Ministria e Pecit shpërbleu kundërligjshëm kompaninë e afaristit që kryeministri Kurti e priti në takim

Në gjysmën e vitit 2021, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural -MBPZHR, e cila udhëhiqet nga Faton Peci, nëpërmjet një tenderi të hapur ftoi kompanitë që të garojnë për projektin “Zhvillimi i sistemit për menaxhimin e grateve dhe subvencioneve”. Që nga korriku i vitit të kaluar e deri më tani, ministria nuk ka qenë […]
Që nga korriku i vitit të kaluar e deri më tani, ministria nuk ka qenë në gjendje që ta finalizojë kontratën e cila meton të ketë një transparencë më të madh në menaxhimin e granteve dhe subvencioneve që realizohen nga ministria. Kjo për arsye se janë bërë dallavere gjatë procesit për përzgjedhjen e fituesit, në tentim për t’u përzgjedhur një kompani, menaxheri i të cilës është i afërt me partin në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 937,998.00 euro. Prokurimi i MPBZHR-së, rekomandoi për kontratë kompanitë në konzorcium: “inkublINFO” & “Asseco See”. Faktet tregojnë se këto kompani u rekomanduan për kontratë në kundërshtim me vetë kërkesat që kishte vendosur prokurimi i ministrisë në dosjen e tenderit. Me arsyetimin se nuk i kanë përmbushur kërkesat, nga gara u eliminuan edhe kompanitë që kishin çmim më të ulët. Por, dyshimet janë se njëra nga kompanitë që kishte çmim mbi 100 mijë euro më të ulët ka qenë e përgjegjshme.
Si u zhvillua procesi
Në këtë tender kanë marrë pjesë 12 kompani, disa si të vetme e disa në konzorcium: “Kosova Information Techology” & “Abaco SpA”, me çmim prej 826000.00 euro.
“DataProgNet” SHPK, me çmim 259600.00 euro.
“Spin Agency” me çmim prej 593593.01 euro.
“Consortium Synergy International Systems”, më çmim prej 849600.00 euro.
“E-Tech” & “Lirex BG”, më çmim prej 729240.00 euro.
“Infosoft Sysetems” SHPk & “Intelligent Network Solution”, më çmim 636669.00 euro.
“Cacttus” Sh.a, me çmim prej 478382.62 euro.
“Helius Sistem” Shpk, me çmim prej 720000.00.
“inkublINFO” & “Asseco See”, më çmim prej 592300.00 euro.
“Prodif” Shpk & “Infinit Enginering” & “Ilir -Kosova”, me çmim prej 28550.01 euro.
“Tech Vision” & “Edusoft” me çmim prej 395520.00 euro.
“PBC” SHPK me çmim prej 349389.00 euro.
Më 11 janar 2022, fitues u nxorën grupi i kompanive “inkublINFO” & “Asseco See”. Kompanitë që patën çmim më të lirë, sipas prokurimit të ministrisë ishin të pa përgjegjshme.

Me vendimin e ministrisë nuk u pajtuan disa prej kompanive dhe menjëherë kanë bërë ankesë, duke pretenduar se ishin eliminuar pa të drejtë, por edhe se kompanitë fituese nuk i përmbushnin kërkesat. Të gjitha ankesat u hodhën poshtë nga ministria dhe u la në fuqi vendimi i tyre për fituesit.
Më pas vetëm dy kompani: “PBC Sh.p.k” dhe “Cacttus Sh.a” kanë bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit -OSHP.
Ankesa e “PBC” u hodh poshtë menjëherë ngase u konsiderua se është bërë jashtë aftit ligjor.
Në fillim të muajit shkurt, OSHP-ja, ka autorizuar ekspertin e vetë, Kreshnik Spahiu që të shoshitë provat e pretendimeve të kompanisë “Cacttus”.
Në fund të muajit shkurt, eksperti i OSHP-së ka dorëzuar raportin që të trajtohet më pas edhe nga anëtarët e OSHP-së, por ky institucion nuk ka Bord, i cili merr vendime, që nga viti i kaluar dhe rrjedhimisht ekspertiza do të mbetet vetëm mbi tavolinë.
Eksperti gjeti shkelje
Në raportin e ekspertit shqyrtues të OSHP-së që e ka parë Periskopi, shihet se janë vërtetuar të gjitha pretendimet e kompanisë ankuese. Eksperti ka gjetur se kompania është eliminuar nga gara në kundërshtim me ligjin dhe se fituesi nuk i ka përmbushur një sërë kërkesash.
Si përfundim, Eksperti Shqyrtues sqaron se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të Ligjit të Prokurimit Publik. Ashtu sikurse është prezantuar në trajtimin e pretendimeve ankimore, veprimet e ministrisë, në disa raste, sipas ekspertit, nuk janë bazuar në kriteret e përcaktuara në njoftimin për kontratë apo dosjen e tenderit.
“Për me shumë, Autoriteti kontraktues ka kërkuar sqarime shtesë gjatë vlerësimit nga kompanitë e rekomanduar për kontratë, e në anën tjetër nuk e ka bërë të njëjtën gjë për dy kompanitë ankues, veprime këto në kundërshtim me parimet e trajtimit të barabartë dhe transparencës, të përcaktuara me Nenin 72 të LPP-së. Sipas dëshmive në e-prokurim, ministria kërkesat për sqarimin e tenderit dërguar OE të rekomanduar për kontratë nuk i ka bërë përmes sistemit të prokurimit elektronik dhe as përgjigjet e OE nuk janë dorëzuar tek AK me anë të sistemit elektronik, ashtu sikurse kërkohet në nenin 39.8 të RrUOPP”, thuhet në fund të vendimit të ekspertit shqyrtues.
Andaj, Eksperti Shqyrtues i rekomandon Panelit Shqyrtues që anulojë vendimin e ministrisë dhe të obligojë atë që të bëjë rivlerësimin e tenderëve të pranuar konform dispozitave të LPP-së dhe RrUPP-së.

Krejt çka ka ndërmarr deri më tani ministria është se tenderi është pezulluar për një kohë ta pa caktuar.
Kryeministri e priti para disa ditëve menaxherin e kompanisë
Kompania “ikubINFO” është një ndërmarrje nga Shqipëria që fiton tender kohë pas kohe atje, dhe sipas ueb-faqes së Agjencisë së Regjistrimit të Benzenëve -ARBK, e ka degën saj në Kosovë, ku përfaqësues të autorizuar e ka Violeta Haxhillazi.
Kompania tjetër fituese në konzercium “ASSECO SEE” SH.P.K. është themeluar në vitin 2003. Në këtë kompani Ardian Shehu është drejtor menaxhues bashkë më tre persona tjerë. Pronar i kompanisë rezulton të jetë “Asseco south eastern europe spolka akcyjna” -dega në Kosovë. Këtu, Shehu është kryetar i Bordit drejtues.

Më 16 mars 2022, zyra e kryeministrit Kurti lëshoi komunikatë për media se: “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim z. Arianit Shehu, ligjërues dhe ekspert me përvojë të gjatë ndërkombëtare …”.
Afaristi që u prezantua si njeri i mërgatës nga kryeministrit është ithtar i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ai këtë nuk e ka fshehur as vetë. Kohë pas kohë bënë nga pak propagandë për LVV-në edhe në rrjetin social facebook. /Periskopi/














