Skenderaj, ranë këto vërshime e u pamë…

Skenderaj, ranë këto vërshime e u pamë…

‘Qeshtu jau kthen Zoti kur e vjedhni popllin’, ishte ndër komentet e para në live-feed që shpërndahej dje nga vërshimet në komunën e Skenderajt.

Makina të përmbytura, drunj të shkulur përplaseshin nëpër shtëpi, dyqane e markete të qytetit; banorë të zënë në befasi duke u përpjekur të shpëtojnë familjarë, fqinjë – të vetmuar dhe të dëshpëruar.


(Foto: Veturat në Skenderaj) 

Nuk shihej kund ndonjë ekip i FSK-së apo i policisë; një kamion zjarrfikësish sillej kot duke mos e kuptuar se nuk është dita për të.

(Foto: Skenderaj i përmbytur nga uji) 

Vetëm disa zyrtarë komunalë kishin marrë mbi vete detyrën e kërkim-shpëtimit, duke thyer dyert e shtëpive për të nxjerrë të moshuarit e ngujuar.

(Foto: Zyrtarë komunalë në ndihmë për të evakuuar banorë) 

Këto ishin përshtypjet që Kosova mori dje nga fatkeqësia e Skenderajt. Përqeshje e mallkim nëpër rrjete sociale, indiferencë nëpër media, injorim nga shteti. As mëngjesi i sotëm nuk qe ndryshe. Kryeministri i Kosovës vizitoi qytetin e Istogut që po ashtu u përball me vërshime – edhe pse në shkallë më të vogël – dhe kaloi nëpër Skënderaj pa e ndaluar asnjë çast eskortën e vet.

(Foto: Kurti sot në Istog) 

Ajo që pamë dje dhe sot është e qartë: ndasitë politike e mosdurueshmëritë rajonale arritën kulmin e vet të turpshëm në mungesë të plotë të solidaritetit dhe empatisë shoqërore. As një aksident natyror, një fatkeqësi elementare nuk shpëtoi nga mëria e përgjithshme ndër-popullore e cila ka prekë majat e hasmërisë kombëtare.

‘Kah i kini komandantat’, ishin disa nga komentet nëpër rrjete sociale. ’20 vjet hajni qeshtu ju kthehet’. E pabesueshme. Drenica përmbytej në ujë derisa urrejtja e përqeshja vërshonte nëpër komente që vinin nga skutat e Diasporës e deri te smira vendore nga një shoqëri e armiqësuar.

Sot në mëngjes, uji i madh ishte tërhequr nga qendra e Skënderajt.

(Foto: Pamje nga Skenderaji, sot) 

Bilansi tragjik kishte dalë sheshazi: humbje dhe shkatërrime në vlera milionëshe. Sërish, qytetarë e zyrtarë komunalë përpiqeshin të rikthejnë pak sens të normalitetit pas 24 orëve të neverisë së natyrës. Patjetër, nga sot do të vazhdojnë tutje akuzimet e ndërsjella për shkaqet e fatkeqësisë – nëse paskësh qenë hajnia 20-vjeçare, ndërtimet pa leje, rrënimi i lumenjëve – mirëpo askush nuk do ta përmend të vërtetën që pamë dje.

Sikurse edhe shumë vjet më herët, Skenderajin e lanë vetëm, në fatkeqësi./Periskopi 

Shpërndaje në: