Personaliteti i vitit 2019 sipas Periskopit: Isa Mustafa

Periskopi Op-Ed

Isa Mustafa mund të mos jetë zgjedhur ende pasardhësi i Hashim Thaçit si president, por bordi redaktorial i Periskopit i ka dhënë titullin e “Personalitetit të Vitit 2019”.

Arsyet për një gjë të tillë janë të shumta. Para vitit 2019, Mustafa konsiderohej në një formë ‘kufomë politike” duke u margjinalizuar krejtësisht nga vendim-marrja.

Për fatin e tij të keq, Mustafa u përball me një shëndet të keq për çka u sulmua padrejtësisht prej oponentëve politikë. Madje, edhe brenda partisë së tij. Përveç kësaj, mandatit të z.Mustafa si kryetar i LDK-së po i afrohej fundi, dhe marrë parasysh aktivitetin e reduktuar politik, i madh e i vogël shprehën ambiciet për t’ia marrë pushtetin.

Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Agim Veliu, e madje edhe Gazmend Muhaxheri shprehën haptas ambicien për ta udhëhequr LDK-në. Fundja, në shikim të parë gjithçka dukej e lehtë. Mjaftonte thjesht t’ia lëkundje bastunin që Mustafa të rrëzohej. Por… kishte një problem. Mustafa nuk mbahej në këmbë vetëm nga një bastun.

Edhe pse dukej krejtësisht i parëndësishëm në politikën kosovare, z.Mustafa në mendjen e tij po krijonte strategji për t’u rikthyer në majë. Madje, më fuqishëm se asnjëherë.

“Është krejt legjitime të shprehësh ambicie për kryetar. LDK është parti demokratike,” – deklaronte ai, i pyetur për ambiciet e bashkë-partiakëve.

Por, derisa lufta e brendshme vazhdonte ai u vendos fare natyrshëm si ruajtësi i unitetit të partisë.

Dhe kësisoj, LDK-ja u fut në zgjedhjet e brendshme të degëve dhe nëndegëve me tensione të shtuara. Pati shumë e shumë incidente dhune dhe u vizatua para secilit anëtar të partisë mundësia e një ndarjeje të re e traumatike, si një herë e një kohë [2006].  Bile, nuk po shfaqej horizonti i zymtë thjesht i një ndarjeje partiake në dysh. LDK-ja dukej se mund të ndahej në disa pjesë, në disa parti më të vogla. Dhe ky të ishte fati përfundimtar i saj.

KËSISOJ, u prodhua fare natyrshëm nevoja për një shpëtimtar, për një ruajtës ekuilibrash, për një peshore, për një figurë unifikuese. E kush më mirë mund ta luante një rol të tillë se kryetari në largim, shëndet-lig e pa ambicie të shprehura, se njeriu që fliste me maturinë e një burrështetasi. Isa Mustafa, pra.

Kështu, pas një procesi mjaft të dhembshëm zgjedhor, Mustafa u bë sërish kryetar i LDK-së. Kjo ndodhi pak ditë pas dorëheqjes që dha Ramush Haradinaj, ende kryeministër në largim.

Dhe, ajo që bëri z.Mustafa si kryetar partie më pas ishte edhe më gjeniale. Periskopi kishte raportuar qysh verës se Mustafa donte të bëhej president i Republikës së Kosovës, por njerëzit menduan se ai ishte në krye të LDK-së thjesht për ta mbajtur unitetin partiak.

Si t’ia arrinte këtij qëllimi atëherë me një parti që s’kishte pasur rolin kryesor në opozitë ndaj Ramush Haradinajt? Duke e bërë armiken e tij më të madhe në politikë, Vjosa Osmanin, kandidate për kryeministre të Kosovës.

Mirëpo, nuk ishte pozita e kryeministrit ajo që synonte Mustafa [e me këtë, LDK-ja]. Ishte ajo e presidentit pra.

LDK-ja u fut në negociata si parti e dytë me Vetëvendosjen për formimin e qeverisë duke i dhënë menjëherë pozitën e kryeministrit, por duke kërkuar barazisht ministri dhe po ashtu presidentin me kryetarin e Kuvendit.

Mustafa synon që të ulet në karrigen e presidentin në prill të vitit 2021, ndërkohë që do të provojë ta ulë të dëgjueshmin Avdullah Hoti në karrigen e kryetarit të Kuvendit duke u bërë njeriu më i fortë në politikën kosovare.

Me lojën e tij të zgjuar politike ai po provon, dhe pa asnjë dyshim do t’ia arrijë, që ta bëj Albin Kurtin një kryeministër kukull. Aktualisht Kurti po e refuzon rolin e kryeministrit ‘isist’, por të gjithë e dimë se nuk do ta refuzojë përgjithnjë.

Për rrjedhë, marrë parasysh thjesht mbijetesën e tij në politikën kaotike kosovare, Mustafa del një politikan i jashtëzakonshëm për këtë vit. Por, ai arriti shumë më shumë se kaq. Margjinalizoi Kurtin si figurë kryesore e opozitës/ndryshimit, dhe margjinalizoi edhe Veselin e Haradinajn që ishte në pushtet. Duke u pozicionuar si aleati i vetëm i mundshëm i Kurtit për të ardhur në pushtet, Mustafa është aktualisht politikani më i rëndësishëm në Kosovë dhe pa fije dyshimi meriton titullin e “Personalitetit të Vitit”. /Periskopi/Fotografia nga B.M.

 

Shpërndaje në: