Për BQK’në transformimi i paligjshëm i bankës Ziraat është i ligjshëm, u thirrëm në Ligjin për Bankat

Banka Qendrore e Kosovës është përgjigjur në pyetjet e Periskopit pas raportimit për transformimin e Ziraat Bank nga degë e huaj në shoqëri aksionare, që bazuar në kornizën ligjore po konsiderohet i paligjshëm. BQK ka dhënë një përgjigje të gjatë, por thellësisht të paqartë duke u shmangur në pyetjet konkrete të Periskopit BQK e konsideron […]
BQK e konsideron të ligjshëm dhe të bazuar në ligjet dhe rregulloret ekzistues transformimin e Ziraat Bank nga degë e huaj në shoqëri aksionare në Kosovë.
Në përgjigjet që i kanë dërguar Periskopit, BQK mbështeten në nenin 12 të Ligjit për Bankat, që, sipas tyre, i jep atyre të drejtën ekskluzive të kërkojë një transformim të tillë.
Kujtojmë se ARBK në komunikimet e saj zyrtare ka cilësuar se një transformim i tillë nuk është i lejuar me Ligjin për Shoqëritë Tregtare.
Por, për BQK`në Ligji për Bankat është “më i fortë” sesa ligji për Shoqëritë Aksionare, edhe pse zëvendës drejtoresha e ARBK`së, Lebibe Haliti, kishte konstatuar se një transformim i tillë i bankës Ziraat është i kundërligjshëm.
Sipas BQK’së, transformimi është iniciuar dhe udhëhequr prej tyre, si autoritet rregullator, për shkak të vështirësive në mbikëqyrjen e një dege të huaj, dhe se ky ndryshim është bërë për të forcuar mbikëqyrjen financiare dhe stabilitetin e tregut bankar në vend.
Në pyetjen se a ka qenë BQK në dijeni për refuzimet e ARBK dhe komunikimet e saj të brendshme që e cilësojnë transformimin si të paligjshëm, nga BQK kanë vlerësuar se ka pasur komunikim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve relevante.
“Ka pasur komunikime ndër-institucionale dhe interpretime përkatëse të dispozitave ligjore mbizotëruese, që kanë mundësuar adresimin në praktikë të çështjeve sipas kornizës ligjore dhe rregullave në fuqi. “, thonë nga BQK`ja
Sipas BQK’së banka Ziraat ka licencë të operimit si dhe kapitalin e nevojshëm ligjor, ndërsa me bërjen efektive të statusit të ri ligjor, do të fillojë edhe procesi i përshtatjes me kërkesat shtesë, duke e bërë të barabartë me bankat tjera që operojnë në vend.
Edhe pse përgjigjet nga BQK përpiqen të justifikojnë procesin si të ligjshëm dhe në interes të stabilitetit financiar, në to nuk jepen përgjigje të drejtpërdrejta, të qarta dhe dokumentuara për pyetjet konkrete si, a ekziston një vendim apo opinion i shkruar mbi këtë transferim, a ka BQK ndonjë dokument që është detyrues për ARBK, a është diskutuar konflikti ndërmjet dy ligjeve në mënyrë zyrtare apo është bërë vetëm interpretim praktik dhe pyetja esenciale, kur dhe si ka ndodhur konkretisht licencimi i ri dhe deponimi i kapitalit?
Kësisoj, përgjigjet e BQK-së përmbajnë më shumë justifikime të përgjithshme, sesa një sqarim të drejtpërdrejtë ligjor dhe procedural, ashtu siç është kërkuar nga Periskopi.
Në përgjigjet e tyre nuk jepet asnjë dokument i konsultuar apo opinion i shkruar që i është dërguar ARBK’së apo Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), dhe as nuk sqarohet qartë nëse Ziraat Bank ka përfunduar tërësisht procesin e regjistrimit dhe licencimit si shoqëri aksionare në përputhje me kërkesat e dyfishta ligjore.
Përgjigja e BQK-së duket më shumë si një përpjekje për të legjitimuar një veprim të kryer, sesa si një transparencë e vërtetë për qytetarët dhe institucionet që kanë ngritur shqetësime mbi këtë çështje.
Më poshtë janë sqarimet dhe përgjigjet e plota të BQK`së:
“Lidhur me çështjen që keni ngritur ju njoftojmë se procesi i transformimit nga një dege e një banke të huaj në subjekt të varur (shoqëri aksionare), pra si bankë e themeluar plotësisht në vend me kërkesat e aplikueshme sikurse për të gjitha bankat e tjera, është duke vijuar dhe plotësisht në pajtim me kornizën ligjore dhe rregullative në fuqi. Në vijim keni sqarimet shtesë të ngritura në pyetjet tuaja:
Sipas nenit 12 të ligjit për bankat, kërkesat për themelim të subjektit të varur, ligji i jep të drejtën ekskluzive BQK-së të kërkojë nga banka e huaj që të kthehet nga një degë në subjekt të varur të bankës së huaj. Kjo para së gjithash kur konsiderohet se mënyra e tillë e operimit me një prezencë shumë të reduktuar të strukturave drejtuese dhe kërkesave që dalin nga ligji për bankat e themeluara si degë të bankave të huaja, nuk mundëson mbikëqyrjen e duhur siç kërkohet me nenet 7, 8 dhe 74 të Ligjit për BQK-në, dhe nuk përkon me planin strategjik të BQK-së për të ruajtur dhe forcuar edhe më tej stabilitetin financiar.
Për dijeni, vetëm Kosova në rajon kishte lejuar dhe licencuar operimin e bankave si degë të bankave të huaja, që nuk haset në praktika të rajonit, ose edhe më gjerë (koncept ky që funksionon kryesisht në kuadër të BE-së si një treg i përbashkët i brendshëm ku bankat e themeluara në një vend në kuadër të BE-së, mund të operojnë përmes themelimit të degëve në vendin tjetër të BE-së, me që i nënshtrohen legjislacionit dhe institucioneve të njëjta qendrore rregullative). Prandaj, çështja e shndërrimit nga një degë në subjekt të varur (shoqëri aksionare), është vlerësuar e duhur dhe pasi ka marrë aprovimet nga autoriteti mbikëqyrës në Turqi siç kërkohet me legjislacionin tonë, dhe ju ka nënshtruar procedurave të zakonshme të ndryshimeve, ku BQK ka marrë të gjitha vendimet e nevojshme sipas strukturave përgjegjëse ligjore.
Sa i përket procedurës, banka me rastin e transformimit si subjekt i varur, obligohet të ndryshojë formën e organizimit të biznesit duke u regjistruar si Shoqëri Aksionare, ashtu siç kërkohet me nenet 3 dhe 21 të Ligjit nr. 04/L-093. Në anën tjetër, Ligji për Bankat, në nenin 42 (Zbatimi i Ligjit për Shoqëritë Tregtare) përcakton se dispozitat që kanë të bëjnë me qeverisjen dhe pronësinë e shoqërisë aksionare, që gjenden në Ligjin për Shoqëritë Tregtare të cilat nuk janë në kundërshtim me këtë ligj zbatohen edhe për bankat, por megjithatë ky ligj [Ligji për bankat] mbizotëron rreth vendosjes se cilat dispozita zbatohen për bankat”.
Për të adresuar çështjen e zbatimit në praktikë të legjislacionit të aplikueshëm për bankat dhe shoqëritë tregtare, ka pasur komunikime ndër-institucionale dhe interpretime përkatëse të dispozitave ligjore mbizotëruese, që kanë mundësuar adresimin në praktikë të çështjeve sipas kornizës ligjore dhe rregullative në fuqi. Prandaj, edhe është vazhduar procesi sipas kornizës ligjore dhe rregullative në fuqi, derisa aspektet tjera operacionale dhe teknike janë në vijim e sipër tek institucionet përkatëse dhe zhvillohen nga banka dhe organet e saj përgjegjëse në respekt të plotë të kornizës ligjore. Banka ka licencë të operimit dhe kapitalin e nevojshëm ligjor, ndërsa me bërjen efektive të statusit të ri ligjor, do të fillojë edhe procesi i përshtatjes me kërkesat shtesë rregullatore, duke e bërë të barabartë me bankat tjera që operojnë në vend, si dhe duke mundësuar shtimin e kapitalit, investimeve, themelimin e organeve të ndara qeverisëse (bordin drejtues, komitetet, etj.) të subjektit të varur si entitet i veçantë juridik i themeluar në Kosovë dhe aktiviteteve në pajtim me planin për zhvillim.
Konsiderojmë se ky veprim i ka kontribuar procesit të rritjes së stabilitetit financiar, rritjes se konkurrueshmerisë, si dhe kërkesave më të larta rregullatore, me mbikëqyrje më efektive të aktiviteteve dhe të gjitha strukturave të saj drejtuese, duke përfshirë edhe aprovimin e drejtuesve të lartë nga BQK, dhe si proces ka qenë i konsultuar me institucionet partnere ndërkombëtare me të cilat BQK ka bashkëpunim.”
Periskopi do të vazhdojë ta ndjekë këtë temë dhe të kërkojë dokumente konkrete që e provojnë përputhshmërinë ligjore të këtij transformimi.












