Përplasje e madhe mes dy militantëve të fundit aktiv të VV-së, sherri i Hysenit dhe Liburnit

Miq, një përplasje titanësh po ndodhë mes militantëve të zjarrtë të Vetëvendosjes, në vazhdë të skandalit me tenderë në ministrinë e Liburn Aliut dhe Hysen Durmishit. Bëhet fjalë për dy nga personazhet më emblematike të seksionit të Facebookut të shqiptarëve të Kosovës, të këtij domeni vendimtar ku krijohen dhe rrënohen personalitetet publike e kredibilitetet politike […]
Miq, një përplasje titanësh po ndodhë mes militantëve të zjarrtë të Vetëvendosjes, në vazhdë të skandalit me tenderë në ministrinë e Liburn Aliut dhe Hysen Durmishit.
Bëhet fjalë për dy nga personazhet më emblematike të seksionit të Facebookut të shqiptarëve të Kosovës, të këtij domeni vendimtar ku krijohen dhe rrënohen personalitetet publike e kredibilitetet politike – ku linçohen kundërshtarët dhe lartësohet Lideri .
Bëhet fjalë për Mentor Llugaliun dhe Blendi Zymin.
Njëri nga Podujeva e tjetri nga Prishtina, tash e sa vite shërbenin si anëtarët më të vlerësuar të Gardës Pretoriane të cyber-hapësirës ndërpartiake, të angazhuar në mbrojtje të jetës dhe veprës së Albin Kurtit – në çdo çast, në çdo rast dhe kundër çdokujt që mund t’i shkonte mendja ta cenonte atë.
Sot, Blend Zymi e akuzon Mentor Llugaliun (shih postimin dhe mesazhet e ‘skrinshotuara në fund të tekstit) për pjesëmarrje në grupin e Hysen Durmishit dhe, rrjedhimisht, për njollosje të figurës së Liburn Aliut. Durmishi zëvendësministër dhe Aliu ministër në Ministrinë e Ambientit dhe Infrastrukturës. Llugaliu, në anën tjetër, i del në mbrojtje Hysen Durmishit duke e cilësuar viktimë në proceset e pohuara skandaloze korruptive që po e trondisin Qeverinë e Kurtit dhe opinionin publik tash e sa ditë.
Për çka, në të vërtetë, bëhet fjalë në gjithë këtë rrëmujë mes Pretorianëve të Kryeministrit? Çka po e shkakton këtë përleshje mes dy individëve të cilët nuk duket të jenë shfaqur ndonjëherë në mediat klasike apo në jetën publike – e që aktivizmin partiak nëpër rrjete sociale gjatë viteve e kishin përqëndruar në një qëllim të vetëm: që kritikët dhe kundërshtarët e Kurtit t’i paketojnë si armiq të kombit e tradhëtarë të vendit.
Me gjasë, bëhet fjalë për interese personale – asgjë e pazakontë. Me gjasë, bëhet fjalë për tenderë, projekte, përfitime e punësime – krejtësisht e rëndomtë. Me gjasë, bëhet fjalë për dy grupe të interesit të krijuara në afërsi me pushtetin, e që luftojnë për ta kullotur të njëjtin livadh. Shkurt, nëse doni t’i kuptoni arsyet e nëndheshme të këtij konflikti brenda-familjar, kujtone frazën historike nga afera Watergate: ‘Just follow the money trail’.
Me gjasë, pra, bëhet fjalë për para.
Gojëkëqinjtë pohojnë se ishte një tender 16-milionësh për mirëmbajtje të autostradave ai që nisi ortekun e përplasjeve në Ministrinë e Liburn Aliut (në tekstin e mëtejmë: Liburnia). Ishte e pritshme që përmendja e një shifre kaq të lartë do të mbledhte numër të konsiderueshëm të palëve të interesuara – qoftë ato fizike apo juridike. Sipas gojëkëqinjëve, ishte zv. Ministri Durmishi ai që kishte marrë përsipër menaxhimin e këtij tenderi dhe, rrjedhimisht, ishte ai rreth të cilit u tubuan palët e interesuara: trimi i mirë me shokë shumë. Dhe, brenda një periudhe jo shumë të gjatë kohore, ishte hartuar edhe plani i operativ i projektit të mirëmbajtjes së autostradave – ose, më shkurt, ishte paracaktuar fituesi i tenderit si dhe procedura e arsyetimit të fitores së tij. Kjo, sipas gojëkëqinjëve, patjetër.
Krejt kjo punë kishte shkuar aq larg, sa që ministri Aliu kishte urdhëruar një auditim të gjerë në ministrinë e Liburnisë. Me theks të veçantë në hetimin e zëvendësit të tij, Hysen Durmishit – shokut të idealit, të burgut, të luftës dhe të aktivizmit.
Gjithnjë sipas gojëkëqinjëve, kundërsulmi i Durmishit kishte pasuar në trajtën e publikimit të tërthortë të pohimeve për skandale (të pakonfirmuara) rreth shpërndarjes së dhjetëra leje-ndërtimeve, madje edhe nëpër lokacione të mbrojtura me ligje të veçanta, ngjashëm me parqet nacionale.
Kësisoj, me javë të tëra Liburnia pësonte dridhje tektonike të shkaktuara nga grupet e polarizuara të interesit: gjysëm-spekulime e gjysëm-fakte farkoheshin nëpër zyrat e saj dhe pastaj shpërndaheshin në publikun e gjerë duke pohuar për korrupsion të njërës palë apo ryshfet të tjetrës. Kompani të ndryshme ndërlidheshin me tenderin e autostradave dhe po aq të tjera njolloseshin për leje-ndërtime të lagjeve ekzkluzive nëpër liqejt e rrethinës së Prishtinës (apo, Podujevës).
Duke ndjekur praktikën tashmë tradicionale të komunikimit të organizatës politike të Aliut e Durmishit me publikun e gjerë, informacionet së pari shushuriteshin si postime e komente nëpër rrjete sociale, që më vonë të zbritnin faqeve të portaleve lokale – e që tutje të përfundojnë tavolinave të debateve televizive të mbrëmjeve gazmore kosovare.
Shkurt, çka nuk dëgjuam këto dy javë, miq. Dëgjuam, edhe pse ende të pakonfirmuara, pohime se përplasjet për tenderë e leje-ndërtime kishin kulminuar edhe me rrahje fizike të nivelit ministror. Dëgjuam dhe vazhdojmë të dëgjojme për përgjime të radhës të njërës palë kundër tjetrës që i dorëzohen njërit portal apo tjetrit televizion.
Mbase, nuk mund ta dijmë sot të vërtetën e plotë të kësaj furtune të pohimeve, mirëpo mund të konstatojmë se diçka është e kalbur në mbretërinë e Liburnisë. Nëse asgjë tjetër, shkallën e kalbjes po e dëshmojnë edhe grindjet e paskrupullta mes militantëve të cyber-hapësirës kosovare: pohimet denigruese për njëri-tjetrin duhet të kuptohen (edhe) si pozicione ndërluftuese të grupeve të interesit në zanatin më të vjetër të politikës – atë të përfitimit nga afërsia me pushtetin./Periskopi














