Mjekët të zgjedhin: në publik ose në privat – Premtimi i Albin Kurtit bëhet vetëm nëse ndërrohet Kushtetuta

Mjekët të zgjedhin: në publik ose në privat – Premtimi i Albin Kurtit bëhet vetëm nëse ndërrohet Kushtetuta

Albin Kurti ka paralajmëruar se në qeverisjen e tij, mjekët do të duhet të zgjedhin nëse duan të punojnë në institucione publike apo në ato private. Mirëpo, një premtim i tillë, duket paksa problematik, pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2013, kishte përcaktuar se ‘mjekët kanë të drejtë të punojnë në publik dhe në privat’.

Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për New Bugajski Hour, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së tij, mjekët duhet të zgjedhin nëse duan të punojnë në sektorin privat apo publik.

“Mjekët duhet të zgjedhin a duan të punojnë në sektorin privat apo publik, sepse nuk është e drejtë që të përdorin spitalet publike për të rekrutuar pacientë për trajtime mbas orarit të punës në ambulanca private që këta doktorë kanë krijuar”, u shpreh Kurti pasi është pyetur lidhur me planin e tij për shëndetësinë.

Mirëpo, ky premtim i Kurtit, po del të jetë problematik, pasi që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, flet ndryshe.

Në vitin 2013, një grup deputetësh kishin dërguar në Kushtetuese nenin 41 të Ligjit për Shëndetësi, që u kërkonte mjekëve të përcaktoheshin nëse duan të punojnë në publik apo në privat.

Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar këtyre neneve, kishte marrë vendim se këto nene janë në mospërputhje me nenin 49 të Kushtetuës që flet për të ‘Drejtën e Punës dhe Ushtrimin e Profesionit’.

(Foto: neni 49 i Kushtetuës)

Në këtë mënyrë, ky vendim u jep të drejtë mjekëve të punojnë në sektorin publik dhe privat.

I kontaktuar nga Periskopi, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, duke komentuar këtë deklaratë të Kurtit ka thënë se ‘nuk është kundër një definimi të tillë, por se Gjykata Kushtetuese ka folur ndryshe’.

“Ne nuk jemi dhe nuk kemi qenë kundër një definimi të tillë. Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim ku janë hedhur poshtë nenet e draft – ligjit për shëndetësinë përmes të cilës u ndalohej ushtrimi i profesionit të mjekut në të dy sektorët dhe këtë duke u bazuar në nenin 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe si i tillë është i obliguar të respektohet nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës. Prandaj për ta ndryshuar këtë Akgjykim, duhet ndryshuar praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Sejdiu në bisedë për Periskopin.

Sejdiu poashtu ka thënë se ‘do të ishte mirë që nëse ka mundësi të bëhet një ndryshim i tillë në sektorin e shëndetësisë, kjo të vlejë edhe për të gjithë sektorët tjerë’.

“Të evitohet ajo duhet të krijohet një sistem i monitorimit që është në çdo shtet, nuk monitorohet pacienti, nëse ndërrohet Kushtetuta pse jo, por ajo duhet të reflektoj në të gjitha profesionet jo vetëm të mjeku por edhe të ekonomisti i qeverisë që punon edhe në privat, por edhe të profesori që punon në punë të shtetit edhe në privat, te mjeku te mësuesi, nëse kjo vendoset le të vendoset në të gjitha profesionet, kjo nuk ka kurrgjë të keqe”, ka thënë ai, për Periskopin.

Kujtojmë se edhe ministri Uran Ismaili, në shtator të këtij viti, kishte komentuar këtë deklaratë të kandidatit për kryeministër nga VV, Albin Kurti. Ismaili pati deklaruar atëkohë poashtu ‘se po të ishte në dorën e një ministri, ai që moti do ta merrte një vendim të tillë’.

Në një bisedë për abrërsh.info, Ismaili pati deklaruar se vendim për këtë çështje ka marrë Gjykata Kushtetuese dhe se nuk varet nga një ministër ose kryeministër.

“Jep propozime që janë anti-kushtetuese sepse dihet që vendimin për atë çështje e ka marrë Gjykata Kushtetuese dhe nuk varet nga një politikan. Pra, prapë tregon paaftësinë e tij dhe tregon mungesën e informatave që ka për sektorin e shëndetësisë. E para duhet me ndërru Kushtetutën e Kosovës. Pra, ka vendim të Gjykatës për atë në të kundërtën do ta kisha bërë shumë moti. Po ai po flet për një çështje e cila nuk është fare në mundësi të një ministri e asnjë ministri pra kjo tregon edhe një herë sa pak e njeh sistemin shëndetësor”, pati deklaruar Ismaili./Periskopi/

 

 

Shpërndaje në: