Qeveria merr vendim: Emëron drejtor të Akreditimit në MINT, të dyshuarin për dallavere me rezerva shtetërore

Irfan Lipovica, i arrestuar dhe i dyshuar për përfshirjen në skandalin e rezervës shtetërore, ka përfituar një pozitë të rëndësishme në Ministrinë e udhëhequr nga Rozeta Hajdari. Ai nga qeveria është emëruar drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit në MINT, raporton Periskopi. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme pas rekomandimit nga ministrja Rozeta […]
Ai nga qeveria është emëruar drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit në MINT, raporton Periskopi.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme pas rekomandimit nga ministrja Rozeta Hajdari.
Lipovica ishte arrestuar vitin e kaluar, pas bastisjes në MINT për shkak të dyshimeve të keqpërdorimeve prej 10 milionë eurove me Rezervat Shtetërore.
Ndër tjera, Lipovicës, asokohe sekretar i Ministrisë së Industrisë, Ndëmarrësisë dhe Tregtisë, siç kishte raportuar Periskopi në muajin mars të vitit të kaluar, i ishte paguar shkollimi me para të shtetit, para këto që ishin të dedikuara për biznese.
Lipovicës i ishte aprovuar një shumë e parave të ministrisë për t’ia paguar shkollimin master në RIT Kosova (AUK). Ky institucion i arsimit të lartë në Kosovë është i vetmi që lëshon diploma amerikane.
Paratë e ndara për shkollimin e sekretarit, nuk janë të ndonjë fondi për ngritjen e kuadrove profesionale të ministrisë, por të projekti CERP – për të cilin projekt Qeveria ka marrë kredi për të përkrahur bizneset prodhuese.
“Sekretarit i është aprovuar nga ministrja Rozeta Hajdari një trajnim në fund të vitit të kaluar, mirëpo ky trajnim ka rezultuar se ishte shkollimi Master në RIK-AUK dhe për të cilin shkollim është bërë kontrata nga MINT me fakultetin RIT-AUK në vlerë 12.000 euro dhe këto mjete janë paguar nga projekti CERP për të cilin projekt Qeveria ka marr kredi për të përkrahur bizneset prodhuese. Kësti i parë i pagesës në vlerë prej 4000 euro është paguar nga projekti për shkollimin master”, pati bërë të ditur për Periskopin burimi i mirë informuar nga ministria.

Lidhur më këtë çështje, Periskopi kishte dërguar pyetje ministres Hajdari por s’kemi pasë ndonjë përgjigje .
Periskopi pati pyetur edhe zotin Irfan Lipovica, i cili kishte thënë se ‘nuk është bash qashtu’. /Periskopi/












