Pse pjesëtarë të policisë kalojnë nëpër Serbi – Pse nuk u respektua rekomandimi i MPB-së?

Pse pjesëtarë të policisë kalojnë nëpër Serbi – Pse nuk u respektua rekomandimi i MPB-së?

Udhëtimi i kosovarëve nëpër Serbi po del të jetë me një rrezik të madh. Kjo u dëshmua edhe në ditën e djeshme, ku udhëtarë nga Kosova u bllokuan në kufijtë e Serbisë me Hungarinë dhe Kroacinë. Mes tyre, pati edhe një numër të zyrtarëve të Policisë së Kosovës – ndër ta edhe zv.drejtori nga nacionaliteti serb, Dejan Jankoviq, i cili siç merr vesh Periskopi, me dy pjesëtarë të tjerë të policisë, ishin duke shkuar për një udhëtim zyrtar në Bosnjë.

Enis Rrustemi, Periskopi

Një pyetje e madhe që po vazhdon të shtrohet është se “pse zyrtarë të Policisë së Kosovës po udhëtojnë përmes Serbisë…?”.

Periskopi në shkurt të këtij viti, ka publikuar një artikull se si Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, iu ka rekomanduar pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që të mos udhëtojnë nëpër Serbi, për shkak të rrezikut të arrestimit nga ana e shtetit serb.

Periskopi pati mësuar nga burime të sigurta dhe kishte parë një qarkore që MPB-ja, ua ka dërguar Policisë së Kosovës, si formë udhëzimi që pjesëtarët e Policisë së Kosovës të mos kalojnë nëpër Serbi.

E njëjta qarkore, siç merr vesh Periskopi, iu është ri-dërguar edhe njëherë gjatë ditës së djeshme pjesëtarëve të Policisë, që të njëjtit të mos zgjedhin rrugën e Serbisë për të udhëtuar.

Duke qenë që pas liberalizimit të vizave, shumë qytetarë të Republikës së Kosovës, zgjedhin rrugën kah Serbia për të kaluar nëpër vende evropiane, kjo – por edhe rritja e tensioneve Kosovë – Serbi, mendohet të jetë arsyeja e kësaj ‘këshille’ të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Pavarësisht dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që në tri vitet e fundit ka prodhuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, tensionet në terren mes dy vendeve, janë evidente.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot se pesë policë të Kosovës ende po mbahen peng nga autoritetet serbe.

Ajo ndër të tjera i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë për këtë çështje.

“U bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë. Por, jam e bindur që betimi i sotëm, dhe të gjithë këta kadetë dhe ky grup multietnik është përgjigjja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla”, tha Osmani.

Për ndalimin e zv. drejtorit të Policisë, Dejan Jankoviq dhe katër zyrtarëve policorë, ka folur edhe ministri Sveçla në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës.

“Para nesh ju sot po betoheni për respektim të Kushtetutës sonë dhe mbrojtje të territorit tonë, duke shërbyer me profesionalizëm. Këto janë parimet qe duhet t’i bartni në punën tuaj. Dejan Jankoviq, dje është ndaluar dhe po mbahet pa asnjë arsyetim në Rashkë të Serbisë edhe katër zyrtarë tjerë policorë. Ky është akt i paprecedent i Serbisë mes shumë veprimesh e sulmesh ndaj policisë së Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Teksa shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti thotë se qindra persona janë privuar nga ushqimi dhe mjekimi. Sipas tij, fajtori kryesor është presidenti serb Vuçiq, i cili -siç thotë ai- “Serbia është hakmarrë kësisoj një ditë pasi Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të Këshillit të Evropë”.

“Ata janë ndaluar si rezultat i një konference për media të cilën e pati të shtunën që shkoi presidenti i Serbisë, ku ai tha që në javën që vjen Serbia ku do që ushtron pushtet dhe kontroll efektiv, do të filloj që të hakmerret. Andaj edhe ajo çfarë po ndodh në këtë javë është paralajmëruar të shtunën që shkoi kur presidenti i Serbisë vizitoi njësitet ushtarak ‘Kobra’ në ditëlindjen e tyre, një njësit të cilën ne e patëm akuzuar në mesë të qershorit të vitit të kaluar që i ka rrëmbyer tre policët tanë në veri të Kosovës. Pikërisht në ditëlindjen e Njësitit Special Ushtarak i cili i kishte rrëmbyer policët tanë, presidenti i Serbisë e paralajmëroi këtë përndjekje të të tjerëve të cilët ai i konsideron të pa dëshirueshëm, duke filluar prej shqiptarëve të Kosovës e atyre ne Luginë e deri të serbet në Kosovë të cilët janë integruar në institucionet tona. Duket që arrestimi masiv i cili është bërë dje, me ç’rast të qindra qytetarë civil janë lënë pa medikamente, pa ushqim pa ujë për pothuajse një ditë të plotë, është rezultat i suksesit të Kosovës në Asamblenë Parlamentar në KiE dhe si një hakmarrje intensive u bë kjo përndjekje e ky ndalim në masë”,u shpreh Kurti pas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Velani për nder të Ditës së Dëshmorëve të Prishtinës.

Për ngjarjen e paprecedent, ka pasur reagime edhe nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se janë duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar.

“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën dhe e ndjekim nga afër. Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përcakton parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata aktuale përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje dhe ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes”, ka theksuar Stano.

Kujtojmë se edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.  /Periskopi/

 

Shpërndaje në: