Sami Lushtaku në Facebook: Asnjëherë nuk jam akuzuar për korrupsion

Sami Lushtaku në Facebook: Asnjëherë nuk jam akuzuar për korrupsion

Kryetari i degës së PDk’s në Skënderaj, Sami Lushtaku, ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të shprehur shqetësimet e tij personale lidhur me zhvillimet e fundit brenda PDK’s.

Statusi i tij, ka të bëjë me nismën e kryetarit të PDK’s, Kadri Veselit, për të pastruar radhët e këtij subjekti politik nga figura që janë të përfshira në raste korruptive, nepotizëm, apo që ndaj tyre janë ngritur aktakuza.

Në shkrimin e tij, Lushtaku shpreh shqetësimin se pa të drejtë është lakuar emri i tij, si njëri nga zyrtarët e mundshëm të kësaj partie që duhet të largohet nga strukturat drejtuese të saj për shkak shumëherë ka qenë i përfshirë në procese të ndryshme gjyqësore.

“Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare.”, ka shkrur mes të tjerash Lushtaku.

Më poshtë e keni shkrimin e tij të plotë, të shkruar me një shqipe standarde dhe pa asnjë gabim drejtshkrimor.

“Ditëve të fundit në media është lakuar pa të drejtë emri im, lidhur me disa vendime të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës. Dëshiroj të sqaroj që unë së fundi jam zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj me mbi 90% të votave nga delegatët e Kuvendit të Degës dhe pastaj anëtar i Këshillit Drejtues në Konventën e IX të PDK-së, në nivelin qendror. Mandatin ma kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të më ndëshkojnë me votën e tyre për mospunën time.

Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare. E vetmja aktakuzë, dhe të cilën as tash e tutje nuk e pranoj, lidhet me transferimin tim në organet e zbatimit të drejtësisë në veri, ku konsideroj se do të rrezikohej jeta ime. Kësisoj, unë kam përshtypjen se askush nuk e ka qëllimin të më përjashtojë nga partia, në të cilën jam mishëruar dhe jam pjesë e saj që nga fillimi.

Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

E nuk e besoj që duhet të luhen lojëra si viktimizimi i figurave të tilla si Gjenerali Agim Çeku e të tjerë për asnjë arsye.”

Dikur një figurë tejet e pushtetshme brenda PDK’së, duket se viteve të fundit influenca e tij ka filluar të bie.

I konsideruar si bulldozer i votave për PDK’n, si njeriu që ka përcaktuar se cilët do të jenë deputetët e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Lushtaku në Konventën e fundit të PDK’s, ka dalur mjaft zbeht për nga votat që ka marrë. Ai nuk ka qenë në listën e atyre më te votuarve.

Bile, në këtë Konventë  Lushtaku me vota ka qenë larg edhe prej disa figurave minorene për nga influenca brenda këtij subjekti politik.

Burime të Periskopit brenda kësaj partie tregojnë se nisma e Veselit për të larguar nga PDK figurat e përfshira në raste korruptive ose si të dyshuar për vepra të këtij lloji po hasë në rezistencë nga ata të cilët për shumë vite kanë krijuar pushtet dhe pasuri marramendëse dhe që besohet se nuk do të dorëzohen lehtë përballë fushatës së Veselit.

Ndryshe, iniciativa e Veselit është përkrahur edhe nga faktori ndërkombëtar.

Mes tyre shumë i qartë ka qenë edhe ambasadori amerikanë në Prishtinë, Philip Kossnet, i cili e ka mbështetur këtë fushatë si të drejtë dhe që duhet çuar deri në fund.

Shpërndaje në: