Shteti mbytë shpresën e të rinjve super-talentë: Piloti kosovar viktimë e dallavereve në konkurs

Periskopi.com Lajme

 Amir Qorolli, një nga  talentët e rrallë të pilotimit, po diskriminohet nga shteti. I licencuar për pilot në Shkup, e i diplomuar për gradën e njëjtë edhe në Kosovë, kishte vendosur të konkurronte në Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC) për pozitën e ekspertit të aviacionit, por nuk ishte pranuar.  Gjatë vlerësimit  të kandidatëve, si kriter shtesë lypsej të kishin trajnime të kryera. Periskopi ka gjetur se gjatë vendosjes së kritereve, Agjencia Qendrore e Prokurimit ka kufizuar konkurrencën duke krijuar rrethana diskriminuese, apo duke përshtatur kriteret  për një kompani të caktuar dhe në këtë mënyrë duke favorizuar atë gjatë garës për fitim të tenderit.

Para pak jave, Amiri aplikoi në AAC në një pozitë që kishte të bënte me angazhimin  e një eksperti të aviacionit. Pasi kishte lexuar të gjitha kriteret, kishte vendosur të konkurronte. Por, u rrëzua gjatë vlerësimit të kandidatëve, pasi pos kërkesës së diplomës, aty ishte vendosur edhe  kriteri për trajnime të kryera. Amirit, nuk i është pranuar licenca e pilotit, por i është kërkuar ndonjë trajnim, që është shkallë dukshëm më e ulët.

Rreth dhjetë vjet më parë, Qorrolli si 16 vjeçar kishte filluar trajnimet për t’u pajisur me licencë për ngasjen e aeroplanëve privat. Pas një viti e gjysmë, në moshën 17 vjeçare në aeroportin e Stenkovecit në Shkup i riu nga Prishtina ishte pajisur me licencë private të Pilotit, pasi që në Kosovë nuk ekziston një mundësi e tillë.

Përkundër kësaj, ai u shkollua edhe në vendlindje, duke u pajisur me diplomë si  Bachelor i Arteve në Trafikun Ajror dhe Transport.

Kriteret diskriminuese

AAC-ja kërkoi një ekspert nëpërmjet procedurave tenderuese,  Agjencisë Qendrore të Prokurimit-AQP që është përgjegjëse për zhvillimin e prokurimeve të përbashkëta për autoritete kontraktuese. Rrjedhimisht ky institucion kryen të gjitha prokurimet edhe për Agjencitë në Kosovë të cilat janë në një numër të konsiderueshëm. AQP-ja kryen aktivitet e prokurimit edhe për AAC-në. Para pak javëve ka marrë përsipër që të kryejë edhe aktivitetin e prokurimit “Angazhimi i ekspertëve për Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës”.

Periskopi ka gjetur se gjatë vendosjes së kritereve, AQP ka kufizuar konkurrencën duke krijuar rrethana diskriminuese, apo duke përshtatur kriteret e DT për një kompani të caktuar dhe në këtë mënyrë duke favorizuar atë gjatë garës për fitim të tenderit.

Ky tender ka qenë i ndarë në dy pjesë- lot 1: Ekspert i Aviacionit, dhe lot 2: Ekspert për menaxhimin e projekteve dhe raportimit.

Vlera e parashikuar e kontratë për dy lot ka qenë 54 000,00 euro.

Lot 2 është anuluar në mungesë të ofertave të përgjegjshme.

Për lot1, kanë konkurruar 4 operatorë ekonomik, konkretisht persona, Amir Qorolli, Jeton Istogu, Ersen Shileku   dhe Bafti Sallahu.

AQP e ka rekomanduar për kontratë, Ersen Shilekun me vlerë të ofertës 34, 200.00 euro me kohëzgjatje prej 36 muajve.

Kriter kryesor ka qenë ‘çmimi më i lirë’ dhe Qorolli kishte vendosur çmime më të lira se sa kandidati i rekomanduar për kontratë për rreth 15 mijë euro, por është eliminuar me arsyetimin se nuk ka përmbushur dy kërkesa.

Sipas Komisionit vlerësues të AQP-së, kandidatët Ersen Shileku dhe Jeton Istogu kanë plotësuar te gjitha kërkesat teknike dhe profesionale.

Kriter i vendosur tek kapaciteti teknik dhe profesional ka qenë dëshmia e kërkuar dokumentare: Personi Fizik duhet të ketë të përfunduar së paku një trajnim profesional në fushën e aviacionit nga institucionet ndërkombëtare, IATA, ACI ose EUROCONTROL.

“Armir Qorolli nuk ka plotësuar kushtet teknike profesionale si në vijim: Kandidati Armir Qorolli në ofertën e tij nuk ka dëshmuar që ka përfunduar ndonjë trajnim në fushën e aviacionit civil sipas FDT tek pika 7.1 të dosjes së tenderit po ashtu nuk ka plotësuar siç duhet formularin e tenderit ku ka mospërputhje në mes të përshkrimit të çmimeve dhe formularit të dorëzuar ku vlera totale në përshkrim është 18,720 € ndërsa në formular është 520 €. Prandaj bazuar në nenin 39.8 të RRUOP-së oferta e tij konsiderohet e papërgjegjshme”, thuhet në vlerësimin e AQP-së në ofertën e Qorollit.

Sipas dokumenteve të ngarkuara në E-prokurim, Periskopi ka parë se Qorolli, në vend të një certifikate të trajnimit profesional në fushën e aviacionit, ka ofruar me licencë të pilotit, që është shkallë dukshëm më e lartë, pasi ai dokument i lejon që të pilotojë, ndërsa me certifikatë të trajnimeve nuk mund të pilotohet, apo nuk dëshmojnë se një person është më profesional në fushën e aviacionit, pasi vetë licenca merret pas një trajnimi mbi një vjeçar.

Përpos kësaj, kjo kërkesë ka qenë në kundërshtim me vet Ligjin Nr3 /L-051 për Autoritetin e Aviacionit Civil.

Neni 37 i këtij ligji -Licenca dhe Kualifikimi i Personelit të Aviacionit, thotë se “Çdo person i cili veproni si personel i aviacionit duhet të posedoje dhe kualifikim përkatës të lëshuar apo të shpallur të vlefshme nga AAC-ja, sipas këtij ligji dhe rregulloreve përkatëse të zbatimit. Dhe klasifikimi nënkupton çdo shënim në licencë, i cili thekson kushtet, privilegjet, apo kufizimet speciale. Kjo dispozitë aplikohet edhe për personelin e nagivimit ajrorë dhe të mirëmbajtjes, si dhe për zyrtarët e operimit të fluturimeve, operatorët e stacionit aeronautika dhe për instruktoret e flurimit”. Po ashtu tek neni 38 i këtij ligji -Njohja e licencave dhe klasifikimi i personelit të aviacionit, thuhet se “Licenca dhe klasifikimet e personelit të aviacionit të lëshuara apo të njohura si të vlefshme në një vend të huaj shpallën të vlefshme nëse kushte në bazë të të cilave janë lëshuar ato licenca dhe klasifikime janë të njëjta apo më të larta se standardet e themeluara sipas këtij ligji”.

Pra, licenca e Qurollit të cilën e ka parë Periskopi e cila është fituar nga shteti Maqedonisë është e pranueshme nga AAC-ja e Kosovës.

Tek arsyetimi i dytë i eliminimit, është thënë se “Qorolli nuk ka plotësuar siç duhet formularin e tenderit ku ka mospërputhje ne mes te përshkrimit te çmimeve dhe formularit te dorëzuar ku vlera totale ne përshkrim është 18,720 euro ndërsa në formular është 520 euro. Prandaj bazuar ne nenin 39.8 të RRUOP-së oferta e tij konsiderohet e papërgjegjshme”.

Bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, kjo arsye nuk qëndron, pasi çmimi në vlerë prej 520 euro është vendosur për njësi (për një muaj), dhe vlera tjetër e vendosur në dokumentin tjetër prej 16, 720 euro është çmimi total për 36 muaj, aq sa është kërkuar të zgjasë kontrata. Pra,  520 x 36 del shifra prej 18, 720 euro, dhe siç shihet nuk janë vendosur dy çmime të ndryshme. Por, në njërin dokument çmimi për njësi, dhe në tjetrin, çmimi total. Lidhur me këtë çështje, gjatë hapjes së ofertave, autoriteti kontraktues ka mundur të kërkojë sqarime shtesë nga ofertuesi, pasi kjo është e paraparë edhe me ligj.

Këtë situatë e ka sqaruar edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik -KRPP, institucion që është i thirrur të bëjë interpretimin e ligjit. Në ueb-faqen e KRPP-së tek rubrika Pyetje dhe Përgjigje është dhënje sqarim në pyetjen “Si të veprohet në rastet kur lista e çmimeve jo-standarde gjatë përdorimit të platformës elektronike nuk nënshkruhet dhe vuloset nga Operatori Ekonomik”. Lidhur më këtë, KRPP-ja ka shkruar se “Konform nenit 87, paragrafi 2, nënparagrafi 2.8 i Ligjit Nr. 04/L për Prokurimin publik, KRPP ofron këtë interpretim ligjor: Gjatë hartimit të dosjes së tenderit, autoriteti kontraktues mund të përdorë dy lloje të listës së çmimeve: Listën e Stadardizuar, dhe Listën jo-standardizuar. Nëse autoriteti kontraktues përdorë Listën e çmimeve “standarde” (formularin nga sistemi), operatori ekonomik ka në dispozicion dy opsione për të shënuar çmimet e ofruara: a) Shënimi i çmimeve në mënyrë manuale në formën e siguruar nga sistemi ku vendoset çmimi për njësi dhe norma e TVSH për çdo artikull, b) Shkarkon dokumentin Exel Lista e Çmimeve (nga ekrani i Njoftimit të Kontratës), plotëson atë dhe ngarkon përsëri në sistem”.

Periskopi ka shtruar disa pyetje në adresë të AQP-së, lidhur më këtë tender. Na thënë se pyetjet duhet të çohen tek Autoriteti i Aviacionit Civil, pasi sipas tyre, ata ka bërë përpilimin e specifikave teknike.

“Referuar kërkesës suaj në lidhje me aktivitetin e prokurimit “Angazhimi i ekspertëve të Aviacionit Civil të Kosovës”, ju lutemi i drejtoheni njësisë së kërkesës Autoritetit të Aviacionit Civil në e-mail [email protected] sepse ata janë përpilues te specifikacionit teknik/përshkrimit te detyrave të punës dhe kritereve teknike/profesionale dhe besojmë do te ju përgjigjen ne kërkesat tuaja”, kanë thënë nga AQP-ja për Periskopin.

E Autoriteti i Aviacionit Civil ka kthyer përgjigje vetëm në një pyetje të Periskopit, jo edhe në tjerat që kanë të bëjnë me vendosjen e kritereve. Megjithkëtë, ACC-ja ka kthyer disa paragrafë më përgjigje për Periskopin dhe për një medium tjetër. Pra një palë përgjigje ka dërguar tek dy mediume.

Periskopi ka parë se kandidati Qorolli ka ngarkuar në E-prokurim edhe një fotografi ku shihet drejtori i ri i AAC-së, Bujar Ejupi së bashku më kandidatin e rekomanduar për kontratë, Ersen Shileku.

AAC-ja është përgjigjur në pyetjen e Periskopit se cila është lidhja e drejtorit Ejupi me kandidatin Shileku. Ata kanë thënë se “AAC ka pranuar ankesën, me pretendimet  e njërin kandidat, ku ndër të tjerash ankesa është fokusuar ne faktin se njeri nga kandidaten pjesëmarrës ne tenderim ka njohësi personale me Drejtorin e Përgjithshëm. Drejtori I përgjithshëm pas pranimit te kësaj ankese është përgjigjur edhe për AQP si ne vijim: Unë kam një koment vetëm me pjesën ku përmendem specifikisht, pra vetëm pjesën lidhur me foton të cilën e ka ofruar z. Armir Qorroli dhe komenti im është  si në vijim: Unë njihem me z. Shileku pasi që për një kohe kemi punuar në një organizatë, në ANP dhe ne ASHNA. Por nuk kam asnjë lidhje tjetër familjare ose afariste me z Shileku qe me ndërlidh me personin ne fjale, sidoqoftë ne rast se ekziston rast i konflikti te interesit atëherë duhet te sqaromë edhe me Agjencionin Anti Korrupcion”.

“Duke pas parasysh se është kërkuar ekspert i aviacionin, probabiliteti që eksperti i Aviacionin të jetë person i njohur për mua është shume i madh duke pas parasysh se punoj rreth 20 vjet në fushën e Aviacionin dhe sigurisht që përgjatë karrierës time kam takuar shumicën e personave me përgatitje në fushën e Aviacionit. Pra, Këtu përfshihet edhe z Armir Qorroli, i cili për një periudhë ka mbajt praktik ne AAC dhe për te cilin po ashtu kam ndaj respekti si njohës i fushës së Aviacionit. AAC  kërkon nga të gjithë kandidatët  që nëse kanë fakte për keqpërdorime në procesin e prokurimit ato ti paraqesin para institucioneve të zbatimit te ligjit. Sa i përket pretendimeve të z. Qorolli, Drejtorit i AAC-së njihet edhe  me kandidatin që është ankuar, por edhe me kandidatet tjerë për faktin se është kërkuar ekspert ne fushën e Aviacionit, pra  edhe me Z Amir Qorolli, pasi që i njëjti ka kryer praktik në AAC për më shumë se 3 muaj. AAC ka kërkuar sqarim nga Agjencioni Anti-Korrupcion, se njohja e mëhershme me kandidatët, a paraqet konflikt të interesit, dhe nëse kjo paraqet konflikt i interesit atëherë do të kërkojmë që AQP si bartëse i procesit te prokurimit të veproj sipas dispozitave në fuqi”, thuhet tutje në përgjigje.

Për korrektësi ndaj lexuesve kjo është pjesa tjetër e përgjigjes së përgjithësuar të ACC-së, por se nuk është përgjigjur konkretisht në disa pyetje të Periskopit:

 

Qorolli nuk ka dashur të flas për Periskopin. Ka thënë shkurtë se do të bëjë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, brenda afatit ligjor, pasi siç tha ai ka pasur shkelje flagrante nga ana e Autoritetit kontraktues lidhur me këtë procedurë të prokurimit, e cila aktualisht është pezulluar. /M.B-PERISKOPI/