NKEC “gjakderdhja financiare” që nuk e ndali as Qeveria Kurti

Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC) po vazhdon të funksionojë akoma pavarësisht se nuk kryen asnjë funksion mbi të cilën është themeluar kjo ndërmarrje. Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë nuk ka treguar për Periskopin se pse po vazhdon të operojë kjo ndërmarrje. Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC), është themeluar si shoqëri aksionare në […]
Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC), është themeluar si shoqëri aksionare në vitin 2018 nga Qeveria e atëhershme, me qëllim të marrjes së të gjithë energjisë elektrike të prodhuar nga Termocentrali “Kosova e Re”, si ndërmjetësuese mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, kompani kjo që ishte angazhuar për ndërtimin e termocentralit, raporton Periskopi.
Pas tërheqjes së qeverisë dhe shkëputjes së kontratës me Contour Global, do të duhej të përfundonte punën edhe ndërmarrja NKEC, por tash e afër 4 vite kjo ndërmarrje vazhdon të funksionojë edhe pse nuk kryen asnjë punë.
Në Planin e Biznesit dhe të Buxhetit të NKEC për vitin 2021 që mban datën 30.10.2020 thuhet se “NKEC është një ndërmarrje e cila mbikëqyrë ndërtimin e TC Kosova e Re, me misionin e përmbushjes së sigurisë së furnizimit me energji elektrike. Ky është një termocentral i ri me linit, i cili është planifikuar të ndërtohet me kapacitete bruto të pritshëm prej 50 MË. NKEC ua shet furnizuesve sipas kushteve të Marrëveshjes për Blerjen e Energjisë dypalëshe dhe tepricën ua shet furnizuesve të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës”.
Pra, nga ky përshkrim, në Planin e NKEC rezulton se misioni i kësaj ndërmarrje aktualisht është i parealizueshëm dhe nuk është në linjë me orientimet e Qeverisë Kurti sa i përket energjisë, ndërkohë që vetes i atribuon detyra dhe përgjegjësi që nuk përkojnë me obligimet e saj që dalin nga Marrëvshja për Blerjen e Energjisë mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, ku ishte paraparë themelimi i saj.
Sipas Raportit të Auditimit nga ZKA për Ndërmarrjen e Re Energjetike për vitin financiar të përfunduar me 31.12.2019, kjo Ndërmarrje Publike vetëm për paga kishte shpenzuar 88,725.00, për Bordin Kryeshefin ekzekutiv dhe dy të punësuar.
Auditori qysh në vitin 2019 kishte rekomanduar se në rast se hiqet dorë nga projekti i ndërtimit të termocentralit Kosova e Re, Bordi i Drejtorëve në bashkëpunim me Qeverinë (aksionarin) duhet të kenë vizion të qartë se di do të jetë e ardhmja e ndërmarrjes.
Dy vite nga ky rekomandim, NKEC vazhdon të funksionojë pa asnjë mandat. Për më tepër sipas planit buxhetor për vitin 2021, NKEC kishte planifikuar shpenzime prej 702,954.00 euro, prej të cilave, 452,970.00 euro për stafin që kishte planifikuar të angazhojë, ndonëse me tërheqjen e Contour Global nga projekti, ekzistenca e kësaj kompanie është bërë i panevojshëm.
Periskopi ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Ekonomisë për të kuptuar se a ka ndonjë raport të punës nga kjo ndërmarrje dhe se, sa i kushton buxhetit të Kosovës funksionimi i saj, por ME tash e disa javë nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, pati deklaruar se do ‘të ndalin gjakderdhjen financiare’ në ndërmarrjet publike, mirëpo si duket kjo nuk vlen edhe për NKEC e cila funksionon pa pas asnjë punë, shkruan Periskopi.
Kujtojmë që, Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 pati arritur marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat.
Por, kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e termocentralit, më 17 mars të 2020 ka njoftuar se është tërhequr nga plani për ndërtimin e termocentralit dhe pati paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për shkëputje të kontratës.
Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillojë së ndërtuari me 2020, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023 dhe ndërtimi i tij do të kushtonte 1.3 miliard euro./Periskopi/












