Monopoli me tiketat e automjeteve: Qytetarëve të Kosovës do t’iu kushtojë deri në 11 milionë euro (Kontrata)

Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi ka nënshkruar një kontratë pesë vjeçare me një kompani të vogël që do të ofrojë tiketa ngjitëse për automjete, dhe e cila kompani ka vetëm tre punëtorë, vetëm një mijë euro kapital dhe për më tepër nuk paguan TVSh. Qeveria e Kosovës i është […]
Qeveria e Kosovës i është rrekur rrugës së evidentimit të veturave të paregjistruara në Kosovë përkundër gjendjes së tmerrshme me varfërinë e cila është rënduar edhe më shumë shkaku i pandemisë.
Shumë qytetarë nuk kanë pasur mjaftueshëm para që të regjistrojnë veturat e tyre, por kjo do të ndryshojë meqë evidentimi i veturave do të bëhet menjëherë me anë të “tiketave ngjitëse”.
Periskopi ka kërkuar qasje në kontratën e Ministrisë së Infrastrukturës nënshkruar me kompaninë “Auto Control Kosova” dhe ku tregohet se qëllimi zyrtar i këtij shërbimi është “konfirmimi i kontrollimit teknik të automjeteve”.
Për më tepër, kjo kontratë do të zgjas për periudhën 5 vjeçare, duke nisur nga 1 shtatori i këtij viti dhe duke mbaruar më 31 gusht të vitit 2026.
Cila është kjo kompani?
Kompania e cila do të merret me ofrimin e tiketave ngjitëse quhet “Auto Control Kosova” dhe është hapur vetëm para tri vitesh [25 qershor 2018] sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve [ARBK].
Ajo çka shqetëson është se kapitali i kësaj kompanie është vetëm 1 mijë euro.
Qarkullimi vjetor i kësaj kompanie ka qenë aq i vogël [më pak se 30 mijë në vit] sa që është liruar nga pagesa e Taksës mbi Vlerën e Shtuar [TVSh].
Pronarët e ACK-së janë shtatë gjithsej. Sead Troshupa ka 120 euro, Rrustem Pukaj i ka 400, Driton Qehaja 50, Egzon Pukaj 120, Hysni Pukaj 110, Ardit Berisha 80 dhe Tefik Gashi 120.
Por, milionat po vijnë
Megjithëse kapitali i tyre është fare i vogël, kjo pritet të ndryshojë nga kjo kontratë.
4 euro e 90 cent shtesë do të paguajë secili qytetar prej 1 shtatorit nëse dëshiron që të regjistrojë veturën e tij. Nëse nuk dëshiron, natyrisht, do të ndalet menjëherë nga Policia e Kosovës që do ta shoh me sy të lirë se nuk ka tiketë ngjitëse.



Bazuar në numrin e veturave të regjistruara në Kosovë për vitin 2020, e që ishte 370 mijë, kjo kompani do t’i fitojë 1 milion e 813 mijë euro vetëm për një vit. Shumëzuar për pesë vite sa do të zgjas kontrata, shifra që do të përfitojë kjo kompani bëhet 9 milionë e 65 mijë.
Por, duke qenë se numri i veturave të paregjistruara është rreth 200 mijë, kjo nënkupton se shifrat për kompaninë Auto Control Kosova pritet të jenë në fakt edhe më të larta.
Nëse vetëm gjysma e veturave të paregjistruara do të detyrohen që të regjistrohen për shkak të pamundësisë reale që të udhëtojnë në rrugët e Kosovës kjo nënkupton se për çdo vit do të regjistrohen 470 mijë vetura.
Nga 470 mijë vetura, vetëm prej tiketave ngjitëse, kjo kompani për pesë vjet do t’i marrë 11 milionë e 515 mijë euro.
Me pak fjalë, kjo kompani do t’i mëshojë shkelm fukarallëkut të saj, por duke e rënduar edhe më shumë varfërinë e qytetarëve edhe ashtu të rënduar shkaku i pandemisë.
Marrëveshja është nënshkruar nga Hysen Durmishi, zv. Ministri i Infrastrukturës. B.H/Periskopi












