Ministria e Liburn Aliut procedon kundërligjshëm edhe në tenderin 32 milionësh për ndërtimin e rrugës Kijevë -Dollc

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, para pak javësh ka hapur tenderin e dytë më të madh që prej kohës kur në krye të këtij institucioni është emëruar ministri Liburn Aliu. Në një vlerë prej 32 milionë euro, është planifikuar të nënshkruhen katër kontrata për tenderin ‘Zgjerimit të rrugës nacionale Kijevë- Dollc’. Periskopi i […]
Faktorët kontribuues themelor që lehtësojnë tendencat dhe praktikat e korruptuara në prokurimet publike mund të ndodhin gjatë fazave të ndryshme të procesit të prokurimit, nga inicimi i aktivitetit, vlerësimi ofertave e deri tek menaxhimi i kontratës.
Tenderi me ‘çmimin më të ulët’ dhe tenderi me ‘çmimin ekonomikisht më të favorshëm’ janë dy koncepte të ndryshme në prokurimin publik.
Tenderi ‘ekonomikisht më i favorshëm’- kriter që rrallë e hiç aplikohet në Kosovë, është përcaktuar si kriteri i dhënies së kontratës 32 milionëshe, në të cilën Ministria Infrastrukturës në përzgjedhjen e operatorit ekonomik pretendon për një qasje kosto-efikasitetit në vend se vetëm të çmimit për shpërblim të një kontrate.
Pra, për këtë aktivitet të prokurimit, ministria ka vendosur që të procedojë ‘Tenderi Ekonomikisht Më i Favorshëm’ (TEMF). Por, kriteret që i ka vendosur në dosje të tenderit për vlerësim, janë të kundërligjshme.
Referuar ‘Dosjes së tenderit’, asaj të korrigjuar më datë 13 prill 2023, shkelja konsiston në piken 1) 30.1 Kriteret e Dhënies Seksioni II. Fleta e të Dhënave të Tenderit (FTD), dhe 2) pika 26 Hapja e Tenderëve PJESA A: PROCEDURAT E TENDERIMIT
Pra, referuar ‘dosjes së tenderit’ pika 26 flet për hapja e tenderëve shkruan se:
“26.5 Të gjithë tenderët do të hapen në një kohë, duke lexuar me zë: emrin dhe adresën e tenderuesit dhe Çmimin total të tenderit të specifikuar në formularin e dorëzimit të Tenderit dhe, kurdo qe është e mundur, çmimet për njësi. Kur për arsye te jo atypëratyshme çmimet për njësi nuk mund të lexon, çmimet e tilla në çdo rast duhet te bëhen të dukshme gjatë hapjes publike për të gjithë përfaqësuesit e ofertuesve, si për shembull duke bere postimin e tyre ose duke përdorur ndonjë tjetër metode adekuate e cila garanton transparencë . Në çdo rast, secila faqe e çdo tenderi financiar do të nënshkruhet gjatë hapjes publike nga një përfaqësues i një ofertuesi tjetër. Ne rast te aktivitetit te prokurimit ku kriter i shpërblimit te kontratës është tenderi ekonomikisht me i favorshëm çdo gjë qe ka te beje me numra duhet te lexohet si afati i dërgesës, periudha e garancionit etj. E gjithë kjo duhet të regjistrohen në procesverbalin e hapjes së tenderëve, i cili duhet të nënshkruhet nga Zyrtari i Prokurimit dhe nga të gjithë pjesëmarrësit në procesin e hapjes së tenderit. Kopjet e procesverbalit në fjalë, duhet tu dërgohen menjëherë të gjithë tenderuesve”.
Sipas kësaj pike, d.m.th çdo gjë me numra duhet të lexohet. Por çështja është se si do të lexohen numrat e pajisjeve, stafit, referencave të cilat i ka përcaktuar ministria. Kjo s’ka mundësi të behët.
MMPHI bën manipulim edhe me vendosjen kritereve të dhënies së kontratës
Tek TEMF përcaktimi i ofertës fituese për një procedurë prokurimi bëhet në dy faza. Gjatë fazës së përzgjedhjes, autoriteti kontraktues vlerëson aftësinë e operatorëve ekonomik për të përmbushur kërkesat e kontratës. Në fazën e shpërblimit, ai shqyrton ofertat në mënyrë që të zgjedhë atë më të mirën, domethënë çmimin më të mirë ose tenderin ekonomikisht më të favorshëm. Praktika aktuale ndan dy fazat ne kriteret e përzgjedhjes dhe kriteret e dhënies. Kriteret e përzgjedhjes kanë të bëjnë me kontraktuesin dhe përfshijnë aspekte të tilla si gjendja ekonomike dhe financiare, si dhe njohuritë profesionale dhe teknike.
Kriteret e tilla si përvoja e tenderuesve, fuqia punëtore dhe pajisjet ose aftësia e tyre për të kryer kontratën në afatin e parashikuar konsiderohen si kritere të përzgjedhjes dhe jo kritere të dhënies.
Siç ka gjetur Periskopi, po ashtu shkelja konsiston edhe në piken 1) 30.1 Kriteret e Dhënies Seksioni II. Fleta e të Dhënave të Tenderit (FTD).
Kjo për faktin se MMPHI, kriteret që i ka vendosur në vlerësim për dhënie të kontratës, janë kritere që kanë të bëjnë me një tjetër proces të përzgjedhjes.
Periskopi ka gjetur se dy nga katër kriteret për vlerësim të dhënies së kontratës, kanë të bëjnë më kritere të përzgjedhjes dhe si të tilla, nuk është dashur të vendosen për vlerësim, pasi Ministria ka vendosur direket vlerësim për dhënie të kontratës.
Cilat kritere vlerësuese janë në kundërshtim më ligjin?
Kërkesa: “çmimi” ka qenë në përputhje më ligjin.
Kërkesa “Përvoja për punët e ngjashme” përcaktohet ne nenin 69 te Ligjit për Prokurim Publik, është kriter kualifikimi dhe jo kriter për dhënie kontrate.
“Pajisjet dhe mekanizmi” – përcaktohet në nenin 69 te LPP është kriter për kualifikimi.
Kërkesa për “Plani Dinamik” ka qenë në rregull.
Kriteret e përzgjedhjes – zbatohen për të përcaktuar se cilët operatorë ekonomikë (ofertuesit ose kandidatët) janë të kualifikuar dhe potencialisht në gjendje për të përmbushur kontratën. Ato i përgjigjen pyetjes: “Kush mund të kryej punën?”.
Kriteret e dhënies – zbatohen për të përcaktuar se cili tender i cili plotëson specifikimet e përcaktuara dhe kërkesat (nga ata që janë të kualifikuar dhe potencialisht në gjendje për të kryer kontratën) ofron zgjidhjen më të mirë.
Pra, siç e kemi cekur edhe më lartë, dallimi në mes të ‘kritereve te përzgjedhjes‘ dhe ‘kritereve te shpërblimit’ është mjaft i rëndësishëm.
Kriteret e përzgjedhjes përqendrohen në “ofertuesit” dhe kriteret e dhënies përqendrohen në “ofertën”. Një dallim i qartë në mes të dy kritereve duhet te ruhet në të gjithë procesin e prokurimit.
Bazuar në praktikat e KRPP-së, kur dhënia bëhet duke përdorur sistemin më të favorshëm të vlerësimit të ofertave, autoriteti kontraktues duhet të përdorë kritere të ndryshme që lidhen me objektin e kontratës publike në fjalë, për shembull:
cilësia çmimi,
merita teknike,
karakteristikat estetike dhe funksionale,
karakteristikat mjedisore, konsiderata sociale shpenzimet e funksionimit, efektivitetit te kostos,
shërbimi pas shitjes dhe asistenca teknike,
data e dërgesës dhe periudha e dorëzimit ose periudha e përfundimit
Ajo që është shumë shqetësuese është se institucioni përgjegjës që mbikëqyrë zbatimin e LPP-së, Komisioni Rregulltiv i Prokurimit Publik -KRPP, nuk ka ndërhyrë në këtë rast.
Është e pashmangshme që ky institucion të mos ketë vërejtur këtë shkelje nga ana e Ministrisë, pasi tenderi peshon mbi 32 milionë euro, dhe KRPP e ka obligim ligjorë që në rast e vendosjes së kritereve diskriminuese të ndërhyjë tek Autoriteti Kontraktues.
Periskopi ka raportuar edhe para disa ditëve, një rast të ngjashëm që ka të bëjë më ndërtimin e rrugës Prishtinë – Podujevë. KRPP ende nuk ka vendosur që të sanksionojë ministrinë për këtë shkelje/ M.B -Periskopi/
Lexo edhe:












