SHQETËSUESE: Opozita s’merr kurrfarë përgjigje nga ‘vigjilenca e Kurtit’ në pyetjen më të rëndësishme

Opozita qe e gatshme t’i shkojë kryeministrit Albin Kurti në takim, pasi ky i thirri dje, për sot (e martë 8 nëntor 2022). Ajo që kuptohet – të paktën nga deklarimet e liderëve të opozitës pas takimit me Kurtin – është mjaft shqetësuese. Dhe, është fakti se kryeministri Kurti, nuk është i gatshëm t’ia dëshmojë […]
Një pyetje jashtëzakonisht interesante ua bëri një koleg gazetar liderëve të opozitës pas takimit me Kurtin, një pyetje që na intereson të gjithëve, por deri tani nuk kemi përgjigje.
“Në çfarë faze po hyjmë tash kur kemi edhe një kërkesë direkte të SHBA-së për targat dhe Asociacionin”, tha kolegu gazetar në pyetjen për Memli Krasniqin e më vonë të njëjtën e bëri edhe për z.Abdixhiku.
“Pyetjet e tua janë edhe të miat, që janë shumë legjitime dhe fatkeqësisht s’kemi përgjigje. Kjo ka qenë arsyeja pse dje i kam dërguar letër kryeministrit”, tha Krasniqi, përcjell Periskopi.
“Por unë dal nga ky takim, jo shumë i sigurtë se kryeministri dhe qeveria, e dinë se në cfarë rruge kanë hyrë dhe si do të duhet të dalin suksesshëm prej kësaj rruge duke e rujtë tërësinë e Kosovës dhe funksionimin e shtetit ashtu sic e kemi pasë”, tha ai.
Edhe Lumir Abdixhiku, na shqetëson me përgjigjen se ‘nuk panë një plan nga Qeveria për të dalë nga kjo situatë’.
“Nuk pamë plan dhe nuk dëgjuam ndonjë plan konkret për dalje nga kjo situatë. Ne kërkuam plan konkret dhe kërkuam koordinim me aleatët tonë ndërkombëtarë. Kemi parasysh se destabilizimi buron nga sjelljet e Beogradit dhe Vuçiqit. Në përballje të tillë është jetike që Kosova të koordinohet me aleatët e vetë. Sot është akt patriotik për çdo zë në Kosovë, të koordinohet cdo gjë me aleatët tonë”, tha Abdixhiku.
“Nuk kuptuam diçka më të re sesa deklarimet publike që kryeministri i ka pasur dhe nuk pamë ndonjë zgjidhje për vakumin institucional të krijuar në vend. Nuk pamë një gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët tonë ndërkombëtarë. Për LDK-në, besojmë se koordinimi me SHBA-në, Departamentin e Shtetit, BE-së, është zgjidhja e vetme në këtë situatë. Kosova duhet të punojë ngushtë me aleatët për paqen dhe stabilitetin në territorin e vet”, tha Abdixhiku.
Kurti dje: Jemi në komunikim ‘real time’ me partnerët tonë
Në kohë reale (real time) jemi në koordinim me partnerët tonë ndërkombëtarë, tha dje kryeministri Albin Kurti, teksa u pyet për Amerikën. E kjo pyetje e acaroi paksa kryeministrin, i cili e përsëriti emrin më të madh në botë (Amerika) në stilin e tij dy herë: Amerika, Amerika (por jo Amelika si dikur).
I pyetur dje nga gazetarët lidhur me mesazhet amerikane për situatën e fundit dhe reagimet nga Ambasada amerikane, kryeministri Kurti deklaroi se ‘partnerët janë të njoftuar me veprimet e Qeverisë’.
Por pyetja që aktualisht shqetëson gjithë popullin është: Cili është qëndrimi i amerikanëve dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë të Kosovës, kur po folin me kryeministrin Kurti.
Në këtë pyetje, përveç deklaratave që janë lëshuar në fundjave nga Ambasada amerikane për median kosovare si dhe deklarimet publike të Kurtit që tingëllojnë kontraverse, ende nuk ka dikush një përgjigje.
RIKUJTOJMË: Zyrtarët serbë në veri të Kosovës edhe dje kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, deri më 7 nëntor, Kosova ka pranuar dorëheqjen e 461 zyrtarëve serbë të rendit, 107 policëve kufitarë dhe dhjetë hetuesve policorë.
Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës
Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.
Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës./Periskopi.












