“Ndarja e pasurisë së përbashkët: Gjyqësori që shpërfill ligjin”.

Xhorxhina Bami Lajme

Më 9 Gusht 2018, në DokuFest u shfaq dokumentari i prodhuar nga UNMIK, “Jo Pronë e Jotja”, i cili më pas pushtoi mbarë Kosovën. Ky dokumentar, me pjesëmarrjen e grave nga komunitete të ndryshme etnike në Kosovë, tregoi marrëdhënien ndërmjet dhunës në familje dhe të drejtës së pronësisë. Këto gra treguan haptazi dhunën që kishin hasur në jetën e tyre bashkëshortore, por gjithashtu dhunën ekonomike dhe institucionale gjatë procesit të divorcit. Dokumentari zbardhi dritë mbi problemet shoqërore të Kosovës që lindin nga keqinterpretimi dhe mos-zbatimi i ligjit për ndarjen e pasurisë pas divorcit. 

Republika e Kosovës është e pasur me ligje që e konsiderojnë barazinë gjinore prioritet, përfshirë këtu edhe ligjet për të drejtën e pronës. Duke filluar që nga Neni 46 i Kushtetutës: “Askush nuk do të privohet në mënyrë arbitrare nga prona” dhe Neni 49 i Ligjit të Familjes, ku përmendet që “[P]asurinë e përbashkët bashkëshortore gjatë martesës bashkëshortët e administrojnë dhe e disponojnë bashkërisht dhe me marrëveshje”. Gjithashtu Neni 47 i po këtij ligji përkufizon pasurinë e përbashkët, si të gjitha format e të ardhurave që fitohen pas kurorëzimit. Në rastet kur çifti nuk ka kontratë martesore, parashikohet ndarja e barabartë e pasurisë. Shpesh kur flitet për ekzistencën e këtij ligji, ndarja 50/50 e pasurisë bashkëshortore, lindin shqetësime për keqpërdorim të tij nga gratë për të përfituar nga burrat. Kjo nuk është e vërtetë sepse Nenet 54 dhe 55 të Ligjit për Familjen parashtrojnë edhe njohjen e pasurisë së veçantë, pasuria e secilit para ose veçmas martesës. Gjithashtu ekziston mundësia e kontratës martesore në të cilën bashkëshortët vendosin rreth përqindjes së pasurisë që i takon secilit.

Zonja M. Berisha*, është një nga gratë e cila ka pasur njohuri rreth ekzistencës së kontratave martesore për shkak se punonte në institucione të drejtësisë. Në momentin që martesa e saj nuk po funksiononte si duhet ajo dhe partneri i saj vendosën që të bëjnë një kontratë për të rregulluar ndarjen e pasurisë në rast divorci. Një kontratë e tillë noterizohet dhe i paraqitet gjykatës. Rasti i zonjës Berisha është shumë i veçantë sepse shumica e grave në Kosovë nuk janë në dijeni të kësaj praktike, por edhe nëse janë, tradita Kosovare nuk e pranon një rregullim të tillë martese. Raporti i projektit “Gratë: Agjente për të drejtat pronësore” i Shkurtit 2018, arriti në përfundimin që vetëm 53% e grave kanë njohuri rreth të drejtave të pronësisë, ndërkohë që vetëm 43% e tyre e konsiderojnë pronën e blerë gjatë martesës si pronë të përbashkët bashkëshortore. Mungesa e informacionit keqpërdoret nga institucionet e drejtësisë. Këto institucion e nuk informojnë gratë rreth të drejtave të tyre dhe kërkojnë dokumente që vërtetojnë pasurinë,pavarësisht se 50% u takon atyre automatikisht. Në asnjë ligj të Kosovës nuk kërkohet që bashkëshortët të kenë dokumente që vërteton që pasuria e fituar pas martesës u takon atyre.

