Pse kamarierët në Shqipëri sillen si ‘idiotë’?

Pse kamarierët në Shqipëri sillen si ‘idiotë’?

Eksperiencë personale.

Nuk është se kërkuam diçka ekstra, as nuk patëm ndonjë sjellje të ngrysur… nuk i ofenduam, nuk i shikuam mrroltë, asgjë…

Nuk e kishim të qartë pse ajo sjellje, ishte sikur po i pengonte ekzistenca jonë dhe sikur restauranti ishte i hapur për një lloj të caktuar njerëzish dhe ne nuk i përmbushnim standardet.

Krejt kjo ndodhi në një udhëtim për fundjavë në Gjirin e Lalëzit me shoqëri, derisa qëllimi ynë i vetëm ishte të kalonim dy ditë të qeta, relaksuese, duke mos e futur fare në ekuacion faktin se mirëqenia jonë do të mbetej nën hijën e disa kamarierëve idiotë.

Ishim pesë persona, por dy prej nesh udhëtuam një ditë më vonë se pjesa tjetër e grupit.

Pas një dite relaksuese në plazh, vendosëm të ulemi për të ngrënë diçka në njërën prej bareve në afërsi të plazhit.

Kamarierët nuk patën kurrfarë lloj interesi të na bëjnë të ndihemi të mirëseardhur… nga bisedat që kishim mes shokëve, u parashtrua arsyetimi ‘po këta nuk janë kamerierë të vërtetë, janë vetëm sezonal dhe andaj nuk u intereson shumë.’

Epo, në asnjë manual askund nuk shkruan që kamarierët jo të vërtetë duhet të sillen si idiotë.

Ndiheshim të tepërt sa herë që ngrisnim dorën për të bërë një porosi të re… krijohej një ndjesi kolektive e energjisë negative e cila transmetohej nga ato pak sekonda sa qëndronte kamarieri në afërsi të tavolinës tonë.

Personalisht i ofrova 1 mijë lekë për një pagesë prej 900 lekësh dhe po prisja kusurin. Me shumë kënaqësi do ta qerasja me një bakshish modest prej 100 lekësh shërbyesin, por ajo as që vinte në shprehje pas atij shërbimi absolutisht katastrofal.

Në fakt, në faturën e njërit prej shokëve me të cilin kisha udhëtuar, figuronin tre pije më shumë se që kishte porositur.

Kur iu ankuam për pijet e tepërta në faturë, kamarieri në fjalë reagoi me hamendësim dhe tha se do ta rregullonte tash. Në rregull, ia ofrova unë 1 mijë lekë për një pagesë prej 900 lekëve por u befasova kur ai më ktheu vetëm 30 lekë, sikur ishte gjithçka në rregull.

Kur i thashë se kusuri ishte 100 lekë, jo 30, ai me një arrogancë të pabesueshme, më tha ‘a do t’i lë të gjitha free, mos i paguaj fare.’

Por kjo nuk është e tëra, në të njëjtën fundjavë, një familjar i imi kishte udhëtuar drejt Dhërmisë, ku ishte njoftuar me jo njerëzillëkun e pashoq të kamerierëve atje.

Familjari në fjalë kishte kërkuar një picë margarita në një restaurant afër plazhit, duke kërkuar me mundësi të servohej me disa ullinj ekstra.

Kamarieri në fjalë i kishte thënë, ‘a janë ullinjt në menu’, kjo ishte përgjigjur me ‘jo’, teksa i pari kishte shtuar ‘e çka dëshiron pra… ne bëjmë 10 mijë euro në ditë, e po kemi kohë me u marrë me kërkesat e tua…’

Nëse ndonjë kamarier i tillë e lexon këtë… ju lutem mjaft u sollët si idiotë. Nëse nuk jeni të lumtur me punët e juaja, nuk ua kemi borgj ne atë lloj sjelljesh.

Ose nëse nuk jeni kompetent për të kryer një punë të tillë, thjesht mos e bëni, pasi mund t’i kushtoni me humbje klientësh pronarëve tuaj, të cilët nuk e besoj se kanë llogari të humbin klientë shkaku i idiotësisë suaj.

Shpërndaje në: