Rrahja e të moshuarës në Pejë – krejt çka ndodhi pas videos së rastit monstruoz

Një rast tronditës shokoi vendin tonë gjatë ditës së sotme, ku një paciente e moshuar, nëna e dëshmorit Taulant Nura, në Shtëpinë e Pleqve “Orenda” në Pejë u sulmua fizikisht nga disa punonjëse që do të duhej të kujdeseshin për shëndetin e saj. Aurona Pelaj – është infermierja e cila në një video që u […]
Me të publikuar videoja, Policia ka arrestuar Aurona Pelajn, Altina Rexhepin dhe Remzie Kuçin ku tashmë Prokuroria ka bërë të ditur se tri të dyshuarat janë ndaluar për 48 orë me akuzën e “Sulmit” dhe “Ndihmës në kryerjen e sulmit”.
Reagime të shumta nga personalitete të ndryshme të cilët kanë bërë thirrje që të dyshuarat të vihen sa më parë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
Bija e gruas së moshuar e cila është keqtrajtuar fizikisht në një qendër për të moshuar në Pejë, nën emocione ka thënë se është e tronditur nga dhuna e shfaqur ndaj nënës së saj.
Ajo së bashku me familjarë të tjerë e kanë tërhequr nga shtëpia e pleqve “Orenda” në Pejë.
Zhaneta Nura, ka dhënë detaje në lidhje me rastin që i ka ndodhur nënës së saj, duke thënë se atë e ka vizituar minimum një herë apo dy herë në javë.
Nura, u shpreh se para katër dite në vizitën e saj, në qendrën për të moshuar, ka vërejtur shenja dhune në faqen e nënës së saj, por që nuk ka besuar se këtë mund ta kishin bërë punëtorët e qendrës.
“Minimumi një herë apo dy javë e kam vizitu, para katër a pesë dite e kam parë një shenjë dhune në faqe, por me më shku mendja në një rezidencë që ka dhunë me standarde zvicrane, aspak. Nënën e kam tërheq automatikisht, tash unë mendoj dhe shpresoj shumë që drejtësia ta qet në dritë këtë punë. Nënës time i ndodhi por mos t’i ndodhë tjerëve”, ka deklaruar ajo në një lidhje direkte në Debat Plus.
“Të ushtroj dhunë në një grua 70 vjeçare, tri infermiere njëra nga to kishte ushtru dhunë maksimale me ja lidhë durtë e dy tjerat me përqesh ky është fundi i botës. Jam shumë e emocionuar”, ka vijuar ajo.
Dhëndri i të moshuarës gjithashtu ka thënë se fatkeqësisht nuk kanë mundur ta identifikojnë dhunën më herët pasi ajo vuan nga sëmundja e alzheimerit.
“Zonja M.N është banore e kësaj qendre qe një vit. Me publikimin e videos në medie jemi shqetësuar që të gjithë dhe bashkëshortja ka kërkuar që ta tërhekim nga kjo qendër. Ne nuk kemi mund me ditë pasi ajo vuan nga alzheimeri, prandaj se kemi ditë”, ka thënë ai.
Kjo është gjendja e të moshuarës, që u rrah në mënyrë monstruoze nga infermierja
Reagime pati edhe nga institucionet e shtetit ku kanë kërkuar nga organet e drejtësisë ku kanë bërë thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se ajo që është parë sot ishte e tmerrshme, dhe se nuk ka qytetarë i cili s’është shokuar.
“Ajo që pamë sot ishte e tmerrshme. Nuk ka qytetar i cili s’është shokuar, kurse institucionet me të marrë vesh sulmin mbi nënën, të moshuaren, në Qendrën Strehimore në Pejë, janë aktivizuar dhe kanë vepruar. Të moshuarit janë më të dashurit tanë. Ata kanë kontribuar në shoqëri në aq shumë aspekte për kohën më të gjatë sesa të gjithë ne të tjerët. Do të qëndrojmë pranë tyre si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndenjën dhe përkujdesjen qytetare”, ka shkruar Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje.
“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë”.
“Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje”.
“Nga Policia e Kosovës jam njoftuar që deri më tani janë arrestuar dy nga dhunueset dhe hetimet po vazhdojnë. Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, tha Sveçla.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjithashtu ka reaguar për rastin e sulmit ndaj të moshuarës në shtëpinë e të moshuarve në Pejë.
Ajo thotë se ky rast na ka tronditur të gjithëve, duke shtuar se institucionet përgjegjëse janë duke e bërë punën e tyre.
Ministrja tutje shton se hetimet duhet të thellohen dhe se menaxhmenti duhet të jap llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente.
Për rastin e dhunës është lëshuar deklaratë edhe nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, duke u shprehur se dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet.
“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë. Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit. E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme. Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme“, thuhet në deklaratë.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri përmes një reagimi bëri të ditur se Komuna e Pejës nuk menaxhon me asnjë institucion i cili ofron këso shërbimesh. Madje, ai ka ftuar Inspektoriatin e Shëndetësisë dhe organet e rendit që ta trajtojnë këtë rast.
Rastin e dhunës e dënuan edhe Oda e Infermierëve, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së dhe Rrjeti i Grave të Kosovës.
Reagime të shumta pati edhe nga politikanë të partive në Kosovë, ku u shprehën të tronditur me rastin dhe kërkuan të merren masa të menjëhershme ndaj autorëve të kësaj dhune.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë që “pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo insitucion shtetëror sot”.
Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që i tërë zingjiri menaxhues dhe autorët e këtij krimi, të dalin para drejtësisë.
“E papranueshme dhuna e shfaqur në video. I tërë zinxhiri menaxhues dhe autorët e këtij krimi, të dalin para drejtësisë. Rastet e tilla janë aq sa të dhimbshme po aq të neveritshme dhe nuk kanë vend në Kosovën tonë! Nanat, të moshuarit dhe çdo kategori e ndjeshme e shoqërisë tonë, meritojnë trajtim dhe dinjitet. Uroj që këto raste të mos përsëriten më kurrë!”, ka shkruar Haradinaj.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur i shokuar nga ngjarja duke shtuar se “këtu vihet në pah edhe paaftësia institucionale për të monitoruar institucionet e kujdesit për të moshuarit në mbarëvajtjen e punës”.
“Për më shumë, dhembja është edhe më e madhe kur bëhet fjalë për keqtrajtimin e një nëne të dëshmorit të lirisë. Por, fatkeqësisht, këtu vihet në pah edhe paaftësia institucionale për të monitoruar institucionet e kujdesit për të moshuarit në mbarëvajtjen e punës”, tha Krasniqi.
Ai tha se krahas vënies para përgjegjësisë për stafin e papërgjegjshëm që lënduan një zonjë të moshuar, institucionet përgjegjëse e kanë për obligim që të sigurojnë ambient të sigurt për të moshuarit që kanë nevojë për shërbime ndaj tyre në institucionet e tilla.
Krasniqi tha se drejtësia duhet të veprojë fuqishëm sot, që nesër rastet e tilla mos të përsëriten.
Reagime, kërcënime dhe arrestime të reja – çka ndodhi në orët e para të mbrëmjes
Reagim pati edhe nga vetë Shtëpia e të Moshuarve “Orenda” në Pejë, ku Anton Rasaj, një prej aksionarëve të qendrës private, ka thënë se kanë larguar personelin nga puna derisa ka thënë se do t’i ndjekin ato për dëmin e shkaktuar.
Pak minuta pasi dha këtë prononcim për media, zhvillime të reja ndodhën në lidhje me rastin, ku Policia e Kosovës arrestoi burrin e njërës së infermiereve që janë të përfshira në dhunë, pasi i njëjti kërcënoi pronarin e “Orenda”-s.
Vlen të theksohet se pas këtij rasti monstruoz, familjarët filluan t’i nxjerrin të moshuarit nga shtëpia.
Këcënime se tortura brenda shtëpisë ka pasur edhe më herët, ka thënë ish-menaxherja e Shtëpisë, duke bërë thirrje që sa më parë të mbyllet ky institucion.
Lexo më shumë: Kemi informata që është ushtruar dhunë edhe tek të moshuarit e tjerë
Aurona Pelaj, para dhe pas arrestimit – çka deklaroi ajo
Aurona Pelaj, para se të ndalohej nga policia e ka publikuar videon ku shihet vetë ajo në rrjete sociale me mbishkrimin: Marre!
Ajo e konsideron veprim të turpshëm publikimin e videos pasi justifikohet duke thënë “kjo video ka kohë”, ndërsa më pas shton: Gjëra të pavërteta!
“Kjo video ka kohë. Kam kërkuar falje për trajtimin e zonjës. Kam një jetë private, ju lutem mos shpërndani gjëra të pavërteta”, shkruan Pelaj.
Pas arrestimit nga Policia, Gazeta Sinjali, ka siguruar detaje nga dëshmia e të dyshuarës kryesore, Aurora Pelajt, e cila është shprehur e penduar, duke u arsyetuar se viktimën e sulmoi në vetëmbrojtje. Publikimin e videos ajo e konsideron si të qëllimshëm, për shkak se dje e ka lënë punën në këtë qendër. Dhunën që ka ushtruar ndaj saj, ajo e ka arsyetuar duke thënë se “ajo e para më ka sulmuar”, teksa ka thënë se viktima ka kaluar atë ditë kriza nervoze dhe ka shkaktuar ‘telashe’ në hapësirat e qendrës.
Babai i infermieres dhunuese: I kërkojmë falje publike familjes Nura dhe popullit shqiptar
Babai i infermieres që e sulmoi fizikisht të moshuarën në Pejë, Naim Pelaj, ka kërkuar falje publike për veprimin e së bijës.
Ai,falje publike i kërkon edhe familjes së të moshuarës Nura nga Gjakova, duke thënë se pamjet e publikuara e kanë goditur rëndë atë dhe familjen.
“E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë, Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin qe ju ka shkaktuar vajza jonë”, ka thënë Pelaj.
“E di që po kaloni momente të rënda, por na lejoni që t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë”.
Pelaj ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të merren me rastin në fjalë.
“Gjithashtu, në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat, për të cilat e ngarkojnë”, ka thënë Pelaj për Klan Kosovën.
Prokurori i Pejës: Kemi informata që është ushtruar dhunë edhe tek të moshuarit e tjerë
Dorian Junikui, prokuror i Prokurorisë së Pejës, në Debat Plus, ka bërë të ditur se prokuroria ka informata se në qendrën e të moshuarve në Pejë, mund të ketë raste të tjera të dhunës, edhe ndaj të moshuarve të tjerë, përveç asaj që u raportua gjatë ditës së mërkurë.
Juniku, theksoi se prokuroria është ende në fazën hetimore, dhe se nuk do të ndalen derisa ky rast të zbardhet.
“Jemi në fazën fillestare hetimore, që në fund të kompletojmë rastin dhe të kemi një pasqyre të qartë se çfarë ka ndodhur, nuk do të ndalemi deri sa të sqarohet i gjithë rasti”, ka thënë ai.
“Është autorizuar policia, që të vazhdojë edhe të personelit por edhe të tjerëve që janë vendosur aty. Kemi dyshime që këto raste mund të kenë ndodhur edhe më herët”, ka vijuar ai.
Për këtë rast janë arrestuar tre persona. Aurona Pelaj, e dyshuara kryesore e cila shihet në video derisa e godet gruan e moshuar, në polici ka deklaruar se ka qenë duke u vetëmbrojtur.
Lexo më shumë: Viktimizohet Pelaj në Polici: Ajo më sulmoi e para, duhej të isha dominante – e paralajmërova/Enis Rrustemi- Periskopi/