Zonja L.* është njëra prej zonjave të cilës i janë shkelur të drejtat nga sistemi i drejtësisë në Kosovë. Ajo tregon që është ndarë para 14 vitesh në një proces gjyqësor divorci që ka zgjatur 2 vite, gjatë të cilave avokatët dhe gjyqtarët nuk e kanë njohur me të drejtat e saj sipas ligjit. Zonja shprehet që “[U]në kam qenë si një hije, nuk kam ditur fare për ligjin apo të drejtat që më takojnë. E kam pasur bindjen që kur je në gjykatë gjithçka shkon drejtë dhe nuk ke pse merakosesh sepse janë ata që vendosin drejtësinë për ty. Faktet treguan të kundërtën”.Gjithashtu zonja dhe ish-bashkëshorti i saj janë thirrur vetëm një herë në gjykatë për ndarjen e pasurisë. Kjo procedurë është shkelje e drejtpërdrejtë e Nenit 5 të Kodit Penal të Kosovës që parashikon Gjykim të drejtë, të paanshëm dhe në afat të arsyeshëm dhe e Nenit 16 të këtij Kodi që detyron gjykatën t’i njoftojë palët për të drejtat e tyre.

Gjithashtu, për shkak të kohëzgjatjes së procesit, ish-bashkëshorti i zonjës L. ka pasur mundësi që të manipulojë me dokumente. Ai e ka kaluar shtëpinë, që kanë blerë së bashku pas martese, nën emrin e një të afërmi. Gjithashtu ka falsifikuar një kontratë qeraje në të cilën një person X ka deklaruar që bashkëshortët kanë qëndruar me qera tek një banesë në pronësi të tij. Zonja L. tregon që ka dëshmitarë për pavërtetësinë e kësaj deklarate. Kjo është një shkelje tjetër e Kodit Penal, më saktë Nenet 398/9, që e dënojnë me burg falsifikimin e dokumenteve. Gjykata nuk ka hulumtuar më gjatë rreth vërtetësisë së dokumenteve dhe ka lejuar më shumë se një individ të kryejë vepër penale gjatë një procesi gjyqësor. Për më tepër, Zonjës L. i është kërkuar që të paraqesë në gjykatë dëshmi që vërtetojnë që prona ishte e saj. Pas divorcit gjykata ka vendosur që kontributi i zonjës, nënë e dy djemve, nëmartesën 8-vjeçareka pasur vlerën 0 Cent. Gjykata ka bërë shkelje sepse zonjës i përkiste 50% e pasurisë pavarësisht ekzistencës së dëshmive në emër të saj.

Situata e zonjës L. është shumë e ngjashme me situatën e shumë grave të tjera, përfshirë edhe zonjën Luljeta Aliu e cila ishte pjesë e dokumentarit “Jo Pronë e Jotja” dhe ka formuluar projektligjin për Ligjin e ri të Familjes i cili tashmë ka hyrë në fuqi dhe e njeh edhe punën e papaguar si kontribut që duhet vlerësuar monetarisht pas ndarjes. Pra ka më pak vend për interpretim rreth ndarjes së përbashkët të pasurisë dhe qartësohet fakti që gratë nuk duhet të vërtetojnë që ju përket 50% e kësaj pasurie, por, të dy bashkëshortët, duhet të vërtetojnë vetëm pasuritë e veçanta.

Rasti i zonjës L. apo i zonjës Luljeta Aliu janë raste konkrete që tregojnë që gjatë procesit të divorceve, ekziston një Efekt Domino i shkeljes së ligjeve. Nuk ndodh vetëmmos-zbatimi iparimit 50/50 tëLigjit të Familjes por shkelje e drejtpërdrejtë e Kodit Penal të Kosovës. Ky është një problem shumë i rëndësishëm shoqëror sepse tregon sa pak zbatohet ligji në Kosovë dhe se sa shumë shkelen të drejtat e qytetarëve edhe nga vetë institucionet që supozohen t’i mbrojnë këto të drejta.

* Zonjat e intervistuara kanë zgjedhur të mbeten anonime për shkak të implikimeve që mund të ketë ky artikull në jetën e tyre private. Zonja L. mund të implikohet sepse është figurë publike.

Ky artikull është përgatitur për pjesëmarrje në ndarjen e çmimit rreth temës “Si bëhet ndarja e pasurisë së përbashkët nga Gjykatat e Kosovës” të organizatës INJECT Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, përkrahur përmes Programit Angazhimi për Barazi – E4E, i cili financohet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe zbatohet nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC.

 

Shpërndaje në: