Opozita e kritikon Qeverinë për stagnim të dialogut

Periskopi.com Lajme

Partitë opozitare parlamentare po kërkojnë urgjentisht nga Qeveria që të fokusohet në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar stagnimin e këtij procesi të dëmshëm për vendin.

Madje vlerësojnë se me arritjen e marrëveshjes përfundimtare, pra njohjen e ndërsjellët, Kosova do të kishte mundësi edhe për anëtarësim në institucione të rëndësishme.

Ish-zëvendëskryeministri, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, në një intervistë për Ekonomia Online thotë se njohja e ndërsjellët duhet të jetë tema kyçe e këtij procesi.

“Dialogu është një temë kyçe, i shërben interesit të vendit dhe çdokush që beson që Kosova do të jetë shtet anëtar i OKB-së kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut Kosovë – Serbi. Unë jam i mendimit që dialogu për çështje teknike do të duhej të shndërrohej në një dialog politik dhe temë kryesore duhet të jetë çështja e njohjes së ndërsjellë”.

Megjithatë, deputeti Hoxhaj tha se Serbia synim të dialogut e ka që ta mbajë Kosovën në status-quo, e që këtë stagnim ai po e quan recetë e shkatërrimit për vendin.

Sipas tij, situata politike në Evropë shkon në favor të Kosovë, krejt kjo për t’i bërë presion Serbisë në përmbushjen e qëllimeve që nuk janë përmbushur siç thotë ai që 15 vjet.

“Situata gjeopolitike e re në Evropë është shumë e favorshme që ne të bëjmë presion mbi Serbinë dhe Perëndimi t’i bëjë presion Serbisë, që të arrihen qëllimet të cilat nuk i kemi arritur t’i përmbushim në këto 15 vjetët e fundit. Ne e shohim si urgjente, si jetike arritjen e një marrëveshje me Serbinë. Serbia vjen në dialog çdo herë për të mos u marr vesh me ne, për të blerë kohë, për ta mbajtur Kosovën në status-quo. Por status-quo në Kosovë është një çështje, recetë e shkatërrimit. Prandaj është jetike që kjo të ndodhë”, tha Hoxhaj.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se dialogu për njohje reciproke është kthyer në dialog teknik dhe nuk ka ndonjë hap konkret në këtë proces.

“Prej dialogut që ka qenë në fazën e fundit për njohje reciproke është kthyer në dialog teknik dhe nuk po shohim ndonjë hap konkret karshi dialogut Kosovë-Serbi. Me këtë Qeveri nuk kam shpresë se do ta përmbyllet tema e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sepse është kthyer në dialog teknik dhe takimet nuk po bëhen të nivelit të lartë dhe nuk pres ndonjë zhvillim në dialogun Kosovë-Serbi”.

Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri theksoi se dialogu është i pa substanë dhe teknik aktualish.

“Dialogu në plotni ka humbur nga konteksti që Kosova e synon. Është një dialog i pa substancë. Është një dialog në nivelin teknik dhe një dialog që nuk po sjellë rezultate. Ne kërkojmë që sa më shpejt të jetë e mundur të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme për dy shtete me njohje reciproke me lidershipin amerikan në mënyrë që kjo çështje të trajtohet. Për AAK-në kjo është e rëndësishme dhe ky është qëndrimi ynë. Ajo që duhet është ta bëjmë punën tonë dhe duhet të ikim nga dialogu teknik dhe të fokusohemi në njohje reciproke”, tha Tahiri.