Reduktime apo shtrenjtim të rrymës? Kurti na pyeti boll mirë muajin e kaluar se çka po dojmë

Periskopi.com Lajme

Dje u paralajmërua për rritje të çmimit të energjisë. Pas kësaj, kanë nisur reagime të shumta. Ka nga ato që arsyetojnë paralajmërimin për vendim që të shtrenjtohet rryma ndërkaq mes zërash, ka edhe aso që e shohin rritjen enorme të çmimit të rrymës si absurde. Reduktime ose shtrenjtim të rrymës, na paralajmëroi edhe kryeministri Albin Kurti në fundin e vitit që sapo kemi lënë pas.

“Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë?”, shtroi dilemën kryeministri në formë pyetëse, që – natyrisht – kërkonte edhe përgjigjen.

***

Shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe rikthimi i bllok-tarifave janë vetëm disa kërkesa që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është duke i shqyrtuar për strukturën e re tarifore.

Në muajin dhjetor, ky institucion – pas kërkesave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) – ka nisur të bëjë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike. ZRRE bën të ditur se tarifat që do të përcaktohen në këtë shqyrtim, do të aplikohen për një vit.

Për shtrenjtimin e rrymës kishte paralajmëruar edhe Kurti në dhjetorin e vitit të kaluar, i cili kishte thënë se ” do të ketë reduktime ose shtrenjtim të energjisë”.

“Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme. Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe”, kishte thënë Kurti me 27 dhjetor të vitit të kaluar.

 

Propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800 kWh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.

Kujtojmë, që konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.

Ky çmim do të jetë deri më 1 prill të vitit 2022, nëse KEDS-i dhe Furnizuesit për Shërbim Universal për Energji Elektrike nuk kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.