Shkruan VICE: Ky është rrëfimi për narko-shtetin e parë në Evropë, Shqipërinë

Shkruan VICE: Ky është rrëfimi për narko-shtetin e parë në Evropë, Shqipërinë

Ky artikull është marrë nga VICE dhe është përkthyer, përshtatur e shkurtuar për botim nga PERISKOPI. 

Gjenerata e shqiptarëve të rinj janë të zënë mes politikës së krimit të organizuar, papunësisë së madhe, dhe keshit të shpejtë që vjen nga droga e klasit A.

Ishte janari dhe ndodhesha në një mëhallë të lodhtë të Tiranës kur u takova me dy trafikantë vendorë kokaine që ishin kthyer pas një udhëtimi për të bërë kontrabandë në Gjermani. Si shumë të rinj të tjerë që merren me drogë në Shqipëri, Artani dhe Luli kishin kërcyer nga trafikimi i kanabisit në shitjen e kokainës, për shkak se kjo jepte më shumë para dhe ishte më e kollajshme. Ata më thanë se mund t’i bënin deri në 20 mijë Euro duke kontrabanduar vetëm 1 kilogram të kësaj substance në ndonjërin prej vendeve evropiane, ku tregu i kokainës po zgjerohet.

Mes rrëfimeve maçiste të rrahjes me grushta hekuri dhe me shkopa bejzbolli, ata flasin edhe për ora Rolex, kerret e shpejta dhe çikat e bukura. “Siç ndoshta po e shihni,” thotë Artani, “nëse doni të arrini diçka, duhet të udhëtoni për në Gjermani, Itali apo Angli. Kokaina është punë e mirë.”

Që kur ndodhi kriza financiare në të ’90-at çoi në mjerim e kaos civil, gjenerata e shqiptarëve të rinj e ka gjetur veten të ngujuar nën rrjetën e varfërisë dhe korrupsionit. Për disa, tregtia e drogës ofron një rrugëdalje nga ajo gjendje. Por kontrabanda e drogës këtu nuk është diçka e re; është një tregti që ka rrënjë të thella në Shqipëri. Pavarësisht se është vend i NATO-s dhe po pret t’i çelet rruga për të hyrë në Bashkimin Evropian, Shqipëria është bërë i pari narko-shtet i Evropës.

Sipas definicionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për narko-shtetin, i tillë është “ai vend ku të gjitha institucionet legjitime bëhen të depërtuara nga pushteti dhe pasuria e tregtisë ilegale të drogës’, si Venezuela, Guinea-Bissau dhe Afghanistani, Shqipëria është gjunjëzuar në paratë e drogës.

Protestat e Evropës

 

Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan i vitit 2018 e përshkruante Shqipërinë si shtëpinë e “korrupsionit të pafre, institucioneve të dobëta legale e qeverisëse dhe e kontrollit të dobët të kufijve” me trafikim troge, evazion të taksave, kontrabandë dhe trafikim me njerëz si krimet më profitabile. Droga është biznes shumë i madh këtu.

Ky shtet i vogël e malor ish komunist në bregun adriatik është prodhuesi më i madh i kanabisit ilegal në Evropë. Në vitin 2017, policia në Shqipëri i konfiskoi 68 ton marihuanë, me vlerë prej rreth 650 milionë Eurosh. Por trafikimi i kokainës është ajo që po e jep Shqipërisë statusin e narko-shtetit. Përgjatë dekadës së kaluar, ashtu siç zbuloi Vice, bandat shqiptare dhe ekipet e rrugës si Hellbanianz janë bërë lojtarë të mëdhenj në tregun fitimprurës të kokainës për në Mbretërinë e Bashkuar dhe në mbarë Evropën. Bandat shqiptare kanë bërë emër për veten e tyre duke shitur kokainë të kualitetit të lartë.

Kontrabanduesit shqiptarë kanë vendosur linja direkte furnizimi përmes Amerikës Jugore dhe porteve më të mëdha të kokainës në Evropë që ndodhen në Belgjikë dhe Holandë. Në muajin shkurt të vitit të kaluar, policia i zuri 613 kilogramë kokainë të fshehura në një anije të ngarkuar me banane nga Kolumbia që kishte ardhur nga porti lindor i Shqipërisë, Durrësi. Ka pasur edhe një rritje konkurrence mes kriminelëve të dyshuar me origjinë shqiptare që po vriten në Amerikën Jugore. Në vitin 2017, Remzi Azemi, një shqiptar i Kosovës që pretendohet se shiste kokainë, ishte vrarë në një stil gangsterësh pasi kishte udhëtuar me familjen e tij me një veturë të blinduar për në Ekuador. Një vit më herët, Ilir Hidri, një tjetër shqiptar i dyshuar se ishte i përfshirë në trafikim droge, u vra në të njëjtin vend të Ekuadorit, në qytetin Guayaqil.

Shqipëria është unike në Evropë sepse baronët e saj të drogës nuk janë thjesht njerëz që veprojnë jashtë ligjit. Ata kanë lidhje të forta me ata që po e udhëheqin vendin dhe shpesh edhe me ata që e kanë detyrën t’i ndjekin njerëzit që merren me ato krime.

Paratë e drogës janë pjesë thelbësore e sistemit demokratik të Shqipërisë, sepse mënyra më e mirë për të siguruar votat e njerëzve është që t’i blesh ato në kesh, dhe gjeneruesi më i mirë i keshit është tregtia me drogë. Një studim i financuar nga BE-ja (LINK), që u bë nga viti 2016 deri më 2019, gjeti se një numri tronditës prej 20,7 për qind të shqiptarëve i ishin ofruar para apo favore në këmbim të votës së tyre. Në janar, u zbulua që bandat e kokainës me sukses i kishin manipuluar zgjedhjet përmes blerjes së votave. Afrim Krasniqi, kreu i Institutit për Studime Politike në Shqipëri, tha se roli i bandave kriminale në zgjedhjet e 2017-s ishte edhe më i madh se roli i partive politike.

“Sot, ka një bindje të përgjithshme se askush nuk mund t’i fitojë zgjedhjet pa mbështetjen e këtyre grupeve,” tha ai.

Për shkak se tregtia e drogës është aq e nyjëtuar me njerëzit në pushtet, njësitë e inteligjencës britanike janë vendosur në Tiranë për të mbikëqyrur trafikuesit. Një anëtar i një ekipi ndërlidhës britanik i tha VICE-it, përcjell Periskopi, se kishin prova që informacionet që ata kishin mbledhur iu ishin dhënë dillerëve të drogës nga policia shqiptare. Britanikëve i janë bashkuar edhe ekipe nga ShBA-të, Holanda dhe Italia, të cilët vendosën të përfshiheshin pasi kishin zbuluar që informacionet të cilat po i ndanin me autoritetet shqiptare po përfundonin në duart e gabuara.

Dy ministrat e brendshëm të kryeministrit Edi Rama janë rrëzuar nga skandale të lidhura me drogën. I pari, Saimir Tahiri po përballet me akuza për trafikim droge dhe korrupsion. Emri i Tahirit ishte përmendur në disa përgjime të siguruara nga policia anti-mafia e Italisë. Ai u zëvendësua nga Fatmir Xhafaj, koha e shkurtër e të cilit si ministër i brendshëm përfundoi vitin e kaluar pasi gjysmë-vëllai i tij Agroni u dënua me shtatë vjet burg për trafikim droge në Itali. Edhe pse nuk ka ndonjë provë se Xhafaj ishte i përfshirë në mënyrë direkte në krimet e vëllait të tij, presioni i brendshëm dhe ndërkombëtar bëri që Edi Rama ta zëvendësonte me një tjetër.

Në vitin 2017, Ermal Hoxha u burgos me 10 vjet pasi mori pjesë në një operacion të trafikimit të 120 kilogramëve kokainë nga Amerika Latike për në Evropën Perëndimore. Ai është nipi i diktatorit të famshëm komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhës, që e udhëhoqi vendin për 41 vjet deri në vdekjen e tij më 1985.

Askush tjetër nuk ilustron afërsinë mes elitës shqiptare dhe lojtarëve të mëdhenj të drogës së saj apo rrëfimin se si ky vend po bëhet narkoshteti i parë i Evropës, se sa emri i Klement Balilit, pronari i një hoteli luksoz, ish shërbyes civil, dhe lord droge i përshkruar nga grekët që kërkonin arrestimin e tij si “Pablo Escobari i Ballkanit.” Një dosje 10 mijë faqëshe e kompiluar nga qeveria greke, dhe e rishikuar nga VICE, përshkruan perandorinë e tij 1 miliardë dollarëshe transkombëtare të narkotikëve, të ndërtuar nga kanabisi e nga kokaina dhe që dorëzohej në vende si Italia, Greqia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Balili e ndërtoi perandorinë e tij pas kolapsimit ekonomik të Shqipërisë në vitet ’90, të shkaktuar nga prishja e skemave piramidale që ishin mbështetur nga qeveria e asokohshme. Mes 1 deri në 2 milardë dollarë u zhdukën gjatë natës dhe familje të rëndomta i humbën kursimet e tyre. Sipas raportimit të 2016-s nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, kombinimi i papunësisë së lartë dhe rrogave të vogla bëri që bandat shqiptare të zgjeroheshin që nga ajo kohë.

Zyrtarisht, biznesi i Balilit ishte transporti, peshkimi dhe sigurimi. Në 2014, ai u emërua drejtor i transportit rajonal në rezortin bregdetar të Sarandës, një vend i njohur për trafikuesit e drogës. Përgjatë dekadës së fundit, Balili ka ndërtuar një rrjet hotelesh luksoze në bregdetin shqiptar.

Në vitin 2015, Ilir Meta që shërben si president i Shqipërisë edhe sot, i preu shiritin hotelit me pesë yje të Balilit, të quajtur Santa Quaranta. Bashkë me Metën ishin edhe ministri i atëhershëm i financave Arben Ahmetaj dhe deputeti socialist Koço Kokëdhima.

Vetë Balili ka qenë shumë i hapur për lidhjet e afërta që kishte me njërën prej partive politike shqiptare, Lëvizjen Socialiste për Integrim, LSI-në. Në një intervistë mediale këtë vit, Balili shpjegoi se emërimi i tij si Drejtor i Transporteve në Sarandë erdhi si këmbim për donacionet financiare që i kishte dhënë ai dhe familja e tij për LSI-në. Nipi i tij shërben si kryetar i qytetit të Delvinës nga po kjo parti.

Shqiptarët po presin të shohin nëse BE-ja do t’i hapë negociatat për anëtarësim në qershor, dhe së shpejti mund t’i hiqet lëvizja e lirë pa viza për në BE krejtësisht. Franca dhe Holanda tash po i shohin bandat e drogës si kërcënim aq serioz sa janë në gjendje t’i ndalojnë krejtësisht shqiptarët nga udhëtimi pa viza.

Kryeministri Edi Rama, një ish basketbollist që fitoi zgjedhjet më 2013 me retorikën anti-korrupsion, fitoi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar kur e çoi policinë në fshatin e njohur Llazarat ku po kultivohej kanabis. E megjithatë ai e ka pasur të vështirë t’i heqë nga vetja akuzat për mashtrim e korrupsion, që rezultuan në protesta të dhunshme antiqeveritare në Tiranë. /Periskopi

Shpërndaje në: