Ministrja Arbërie Nagavci që shkeli Kushtetutën, tash po rrezikon edhe fillimin e vitit të ri shkollor

“Ai që e shkel Kushtetutën është super kriminel”, thoshte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sa ishte në opozitë, derisa brenda dy vjetësh qeverisje dy ministre të kabinetit të tij e kanë bërë një gjë të tillë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka konfirmuar se dy ministre të Qeverisë Kurti e kanë shkelur Kushtetutën. Arbërie Ngavaci […]
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka konfirmuar se dy ministre të Qeverisë Kurti e kanë shkelur Kushtetutën.
Arbërie Ngavaci e Arsimit e Albulena Haxhiu e Drejtësisë, u konfirmuan si shkelëse të aktit më të lartë juridik të vendit.
Muaj më parë, më datën 25 mars kjo gjykatë e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kushtetuesja vendosi se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Popullit, barazinë para ligjit, e nenin për KPK-në.
Kurse, në prill të vitit 2022, Kushtetuesja kishte konstatuar se Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cenuar përgjegjësitë e pushtetit komunal në reformën që e kishte nisur ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastratit.
Por, Nagavci për momentin është në thumb të kritikave. Pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit paralajmëroi se tekstet shkollore duhen të blihen nga prindërit e nxënësve, e që të njëjtit do të rimbursohen pastaj.
Ajo ka thënë se institucioni që drejton, ka dështuar të arrijë marrëveshje me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra, për faktin se, sipas saj, shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.
“Sivjet jemi duke e shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të MASHTI’t të bëhet në llogaritë e prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shumë shpejt brenda dy tri ditëve do të vendoset për këtë rrugë që po e shqyrtojmë. Paralelisht kemi përgatitur edhe platformën për aplikim në platformën e-Kosova me të gjitha detajet tjera dhe kemi shqyrtuar të gjitha mundësitë që në njërën anë të kemi tekste cilësore për fëmijët dhe kujdes për buxhetin e shtetit”, tha ajo.
Ky paralajmërim i Nagavcit nxiti edhe thirrjet për dorëheqje, teksa u shtua frika për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Kërkesat për dorëheqje
Drejtorët e Arsimit nga radhët e PDK-së në nivel komunal, dje mbajtën një konferencë për media në të cilën kanë shprehur pakënaqësinë e madhe me propozimin e fundit të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci në lidhje me furnizimet me tekstet shkollore për nxënës.
Besianë Musmurati, Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – “të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla, apo nëse ato do të jenë të mjaftueshme për të blerë librat”.
Duke e shprehur kërkesën, në LDK argumentuan se blerja e teksteve shkollore nga prindërit ka kosto 20 për qind më të lartë sesa nëpërmjet procedurave të prokurimit.
“Çmimi i librave do të jetë minimalisht 20 për qind më i shtrenjtë. Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të ministres Nagavci për shkak të keqmenaxhimit, shkeljeve sistematike të ligjeve në fuqi dhe anarkisë së krijuar në sistemin e arsimit. Kosova nuk meriton një ministre që ka dështuar të menaxhojë çdo nivel të arsimit”, tha Jehona Lushaku e LDK-së.
E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se propozimi i Ministrisë është për të nxitur grevat në arsim.
“Vendim është për të provokuar greva, të dëmtojë arsimin publik dhe të krijojë edhe një krizë dhe të dëmtojë financiarisht qytetarin. Kjo situatë mund të përfundojë dhe të ndalet vetëm me shkarkimin e kësaj qeverie”, tha Tahiri.
Ndaj këtij paralajmërimi nuk mbeti pa reaguar edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili tha se ky vendim është qesharak dhe se ministrja Nagavci është treguar “e papjekur dhe cinike”.
Reagimi i shtëpive botuese
Pas këtyre deklaratave ka reaguar shtëpia botuese “Dukagjini”, duke thënë se kanë ofertuar me çmim më të lirë për 4 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
“Shtëpia jonë botuese, për hir të transparencës, dëshiron ta njoftojë opinionin publik se në ofertimin që kemi bërë në Ministri, pavarësisht inflacionit dhe rritjes globale të çmimeve, ne kemi ofertuar me çmim më të lirë për rreth 4% krahasuar me vitin 2022. Megjithëkëtë, shtëpia botuese “Dukagjini” do ta bëjë maksimumin që t`i përmbushë obligimet që dalin nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në reagim.
Ndërkaq, shtëpia botuese “Luarasi” ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci gënjeu për çmimet e librave dhe se lista e teksteve të përzgjedhura nga shkollat është publike. Ata thanë se do ta padisin atë për shpifje.
“Dështimi i plotë në procesin e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore ka vetëm një emër dhe ai është ministrja Nagavci me kabinetin e saj. Për ta mbuluar këtë dështim shpalli një ide që procesin e degradon në anarki dhe u shërbye me gënjeshtra. Dy gënjeshtrat që më së lehti janë të provueshme janë: gënjeshtra për çmimet e Shtëpisë Botuese “Luarasi” dhe gënjeshtra se lista e teksteve të përzgjedhura nga shkollat është publike”, thuhet në reagimin e shtëpisë botuese.
Teksa kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor, nxënësit kosovarë e kanë ende të paqartë nëse do të ulen në bankat












