UDHËRRËFYES I RI: A do ta marrë Kosova edhe një dokument të trashë, për ta plotësuar si detyrë për vizat

UDHËRRËFYES I RI: A do ta marrë Kosova edhe një dokument të trashë, për ta plotësuar si detyrë për vizat

Udhërrëfyes? A e mbani mend këtë emërtim (dokumenti)?  Sesilia Malmstrom? Ka qenë viti 2012, kur zonja Malmstrom si komisionere e BE-së në atë kohë, ia kishte dorëzuar Kosovës ‘Udhërrëfyesin’ për liberalizimin e vizave. Në opinionin kosovar, ky dokument ishte festuar, duke e parë si një nga urat përfundimtare që duhej ta kalonim që vizat të na liberalizohen. Por, dokumenti për Kosovën, ishte më i trashi – literalisht më i trashi. Ai përmbante 95 kritere (herë herë përmenden 101) shumë ndryshe nga ato të vendeve të rajonit që përmbanin vetëm 47 sosh.

10 vjet më vonë, mbrëmë, e dëgjuam edhe një  herë fjalën ‘Udhërrëfyes’ dhe togfjalëshin ‘për liberalizim të vizave’.

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, dje deklaroi se duhet një ‘udhërrëfyes’ i ri për Kosovën në mënyrë që të përmbushë më shumë kushte për ‘korrupsionin dhe kontrabandën’.

Varhelyi tha se Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe se duhet ecur përpara me këtë çështje.

Ai tha se janë disa fusha, si lufta kundër krimit të organizuar, anti-trafikimi dhe kërkesat për azil, ku “shtetet anëtare duan rezultate të qarta”.

“Në këto kohëra të vështira dhe në kontekstin e ndryshimeve gjeo-politike, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor”, tha Varhelyi.

“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që, së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, shtoi ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Qeveria e Kosovës thotë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, Varhelyi tha se të dyja vendet duhet të dëshmojnë përkushtim të qartë në kryerje të detyrave.

REAGIMET:

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, e ka quajtur të pakuptimtë deklaratën e komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, që Kosovës t’i prezantohet një udhërrëfyes i ri për liberalizimin e vizave.

“Edhe pse Kosova i plotëson të gjitha kushtet sipas komisionit të BE-së, ky njeri vjen me më shumë kërkesa që nuk i kemi bërë kurrë për të gjitha vendet që kanë marrë lirinë e vizave gjatë viteve të fundit. Unë me të vërtetë nuk e di se si të arrihet drejtësia për Kosovën. Si kongresi i PE ashtu edhe i PPE në Roterdam kohët e fundit kërkuan që më në fund të zbatohej dhe më pas dëgjohet kjo gjë e pakuptimtë e Varhelyit”, ka shkruar ai.

Ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të punëve të jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka kundërshtuar paralajmërimin e Komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, për një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në llogarinë e tij në “Tëtter”, ai ka shkruar se nëse kjo është e vërtetë, atëherë BE-ja është në prag të adoptimit të politikës së hapur raciste.

Katër vjet pasi Kosova përmbushi 100% udhërrëfyesin më të gjatë të liberalizimit të vizave Oliver Varhelyi shpall një ‘udhërrëfyes’ të ri për Kosovën për të përmbushur më shumë kushte për ‘korrupsionin’ dhe ‘kontrabandën’. Nëse kjo është e vërtetë, le të mos jetë gabim: BE-ja tani është në prag të adoptimit të politikës së hapur raciste”, ka shkruar Selimi në Tëitter.

BE-ja nuk e kishte problem të adaptonte liberalizimin e vizave me Meksikën, Hondurasin, apo edhe me Venezuelën e Maduros. Kosova është vendi më pro BE-së në Ballkanin Perëndimor, më pak i korruptuar dhe nuk është lartë e pozicionuar në asnjë listë të azilkërkuesve për vite me radhë“, shkruan Selimi./Periskopi

 

Shpërndaje në: