Tenderi 2.5 milionësh i Operës dhe Baletit: Ministria rekomandon sërish kompaninë që favorizoi në procedura

Në fundin e muajit të kaluar, Periskopi raportoi për tenderin e hapur nga Ministria e Kulturës lidhur me projektin e Operës së Kosovës. Ky projekt, që peshon 2.5 milionë euro, daton nga viti 2021, kur Kuvendi themeloi institucionin e Operës së Kosovës dhe punët i mori në dorë Ministria e Kulturës. Kjo e fundit, hapi […]
Ministria e Kulturës, ka hapur një tender më 28 tetor 2022, për projektin ideor, por i cili ende nuk është finalizuar.
Tenderi i cili peshon 2.5 milionë euro, decitivisht quhet:“Zhvillimi i dokumentacionit teknik- projektit ideor dhe të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e ‘Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës’ në Prishtinë, në Republikën e Kosovës”.
Që të lidhet një kontratë për këtë punë, tenderi duhet të vlerësohet në dy faza, vlerësimi i dokumentacionit teknik dhe më pas të bëhet oferta financiare më e favorshme.
Në muajin gusht 2023, Ministria e Kulturës ka bërë vlersimin e dokumentacionit teknik dhe ka bërë renditjen e tri kompanive përzgjedhëse.
Njëra nga to është dukshëm më e shkëputur nga dy tjerat.
Me datën 11 gusht, prokurimi i ministrisë ka bërë Njoftim mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues, në të cilin ka publikuar rezultatet e komisionit të vlerësimit lidhur më ketë procedurë tenderuese.
Në vendin e parë me më së shumti pikë e ka vendosur shifrën me Kodin 6842 e cila ka marrë 71 pikë, në të dytin kodin 0703 i cili ka marr 54.2 pikë, dhe shifra 2008 e radhitur në vendin e tretë ka marrë 51.4 pikë.
Me këtë vendim nuk janë pajtuar, shifrat e vendit të dytë dhe të tretë, konkretisht 0703 dhe 2008, duke konsideruar se Komisioni ka bërë shkelje gjatë vlerësimit.
Ministria i ka marrë në shqyrtim ankesat e tyre dhe ka konstatuar se disa prej pikave ankimore qëndrojnë. Kësisoj, ka vendosur që të anulojë vendimin dhe procesin ta kthejë edhe njëherë në rivlerësim.
Ministria rekomandon sërish shifrën ‘6842’ madje tash, me një pikë më shumë
Përkundër se ankesa ka qenë se tenderi 6842 nuk është në përputhje me procedurat e tenderimit sepse emri i fituesit ka qenë i shënuar qartë në materialin e ekspozitës 1.5 nga faqja e parë e deri te e fundit.
Për më tepër dokumenti është emëruar “Grober Opera –WB-Boards”.
Pra, kjo i bie që dorëzimi i ofertës nuk është bërë në mënyrë anonime dhe se Komisioni vlerësues e ka ditur saktë se cila kompani po vlerësohet me më shumë pikë. Në këtë rast oferta është dashur të eliminohet që në fillim. Por, përkundër kësaj, Komisioni e kishte poentuar me më së shumti pikë.
E njëjta ka ndodhur edhe në një rekomandim / dokument të datës 7 shtator 2023, ku sërish rekomandohet për projektim, kompania ndaj të cilës ka ankesa për ‘fitore’ të kundërligjshme në projekt (që detajisht mund t’i shihni më poshtë) – madje kësaj radhe, kompania vlerësohet me një pikë më shumë: me gjithsej 72 pikë.
Duke u përgjigjur në këtë pikë ankimore, Autoriteti Kontraktuese –Ministria e Kulturës pati pranuar se është bërë shkelje, por ka dhënë një shpjegim skandaloz, duke thënë se edhe dy ofertat tjera kanë zbuluar emrat e kompanisë.
“Sa i përket pretendimit që dy operatorët ekonomikë të cilët kanë paraqitur kërkesa për rishqyrtim, të cilat u referohen elementeve identifikuese të gjetura në dosjen digjitale të operatorit 6842, Autoriteti Kontraktues, pas pranimit të kërkesave për rishqyrtim ka konstatuar se ka disa elemente identifikuese që janë vërejtur të të gjithë operatorët, përkatësisht në tri dosjet. Më saktësisht elaborohen si më poshtë: Të operatori 6842, icili paraqitet në këto pretendime, elementi identifikues është shfaqur si logo me emrin e operatorit në panelet me vizatime 3D (1.5 Exhibition Materials -6 Panels), vetëm në versionin digjital; Të operatori 0703, elementi identifikues shfaqet në raportin 1. 4 Design Approach& Methododology Report, faqe 43, përshkrimi i projektit, pjesa e përshkrimit të sistemit me mikroalga (7.6 Microalgae system), ku i referohet me emër një projekti të tyre paraprak …. Duke parasysh rendësin e madhe të projektit, Autoritetin Kontraktues ka ardhur në konstatim se këto gjetje mund të kualifikohen si devijime jo-substanciale të cilat nuk bijën në kundërshtim me nenin 59, pika 4 të LPP në fuqi” , thuhet mes tjerash në sqarimin e ministrisë për këtë rast.
Ndër të tjerash, kompanitë janë ankuar se as dorëzimi i ofertave nga ana e shifrës 6842 nuk është bërë konform ligjit, pra në zarfe të mbyllura, pasi të gjitha kanë qenë të hapura dhe logoja e saj është mbuluar me një cope letër ku ka qenë edhe kodi.
Neni 80 i Ligjit të Prokurimit Publik -LPP i cili quhet “Përbërja dhe Vendimet e Jurisë” e ka përcaktuar qartë se zbulimi i identitetit të pjesëmarrësve në garë është shkelje ligjore.
Pika e këtij neni shprehimisht thotë: “Juria do të vendosë mbi konkursin vetëm në bazë të kritereve të përshkruara në njoftimin për konkursin e projektimit. Identiteti i pjesëmarrësve nuk do të zbulohet para anëtarëve të jurisë”.
Po ashtu, kjo bije ndesh edhe me Rregulloren 01/ 2022 për Prokurimin Publik, konkretisht me nenin 55.14, 55.16, 55. 17 të kësaj rregulloreje.
Bazuar në ankesën e drejtuar tek prokurimi i ministrie, shihet se edhe oferta e dytë e përzgjedhur nga komisioni më shifrën 0703 është dashur të eliminohet. Kjo për faktin se në ofertimin teknik, kjo kompani nuk e ka respektuar vijën ndërtimore të projektit.
Konkretisht, ka dalë me vizatime jashtë vijës ndërtimore edhe në parcelat private.
Ministria është arsyetuar se komisioni profesional nuk ka pasur dokumentacionin në bazë të dispozicionit në të cilin shihet saktë kufiri i parcelës së dhënë në dispozicion. Megjithëkëtë e ka miratuar edhe këtë pikë ankimore.
LEXO MË SHUMË RRETH KËSAJ TEME: Ministria e Kulturës tentoi të procedojë kundërligjshëm për ndërtimin e Operës dhe Baletit duke e favorizuar një kompani./Periskopi/















