Osmani para disa javësh me fjalë të mëdha kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe: Të respektohet Kushtetuta e sovraniteti

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dha një deklaratë paksa të mjegullt lidhur me zgjedhjet serbe që po planifikohen të mbahen më 3 prill, e që Serbia synim ka t’i shtriejë edhe në vendin tonë, transmeton Periskopi. ‘’S’kemi folur për zgjedhjet e 3 prillit me kancelarin austriak. Duam të respektohet Kushtetuta, ligji […]
‘’S’kemi folur për zgjedhjet e 3 prillit me kancelarin austriak. Duam të respektohet Kushtetuta, ligji dhe rezoluta e 15 janarit të këtij viti dhe nuk duam t’ia pengojmë, pamundësojmë qytetarëve të Kosovës, me pasaportë të Serbisë të drejtën e votës. Mund të ketë ndokush që do destabilizim , incidente mirëpo këtë nuk do ta gjeni në radhët e popullit të Kosovës dhe institucioneve tona’’, tha ai.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para disa javësh dha fjalë të mëdha kundër mbajtjes kategorike të zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Ajo theksoi se në rezolutë janë bërë të qarta mënyrat si mund të votohet, duke respektuar sovranitetin e vendit.
“Sa i përket zgjedhjeve që mban Serbia në prill, si presidente, kërkesa ime është që të respektohet rezoluta e dal nga Kuvendi i Kosovës, aty flitet për mënyrat si mund të votohet, të respektohen praktikat më të mira ndërkombëtare, pa cënuar sovranitetin tonë”, ka thënë Osmani në intervistën për RTK-në.
Sipas saj, ndalimi i votimit në Kosovë për referendumin e Serbisë ka qenë një prej momenteve më të mira të skenës politike.
“Procesi i mosmbajtjes së referendumit te Serbisë në Kosovë ka qenë një prej momenteve më të mira të skenës sonë politike sepse ka pas një unifikim të plotë të qëndrimeve “, shtoi tutje Osmani.
Presidentja theksoi se kjo nuk ka qenë çështje e të drejtës së serbëve në votim, por organizimi i zgjedhjeve të një shteti tjetër në shtetin tonë, e cila është çështje sovraniteti.
Osmani madje pati edhe një kritikë për bashkësinë ndërkombëtare që nuk po e trajton Kosovën në mënyrë të barabartë me shtete tjera.
Ajo mori si shembull faktin se zgjedhjet e Rusisë në Ukrainë u cilësuan si ilegale, kurse Kosovës po i bëhej thirrje t’i lejonte ato të Serbisë.
“Kur Rusia po mban zgjedhje në Ukrainë, të gjitha shtetet demokratike po i quajnë ilegale, kur Serbia donte të mbante referendumin në Kosovë, kërkohej të lejohej, ku është dallimi këtu, të dyja kanë pretendime territoriale dhe bashkësia ndërkombëtarë duhet të na trajtojë në mënyrë të barabartë”, ka thënë Osmani./PERISKOPI/












