Qytetarët duan protesta masive kundër çmimit për regjistrim veturash (Sondazhi)

Pas rritjes së çmimit të sigurimit të veturave me 36%, Periskopi dje bëri një sondazh me lexuesit e saj në lidhje me çështjen, dhe rezultati jep shpresë se gjërat po marrin një kahje pozitive edhe në shoqërinë tonë. Në shumë vende të botës aktualisht po zhvillohen protesta të shumta e të dhunshme, shumica prej të […]
Në shumë vende të botës aktualisht po zhvillohen protesta të shumta e të dhunshme, shumica prej të cilave nisën nga tema që dikush edhe mund t’i shpërfillte më herët.
Ka protesta të jashtëzakonshme në Kil, në Liban, në Hong Kong e në Barcelonë. Karakteri i të gjitha këtyre protestave është ekonomik, edhe pse mund të ketë paksa kundërshtim sa i përket Barcelonës dhe Hong Kongut.

Protestat në Santiago [Kil] filluan për shkak të rritjes së çmimit të biletave të metrove. Protestat në Bejrut [Liban] nisën kur qeveria po planifikonte të rriste taksat mbi naftën, duhanin dhe thirrjet telefonike online si WhatsApp-i. Në Hong Kong kishim temën e ekstradimit që revoltoi hong-kongasit që nuk duan të jenë më nën regjimin e Kinës. Ndërsa në Barcelonë, protestat e reja nisën kur u dënuan nëntë liderë separatistë katalanas, por rrënja e thellë e problemit qëndron pikërisht te kërkesa për pavarësi, dhe e cila bazohet në shpërndarjen e padrejtë [sic] të buxhetit të Spanjës.
Dhe, duket se protestat në Kosovë po dalin nga terri nacionalist. Deri tash, çdo protestë e madhe në vend ka pasur karakter thellësisht nacionalist, por duket se kësaj po i vjen fundi.
Pas raportimit se mbi 300 mijë vetura të kosovarëve nuk ishin të siguruara, dhe se kompanitë e sigurimit ishin buzë falimentimit, Banka Qendrore e Kosovës vendosi që të rriste çmimin e sigurimit për 36 për qind.

Kjo do të rris në mënyrë drastike çmimin për regjistrimin dhe sigurimin e një veture. Periskopi dje shtroi pyetjen se “A duhet protestuar për këtë çështje?” dhe përgjigjja është masive dhe e bujshme.
![]()
Në alternativat e vëna, 85 për qind ose mbi 3700 njerëz votuan për “Po, na preket kuleta” ndërsa vetëm 15 për qind votuan ose 640 vetë për “Jo, e meritojnë këtë çmim”. Në senksionin e komenteve ndërkohë, kishim një shprehje të jashtëzakonshme të tërbimit dhe të ngulmimit për të protestuar mbi këtë çështje që prek të gjithë kosovarët, pavarësisht shtresës ekonomike në të cilën ndodhen.
Se a do të organizohen protesta për një gjë të tillë në ditët e ardhshme, mbetet të shihet. Por, megjithatë është e qartë se kosovarët, populli më i varfër në Evropë, tashmë po kthen kryet kah problemet reale që e shqetësojnë. /Periskopi












