Nipin e famshëm të Besnik Bislimit, Antikorrupsioni e detyron të dorëhiqet (Doc)

Nipin e famshëm të Besnik Bislimit, Antikorrupsioni e detyron të dorëhiqet (Doc)

Gëzim Tosuni, nip i zv.kryeministrit Besnik Bislimi, i cili vitin e kaluar u emërua si anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) tash e më shumë se shtatë muaj ka bërë shkelje të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke qenë paralelisht edhe anëtar në Këshillin Shtetëror për Njohje të Diplomave në NARIS/MASHT. Siç mëson Periskopi, këtë e ka konstatuar Agjencia Kundër Korrupsionit, institucion që ka obliguar Tosunin të dorëhiqet nga njëra pozitë…

Në fund të majit të vitit 2021, Qeveria e Republikës së Kosovës, në krye me Albin Kurtin propozoi që si anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë të emërohet z. Gëzim Tosuni. Me miratim edhe të votave të deputetëve të Kuvendit, ky emër arriti të zgjedhet në pozitën që mbikëqyr Agjencinë Kosovare për Akreditim (AKA). Por s’kaloi shumë kohë dhe u kuptua që z. Tosuni është nip i zv. kryeministrit Besnik Bislimi. Për këtë gjë pati shumë akuza e  reagime për nepotizëm.

Periskopi ka siguruar një vendim të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) përmes së cilit Tosuni është obliguar që në një afat prej shtatë (7) ditësh të lirojë patjetër njërën nga pozitat në fjalë, pas konstatimit se përbën shkelje të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

‘’Z. Tosuni, si zyrtar i emëruar në organin shtetëror (anëtar i KSHLINJ-së) në kuadër të MASHTI. nuk mund të jetë njëkohësisht edhe anëtar i KSHC’së të AKA-së, pasi që kjo situatë bie ndesh me  dispozitën e nenit 11 [Punet e ndaluara per zyrtarin] paragrati 1, nën paragrafî 1.4 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit te Interesit’’, thuhet në vendimin e AKK’së.

Shih KËTU vendimin e plotë të Agjencisë Kundër Korrupsion.

Gëzim Tosuni me të marrë paralajmërimin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, më datë 26 janar 2022 ka dorëzuar detyrën e tij prej anëtari të Këshillit Shtetëror për Njohje të Diplomave në NARIS/MASHT, ndonëse pas shtatë muajve shkelje.

Periskopi ka siguruar edhe emailin elektronik të cilin ua ka nisur kolegëve të tij pas vendimit.

Periskopi gjatë ditës së sotme ka provuar të kontaktojë z.Tosunin, por i njëjti pasiqë i është prezantuar gazetarja, ia ka mbyllur telefonin.

Kjo nuk është herë e parë që nipi i Besnik Bislimit kapet në flagrancë dhe në konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsionit sa i përket pozitave. Edhe në vitin 2016, ky  institucion kishte vlerësuar se Tosuni përveç që mbante pozitën e Dekanit të Fakultetit Ekonomik në Gjilan, figuronte si person i autorizuar në dy biznese private.

Pasi AKK-ja kishte hapur rastin ndaj tij, Tosuni ishte detyruar të jap dorëheqje nga pozita e Dekanit të Fakultetit Ekonomik për të shmangur konfliktin e interesit.

Tosuni tash do të vazhdojë të jetë vetëm anëtar i Këshillit Shtetëror i Cilësisë, i cili është organ politikëbërës dhe vendimmarrës i Agjencisë së Akreditimit, që përbëhet nga nëntë anëtarë, tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë.

Kujtojmë që për emërimin e tij në KSHC ishte bërë zhurmë e madhe dhe akuza të ashpra për nepozitëm, ndonëse daja i tij, zv.kryeministri Besnik Bislimi, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se nipin e tij e kishte takuar veç një herë në 50 vite.

‘’ E pyeta se çfarë e ka, më tha se në 50 vjetët e fundit e ka takuar ndoshta një herë’’, ishte deklarata e cituar e Haxhiut që ndër të tjerash kishte ngjallur edhe tallje në rrjet./PERISKOPI/

Shpërndaje në: