Në Qeverinë Haradinaj më përpara shkarkoheni nëse i mbani këmbët përpjetë sesa nëse akuzoheni për korrupsion

Në Qeverinë Haradinaj më përpara shkarkoheni nëse i mbani këmbët përpjetë sesa nëse akuzoheni për korrupsion

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë vendim që ta lirojë nga detyra zëvendësministrin Shukri Maxhuni. Ky vendim i Haradinajt erdhi pas publikimit të disa fotografive, në të cilat shihej Maxhuni në veturë zyrtare, me këmbët e vendosura lart në pjesën përpara të veturës. Por, ky vendim i Haradinajt po cilësohet si hipokrizi. Kjo pasi, […]

Shkruan: Artina Muçiqi 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm, përmes një publikimi në shkurtër në rrjetin social “Facebook”, njoftoi se ka marrë vendim për lirimin nga detyra të zëvendësministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhunit.

Ky vendim i kryeministrit Haradinaj erdhi pas publikimit nga mediat të disa fotografive, në të cilat Maxhuni shihej duke qëndruar me këmbë lart në veturë zyrtare.

Kjo sjellje e tij u dënua dhe u cilësua si keqpërdorim i veturës zyrtare.

Vendimi për shkarkimin e zv/ministrit Maxhuni, ndonëse po cilësohet si i duhuri, shpërfaqi edhe një herë standardet e dyfishta të kryeministrit Haradinaj për kabinetin e tij.

Kjo, pasi për të paraqet shqetësim sjellja e një zëvendësministri në veturë zyrtare, por nuk e çan kokën aspak t’i ketë në Kabinet dy ministra nga partia e tij, me aktakuza për keqpërdorime të detyrës zyrtare.

Bëhet fjalë për ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Lekaj, akuzohet për për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas njoftimit që kishte lëshuar Prokuroria, Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij në komunë dyshoheshin se në bashkëkryerje, gjatë muajit mars të vitit 2012, duke kontribuar esencialisht në raport me njëri tjetrin dhe duke shfrytëzuar detyrat apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, që t’i shkaktojnë  dëm Komunës dhe banorëve të saj.

Përveç Lekajt, aktakuzë në fuqi ka edhe për ministrin tjetër nga radhët e partisë së kryeministrit Haradinaj, atë të Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Së bashku me ish-kryeministrin Agim Çeku dhe deputetin e AAK’së, Shkumbin Demalijaj, Berisha akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e njohur si ‘Veteranët’. Ai ishte anëtar i Komisionit për verifikimin e statusit të veteranëve dhe invalidëve të UÇK’së.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës. Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68,153,533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

Për njohësin e zhvillimeve politike në vend, Imer Mushkolajn, këto standarde të dyfishta të kryeministrit Haradinaj janë të qëllimshme.

Në një deklaratë dhënë Periskopit, Mushkolaj thotë se në rastin Maxhuni është dashur të merret ky vendim, por është hipokrizi nga ana e Haradinajt, përderisa në kabinetin e tij ka ministra me aktakuza që vazhdojnë punën pa asnjë problem.

“Nuk e di me çfarë kushti po i mat kryeministri kush ka bërë shkelje më të vogël e më të madhe për me marrë vendime me i shkarku. Sigurisht që për rastin Maxhuni është dashur të merret ky vendim, por është hipokrizi kur në Kabinetin e tij ka ministra me aktakuza që vazhdojnë punën pa problem, ndërkohë që e gjen një zëvendësministër siç ka ndodh edhe me zëvendësministra të tjerë, për të cilët me pompozitet bën të ditur se i ka shkarkuar. Nuk është kulti i njëjtë për të gjithë, e do të duhej të ishte. Së pari të fillojë me njerëzit e nivelit më të lartë, që po i bie ministrat, e më pas të kalojë edhe te zëvendësministrat dhe të tjerët”, ka thënë Mushkolaj për Periskopin.

Tutje, ai thotë se këto veprime, Haraidnaj po i bën me qëllim të krijimit të një përshtypjeje se ai po shkarkon njerëzit që kanë probleme me ligjin.

“Në këtë formë ai po provon me kriju një lloj përshtypje se ai po i shkarkon njerëzit që mund të kenë probleme me ligjin, por në anën tjetër po harron se pikërisht me bashkëpunëtorët e tij, në rastin e Lekajt apo dikujt tjetër, i ka njerëz që kanë aktakuza dhe me këtë logjikë ata do të duhej të shkarkoheshin edhe të mos i mbanin ato pozita. Në këtë mënyrë ai po përpiqet me i mbulu skandalet që e kanë karakterizuar qeverisjen e tij që nga fillimi dhe me kriju një përshtypje në fillim se njerëzit që s’po e respektojnë ligjin, po ndëshkohen. Por, po e them se në kabinet i ka bashkëpunëtorë të ngushtë emra të cilët mund të dyshohen se kanë lidhje me miliona. Dhe në vend se ë bëjë thirrje te organet e drejtësisë që të hetohen e të largohen nga pozita në aspektin moral sepse me ligj ata mund të qëndrojnë në pozita derisa të kryhen hetimet, Haradinaj po i gjen këto viktima më të vogla e që ka shumë. Kur po them shumë, e kam fjalën për 100 zëvendësministra për të cilët mund të marrë vendime, por nuk po godet në kokë që thuhet dhe nuk po merret me emra të rëndësishëm, të cilët i ka në Kabinet”, ka thënë Mushkolaj tutje për Periskopin.

Pas publikimit të fotografive të pahijshme në veturë zyrtare, kishte reaguar edhe vetë zv/ministri Maxhuni.

