Skandal: ZRRE-ja tenton të kontrabandojë tarifat vjetore në rishqyrtim të jashtëzakonshëm

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), po tenton të “kontrabandojë” tarifat e reja të energjisë elektrike për një vit duke shfrytëzuar procesin e rishikimit të jashtëzakonshëm të tarifave që pritet të bëhen këto ditë si pasojë e krizës energjetike në të cilin po kalon vendi. Periskopi më poshtë ju sjellë detaje sesi ZRRE po planifikon […]
ZRRE këto ditë pritet të vendosë për tarifat e reja të energjisë elektrike, mirëpo sipas raportit konsultativ të hedhur në konsultim publik me 17 janar 2022, ZRRE ka paraparë që tarifat e jashtëzakonshme që vendosen tash të vlejnë deri në rishikimin e tarifave në vitin 2023.
ZRRE në raportin e saj konsultativ ka paraqitur që tarifat e reja të vendosen nga data 1 shkurt 2022 deri me 31 mars 2023. Vendosja e tarifave të reja me rritje të çmimit të energjisë elektrike deri në vitin 2023 gjatë rishikimit të jashtëzakonshme, bie ndesh me Rregulloren 15/2017, Për vendosjen e të hyrave për furnizim me shërbim universal (Rregulla për të hyrat në FSHU).
“Shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave duhet të jetë në përputhje me kërkesat e Rregullës nr. 15/2017, Për vendosjen e të hyrave për furnizim me shërbim universal (Rregulla për të hyrat në FSHU), neni 11, pika 2: “Gjatë shqyrtimeve të jashtëzakonshme do të llogaritet ndikimi i ngjarjes së jashtëzakonshme në të hyrat e rregulluara të shërbimit universal për pjesën e mbetur të periudhës rregullative. Nëse ndikimi është me i lartë se pragu u materialitetit, atëherë do të behet përshtatja në të hyrat e rregulluara të shërbimit universal. Pragu i materialitetit do të jete 5% e të hyrave, përveç nëse përcaktohet ndryshe në marrëveshje të përbashkët në mes të FSHU-së dhe Rregullatorit”, thuhet në Rregulloren e ZRRE-së.
Në anën tjetër, Periskopi ka pyetur ZRRE-në, se “a ka të drejtë ZRRE të vendos tarifa vjetore gjatë shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave sepse sipas legjislacionit në fuqi, vendosja e tarifave vjetore bëhet gjatë shqyrtimit të rregullt të tarifave?”, mirëpo nga ky institucion nuk janë përgjigjur konkretisht në pyetjen tonë.
“Zyra e Rregullatorit për Energji është autoriteti i vetëm në vend që vendos për tarifa të Energjisë. Miratimi i tarifave është i përshkruar në nenin 48 të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë (Ligji Nr. 05/L-084)”, thuhet në ‘përgjigjen’ e ZRRE-së dhënë Periskopit.
Sipas Rregullës 15/2017, Për të hyrat e FSHU-së, neni 2, paragrafi 1.3, Përshtatja Vjetore, nënkupton përshtatjen e të hyrave të lejuara dhe tarifës së rregulluar me pakicë, të realizuar në fund të çdo viti relevant, që nwnkupton periudhën 12 mujore mes të përshtatjeve vjetore dhe kjo në asnjë rast nuk përcakton se me shqyrtimin e jashtëzakonshëm mund të përcaktohen tarifa vjetore.
Ndryshe, vërejtje në propozimin e ZRRE-së kanë pasur edhe instititucione të ndryshme të cilat janë adresuar përmes kometeve të dërguara në ZRRE. Kështu, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë me Seli në Vjenë, ka vlerësuar se propozimi për të mbajtur të pandryshuara tarifat për konsumatorët komercial (bizneset dhe industrinë) duket se është në kundërshtim me parimin e reflektimit të kostos, derisa ka propozuar që blloku tarifor që nuk preket nga rritja e çmimit prej 600 kw të rritet.
Në linjë me Komunitetin e Energjisë janë shprehur edhe Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Financave, të cilat kanë kërkuar që rritja të prek të gjitha kategoritë e konsumatorëve duke shmangur diskriminimin.
Ndërkohë, tarifat e reja të propozuar nga ZRRE, ngjallën reagime të shumta si dhe protesta të partive politike dhe qytetarëve.
Ndryshe, pas përfundimit të afateve për dërgimin e komenteve për tarifat e reja, ZRRE pritet që së shpejti të marrë vendim për tarifat e reja. Lutemi që të mos jenë ato që i kishte propozuar fillimisht sepse parashiheni një rritje prej 60% të energjisë elektrike e që do t’i rëndonte xhepat e qytetarëve të Kosovës./Periskopi/












