Rama i dëshpëruar: Qeveria Kurti arbitrare, na la pa Sunny Hill – ia humbi Prishtinës 15 milionë euro

Rama i dëshpëruar: Qeveria Kurti arbitrare, na la pa Sunny Hill – ia humbi Prishtinës 15 milionë euro

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se për dështimin e Festivalit Sunny Hill, fajtore është Qeveria.  Ai ka thënë se qeveria zvarriti qëllimshëm procesin teksa thotë se shpreson që Sunny Hill do të kthehet vitin tjetër në Prishtinë. Ai tha se fitimi që ishte llogaritur të dilte nga ky festival për komunën, është 15 milionë euro.

Ai tha veç tjerash kështu si më poshtë, përcjell Periskopi:

“Sunny Hill nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë. Është lajm dëshpërues për kryeqytetin dhe gjithë Kosovën.

Sunny Hill i takon Kosovës, i takon Prishtinës, të rinjve e të rejave tona që me padurim e kanë pritur edicionin e sivjetmë.

Arsyeja që ky festival u zhvendos në Tiranë, është kryekëput për shkak të zvarritjes së Qeverisë, e cila pavarësisht se i gjithë procesi i dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për festivalin është bërë në pajtim të plotë me ligjin, institucionet qendrore kanë bërë vazhdimisht përpjekje të ndërhyjnë në kompetencat e komunës dhe kryetari ashtu sic konfirmoi dje Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Për fat të keq, janë bërë përpjekje që për poena politik, vendimi të kthehet në Kuvend, kundër vendimit të kuvendit komunal në Prishtinë.

Kjo zvarritje e qeverisë është e pafalshme dhe i ka bërë dëm artit, kulturës, rinisë tonë dhe ekonomisë tonë.

Ftoj qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe të konfirmojë ligjshmërinë e vendimit të kuvendit të komunës.

Për hir të transparencës së plotë dhe bashkëpunimit Qeveria ka qenë gjithmonë në dijeni për kontratën”, tha Përparim Rama, përcjell Periskopi.

“Arsye e kundërshtimit ka qenë numri 99, që teknikisht është abstract, sepse ne dy herë në vit duhet të raportojmë për cdo pronë që është dhënë në shfrytëzim prej të tjerëve dhe cdo tri vjet rishiqohet dhe pika tjetër është që në 25 vite në bazë të kontratës, mund t’i kthehet komunës së Prishtinës duke i dhënë hapësirë Sunny Hillit që të gjejë pronë tjetër”, tha kryetari i Prishtinës.

Më pas, Rama, ka bërë me dije disa prej pikave më të rëndësishme të kontratës me Sunny Hill.

“Nëse për tri vjet me radhë festivali nuk mbahet për cfarëdo arsye, atëherë prona i kthehet komunës. Hapësira përgjatë vitit do të jetë park i hapur për qytetarët e Prishtinës. Komuna do të caktonte organin mbikëqyrës për shfrytëzimin e vazhdueshëm të pronës së saj. Kam besimin e plotë se Sunny Hill nga viti tjetër, do të jetë në shtëpinë e vet, ku e ka vendin”, ka thënë Rama.

Rama: Sipas parashikimeve, sivjet komuna do të përfitonte 15 milionë euro nga festivali

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se në edicionin e fundit të Sunny Hill që është mbajtur në kryeqytet, komuna ka përfituar deri në 8 milionë euro.

Sivjet, sipas Ramës, parashikimet ishin për fitim deri në 15 milionë euro.

“Në bazë të kalkulimeve të mëparshme, përfitimi i kryeqytetit ka qenë 7-8 milionë, është paraparë që sivjet të kishim 15 milionë. Nuk kam asgjë me Tiranë, edhe atje do të shkoj dhe festivali duhej të mbahej në Prishtinë, dhe do të bëjmë cdo gjë që prej vitit tjetër festivali të jetë në Prishtinë “, ka thënë Rama./Periskopi

Shpërndaje në: