‘S’mundesh me na ndal gojën’ – Sheholli i përgjigjet Konjufcës dhe ia shtron një pyetje rreth planit franko-gjerman

Kosova dhe Serbia tashmë kanë në duart e tyre propozimin më të ri franko- gjerman e që nga disa po quhet si propozim i Bashkimit Evropian që do të mund të sillte një marrëveshje finale ndërmjet palëve. Fatmir Sheholli, drejtor i Institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike pretendon se ka parë versionin më të ri […]
“Kosova do të fitojë një lloji njohje juridiko ndërkombëtare, pasi që do të fiton anëtarësim në Këshillin Evropian dhe me gjasa të fuqishme anëtarësimin në OKB. Serbia do të fitoi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet ndër të tjera nga Sheholli në bazë qasjes që ka pasur në versionin e fundit të dokumentit franko-gjerman.
Mirëpo, kryeparlamentari Glauk Konjufca komentoi këtë gjë në Debat Plus, duke ftuar mediat që të mos i ofrojnë hapësirë e as të mos merret si diçka finale ato që deklarohen nga zotëri Sheholli apo dikush tjetër nga shoqëria civile.
Drejtori i institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike, Fatmir Sheholli për Periskopin ka thënë se si duket Konjufcës e Qeverisë nuk po i shkojnë për shtati këto deklarata.
‘’Zotëri Konjufcën e njoh si cicëruar të Parlamentit, mund t’i themi në emër të Institutit se këto deklarata të vërteta nganjëherë kur nuk i shkojnë për shtati pushtetin, kanë reagime të tilla çfarë ai i ka bërë në emision. Nuk e kanë veç pushteti këtë pronësinë mbi të vërtetën. Edhe shoqëria civile, ne merremi me marrëdhënie ndëretnike tani e 20 vite, kemi kontakte të ndryshme me njerëz eminentë të diplomacisë evropiane e amerikane’’, ka thënë ai.
Tutje ai ka treguar se në çfarë forme i kanë siguruar këto informata rreth planit franko-gjerman.
‘’Veç para katër ditësh, nga një vizitë dy javore është kthyer prej Amerikës e Gjermanisë kryetari i Bordit të Institutit tonë, zotëri Milazim Gashi dhe kemi mbledhur shumë informata që kanë të bëjnë me atë planin franko-gjerman të parin por edhe me këtë të dytin, që tash së fundmi ia dorëzoi Lajçak -Kurtit. E dijmë ku ju ka dhimtë dhe ku ju dhemb këtyre, se zotëri Konjufca, por edhe Zotëri Kurti e gjithëkush derisa e quanin, presidentja fake-news dokumentin e parë franko-gjerman, pastaj Besnik Bislimi e quante dokument që po i shkon për favor Serbisë, zotëri Konjufca në emision ka thënë se ky dokument është shumë i shëndoshë për Kosovën dhe bazë e mirë për bisedime. Nga këto tri versione, qeveria duhet të ketë një qëndrim në këtë aspekt. Fjalën e lirë dhe atë që kuptojmë si institut në zyrat tona në Beograd, Shkup, Podgoricë, veri e gjetu në Kosovë, nuk mund të na ndalë as zotëri Konjufca. Mundet ai me i lutë mediat sa të duash, por kjo mos dhashtë Zoti që Konjufca të ketë më shumë autorizime se paska pasë me na ndalë edhe gojën. Kjo është një lloj diktature, iu lutet mediave por është një lloj kërcënimi. Nga kjo deklaratë , kemi ardhë në përfundim se qenkemi faktor relevant se ua paskemi prishë qetësinë këtyre.’’, shtoi Sheholli.
Në fund, zotëri Sheholli ka shtruar edhe një pyetje për Qeverinë, në mënyrë që t’i bëhet e qartë popullit se çfarë përgjigje i kanë kthyer BE’së për dokumentin.
‘’Cicëruesi i parlamentit duhet neve dhe popullit të Kosovës të na pohojë a ka shku ndonjë letër nga institucionet e Kosovës drejt Lajçakut dhe Borrellit për pyetjet që ata ia kanë parashtruar Kurtit dhe Parlamentit. Cka kanë deklaruar Kurti e të tjeët në ato përgjigje lidhur me vazhdimin e negociatave të dialogut sa i përket dokumentacionit franko-gjerman. Këtë po e kërkojmë sepse ne po vijmë në informacione që nuk do të thotë se mund të jenë 100 për qind të sakta dhe pastaj është e drejtë e jona si shoqëri civile të themi se çka po kuptojmë. ‘’, përfundoi ai.
Ndryshe, as në Kosovë e as në Serbi deri tani nuk ka deklarata publike se çfarë përmban propozimi i ri.
Në Kosovë zëvendës kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi përveç se ka pranuar se Miroslav Lajçak ka dorëzuan në Kosovë planin e ri, ndër të tjera ka thënë se duhet të mbahet ‘sekret’ përmbajta e këtij plani./Kaltërina Misini – PERISKOPI/












