij të ri, për këtë arsye në këtë dispozitë thuhet: “para datës së skadimit….” Pavarësisht se aktiviteti i prokurimit është në “Pezullim”, AK në përputhje me nenin 30.4 të Rregullores për Prokurimin Publik duhet që të kërkojë zgjatjen e validitetit të ofertave para datës së skadimit. Neni 30.3 i Rregullores për Prokurimin Publik, kërkon rreptësishtë që oferta të ketë validitet deri te dhënia dhe nënshkrimi i kontratës. Prandaj KRPP konsideron se asnjë kontratë publike nuk mund të nënshkruhet me validitet të skaduar të ofertës. Për këtë arsye, Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit duhet me kujdesin më të madh të përcjellë validitetin e ofertave, dhe në çdo rast duhet të kërkojë nga të gjithë operatorët ekonomik pjesëmarrës zgjatjen e validitetit të ofertave para datës së skadimit. Në mënyrë retroaktive nuk mund të kërkohet zgjatja e validitetit të ofertave dhe/ose e sigurisë së tenderit. KRPP do të monitorojë me kujdes të veçantë autoritetet kontraktuese për moszbatimin e nenit 30.4 të Rregullores për Prokurimin Publik. Mos zbatimi i nenit 30.4 klasifikohet si shkelje e rëndë sipas nenit 97 të kësaj rregulloreje, andaj KRPP do të ndërmarr masa në përputhje me nenin 97 të Rregullores për Prokurimin Publik”, thuhet në këtë opinion e KRPP-së.
Meqenëse se kjo është klasifikuar si ‘shkelje e rënë’, Periskopi ka kërkuar një përgjigje nga KRPP-ja nëse është në dijeni se MMPHI është pozicionuar që të nënshkruajë kontratat me këtë shkelje dhe se a e kanë monitoruar këtë procedurë të prokurimit, por që nuk kemi ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Shkelja e dytë
Nëse do të llogaritej se nga data 26. 08. 2022 ofertat të kenë validitet në afat prej 90 ditëve, atëherë ky validitet do të skadonte më datë 24. 11. 2022 dhe se ministria do të duhej që para kësaj date të kërkonte vazhdimin e validitetit. Por, prokurimi i MMPHI nuk e ka respektuar as këtë afat, dhe më datë 9 dhjetor 2022, pasi që kanë kaluar 106 ditë kanë dërguar një kërkese për vazhdim të validitetit të ofertave.

Pra, në ankesën e tyre kompanitë e kanë theksuar këtë fakt, të cilin fillimisht eksperti i OSHP-së nuk e ka trajtuar fare e mandej as paneli.
Në të kaluarën, Organi Shqyrtues i Prokurimit, në raste të tilla ia kishte anuluar krejt procesin e prokurimit Autoriteteve kontraktuese.
Qasje dhe mendim tjetër, lidhur me afatin e vlerësimit të tenderëve, mos vazhdimin e validitetit dhe sigurimit te ofertave, eksperti Visar Basha ka në një tjetër aktivitet të prokurimit.
Ai në raportorin nr . 216/20 , 218/20 ku për rrethana të njëjta, ka kërkuar me ngulm që të anulohet aktiviteti i prokurimit për shkak të këtyre shkeljeve, pasi që nuk ka validitet të ofertave, nuk është respektuar afati për vlerësim të ofertave, nuk ka sigurim tenderi.
Po ashtu, i njëjti i kishte propozuar panelit shqyrtues edhe te merren masa ndaj zyrtareve përgjegjës të Autoritetit kontraktues.
Kurse në ekspertizën për mirëmbajtën e rrugëve rajonale dhe regjionale, lidhur me pretendimet për marrjen e masave ndaj zyrtarëve të prokurimit thotë ”se janë jashtë kompetencave të ekspertit shqyrtues, dhe eventualisht paneli shqyrtues mund t’i shqyrtojë”.
OSHP-ja i jep të drejtë njërit grup të ministrisë
Pra, siç u përmend më lartë, OSHP-ja ka vendosur që të kthejë në rivlerësim vetëm tri oferta që kanë të bëjnë me Lot 6 (Peja 1), Lot 1- (Prishtina 1), Lot 12 ( Gjilani 2, Lot 3 (Prishtina 3), duke konsideruar kështu se ministria e ka shkelur Ligjin kur ka vendosur për këto oferta.
Fillimisht, një komision i përzgjedhur nga shefi i prokurimit të ministrisë, Nexhat Krasniqi në këto lot kishte përzgjedhur kompanitë :
Peja – 1. “Alko Impex -General Construction”, shpk, “Ex -Fix” shpk. Vlera për një vit 659, 230. 60 euro.
Prishtina -3 “Kosova Asfalt” shpk, “AAB Construction” shpk, N.N.P “Ndertimi”, “Urban O.P”, “Adnan Bislimi BI”, “Premium-ks” shpk. Vlera për një vit 484, 574.20 euro.
Gjilani -2. “Via Egnatia”, “Humolli -S -Petrol”, shpk, “VJV Group”. Vlera për një vit 652, 324.77 euro.
Periskopi ka raportuar se tek Prishtina 3, kompania “Kosova Asfalt” është në pronësi të familjarëve të dostit të zv. Minsitrit Hysen Dumrishi, ndërsa tek Peja 1, pronari është babi i shokut të Nexhat Krasniqi, dhe “Ex -Fix” është financues i deklaruar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Pasi kishin dalë emrat e kompanive fituese, rrjedhimisht edhe të këtyre më lartë, ministria ishte ‘bombarduar’ me ankesa. Gjatë asaj kohe, Krasniqi ishte lëvizur nga detyra e shefit të prokurimit në një pozitë tjerët dhe atë pozitë e kishte zënë, Ndriçim Mustafa.
Për të shoshitur ankesat e kompanive, Mustafa kishte emëruar një komision, i cili kishte vendosur që të kthejë në rivlerësim tri ofertat e lartpërmendura dhe kishte konstatuar se komisioni i mëhershëm kishte bërë shkelje.
Ministria nuk ka treguar se cilat kanë qenë shkeljet që i ka bërë, konkretisht kushtet të cilat nuk i kanë plotësuar kompanitë kur janë rekomanduar për kontratë, por vetëm ka thënë se janë bërë lëshime.
“MMPHI si autoritet kontraktues pas pranimit të kërkesës ka shqyrtuar vlefshmërinë e të gjitha pretendimeve të palës ankuese. MMPHI, gjatë shqyrtimit të pretendimeve ankimorë Operatorëve ekonomik, vërenë se gjatë vlerësimit janë bërë disa lëshime tek grupi i OE: të rekomanduar për kontratë: tek Prishtina 1, Prishtina 2 dhe Prishtina 3. Andaj duke u bazuar në pretendimet ankimore, dhe duke i vërejtur ato gjatë shqyrtimit, MMPHI vendosë që lot 1,2,3 dhe Regjioni Prishtina 1, 2, 3 Lënda të kthehet në Rivlerësim”, thuhet në ankesën që i është aprovuar grupit të kompanive ankimore.
Me këtë vendim nuk janë pajtuar kompanitë që ishin rekomanduar herën e parë dhe janë ankuar te ministria, e cila ua ka hedhur poshtë ankesat. Më pas të njëjtat janë ankuar në OSHP. Ky institucion e ka mbajtur disa javë këtë tender, dhe po për këto tri pjesë ua ka miratuar ankesat kompanive ankuese, ku e ka obliguar ministrinë që konfom ankesës së tyre, të bëjë edhe rivlerësimin, çka do të thotë se të njëjtat pritet të konfirmohen përsëri, ndërkohë që tash prap në krye të prokurimit është zotëri Krasniqi.
Nëse do të aplikohej masa ndëshkuese ndaj ndokujt për favorizimapo shkelje të Ligjit, kjo situatë flet shumë, sepse duhet të kërkohet përgjegjësi pse një komision brenda të njëjtit institucion po vendos ndryshe e një tjetër ndryshe, të paktën në këto tri lot.
Ekzistojnë dyshimet për shkelje në këtë tender që nga inicimi i tij, kur janë vendosur kriteret, ngasë siç ka mësuar Periskopi, ministria e ka hartuar paramasën pa dalë fare në terën. Pra ka vendosur pozicione që duhet të punohen dhe mirëmbahen në rrugë pa e bërë asnjë llogari të tyre. Krejt pozicionet janë vendosur nga zyra. /Mentor Buzhala -PERISKOPI/