Ai kishte thënë se e gjithë ngjarje kishte ndodhur për shkak të problemeve shëndetësore.

Zv/ministri thoshte se po kthehej pas një dite të lodhshme nga Fakulteti ku jepte mësim dhe është detyruar të shtrijë këmbët.

Sipas tij fotoja është keqpërdorur.

“S’ka të bëj me ndonjë fodollak a keqpërdorim po për shkaqe shëndetësore se e dinë të gjithë që kam probleme me këmbën. Për shkak të muskujve më është dashtë me shtri këmbët dhe ka qenë një moment 15 minuta… dhe në atë moment e ka kap dikush”, kishte deklaruar ai.

I pari që kishte kërkuar shkarkimin e Maxhunit ishte zëvendëskryeministri dhe ministri i MPJ’së, Behgjet Pacolli.

Por, arsyetimi i tij kalonte në banalitet.

“Kjo nuk është mënyra se si duhet të trajtohet prona publike dhe ne e dënojmë aktin dhe të parandalojmë rastet e tilla. AKR dhe unë nuk do të tolerojmë dhe nuk pranojmë akte të tilla nga zyrtaret tanë”, shkruante ai.

Se Haradinaj nuk e ka ndërmend të marrë masa për ministrat me aktakuza, e dëshmon kjo deklaratë e tij.

“Sa u përket vendimeve që ka me marrë Qeveria ndaj ministrave me aktakuzë duhet pritur vendimet nga gjykata dhe njëherë nuk mund të marrim vendim. Qeveria do të marrë vendime sipas ligjit për këtë”, thoshte ai.

Që nga marrja e mandatit, gjashtë nga 22 ministrat e Qeverisë Haradinaj ishin me aktakuza nga organet e drejtësisë, nën dyshime të ndryshme si, keqpërdorim i detyrës, posedim i armëve dhe punësime të paligjshme.

Pjesë e kësaj Qeveri përveç Lekajt e Berishës është edhe Endrit Shala i Nismës në postin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, i cili akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Me të njëjtën akuzë është i ngarkuar edhe Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës.

Edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka qenë i akuzuar për konflikt interesi, por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kurse rasti është në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë që ministri tjetër, ai i Inovacionit, Besim Beqaj është dorëhequr nga ky post pas vendimit të kryetarit të partisë së tij [PDK], Kadri Veseli, për largimin e të gjithë zyrtarëve me aktakuza nga postet partiake dhe institucionale deri në një vendim të Gjykatës.

Ndryshe, ligjet ekzistuese në Kosovë mundësojnë të ushtrohet funksioni i zyrtarit të lartë publik edhe në rastet kur ka procedura të hapura gjyqësore, përderisa vendimi i gjykatës të mos jetë i plotfuqishëm./PERISKOPI

 

 

 

 

 

Të ngjashme
Era dallavere: VV në Gjilan pritet t'ia japë 75 hektarë tokë të shtetit për 99 vjet një kompanie të sapokrijuar

Era dallavere: VV në Gjilan pritet t'ia japë 75 hektarë tokë të shtetit për 99 vjet një kompanie të sapokrijuar

Haziri: LDK-ja e gatshme për bashkëpunim me VV-në

Haziri: LDK-ja e gatshme për bashkëpunim me VV-në

Messi nënshkruan fanellën me simbole të Kosovës

Messi nënshkruan fanellën me simbole të Kosovës

Mot me diell dhe vranësira, pasdite mundësi për reshje lokale shiu e rrufe

Mot me diell dhe vranësira, pasdite mundësi për reshje lokale shiu e rrufe

Kosova rrezikon t’i humbë 60 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse deri më 30 qershor s’i miraton reformat e kërkuara

Kosova rrezikon t’i humbë 60 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse deri më 30 qershor s’i miraton reformat e kërkuara

Fjalët e Lionel Messit pasi theu rekordin e golave në Kupën e Botës

Fjalët e Lionel Messit pasi theu rekordin e golave në Kupën e Botës

Trump: Do të bëj atë që duhet të bëj nëse Irani shkel marrëveshjen

Trump: Do të bëj atë që duhet të bëj nëse Irani shkel marrëveshjen

“Refuzimi i gazit amerikan mund të çojë në dobësimin e raporteve Kosovë-SHBA”

“Refuzimi i gazit amerikan mund të çojë në dobësimin e raporteve Kosovë-SHBA”

Gjendet pa shenja jete një person në Rahovec, trupi dërgohet për obduksion

Gjendet pa shenja jete një person në Rahovec, trupi dërgohet për obduksion

Alarm i rremë, policia s’gjeti asgjë të dyshimtë te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë

Alarm i rremë, policia s’gjeti asgjë të dyshimtë te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë

Fatos Lubonja në protestë kundër korrupsionit, e bija e tij në SPAK për korrupsion

Fatos Lubonja në protestë kundër korrupsionit, e bija e tij në SPAK për korrupsion

Ekspertët britanikë që alarmuan për Specialen pritet të vijnë në korrik në Kosovë, Avokati i Popullit: Do ta ftojmë edhe Gjykatën

Ekspertët britanikë që alarmuan për Specialen pritet të vijnë në korrik në Kosovë, Avokati i Popullit: Do ta ftojmë edhe Gjykatën

Meesssiiiiii, i jashtëzakonshëm! Shënon golin e dytë, vulos fitoren e Argjentinës

Meesssiiiiii, i jashtëzakonshëm! Shënon golin e dytë, vulos fitoren e Argjentinës