UEFA deklarohet për Periskopin: E përgënjeshtron hapur FFK-në

UEFA deklarohet për Periskopin: E përgënjeshtron hapur FFK-në

Shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA, i ka kthyer përgjigje Periskopit në lidhje me pyetjen se a kanë reaguar për situatën e fundit të krijuar në Federatën e Futbollit të Kosovës [FFK].

FFK kishte pretenduar [por vetëm në versionin shqip të faqes] se presidenti i UEFA-s, z.Aleksandër Çeferin, kishte reaguar duke i dhënë përkrahje Agim Ademit për të mbetur në pozicionin e kryetarit.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar për Periskopin vetë UEFA, e cila është përgjigjur si vijon:

“UEFA nuk komenton mbi çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet brenda federatave kombëtare.”

Kjo nënkupton se FFK ka manipuluar publikun në lidhje me deklarimet për mbështetjen e Ademit nga ana e presidentit Çeferin, shkruan Periskopi.

Iu kujtojmë se FFK kishte komunikuar në versionin në shqip “shqetësimin e presidentit të UEFA-s për situatën e krijuar” por i cili nuk ndodhej as në faqen e UEFA-s, dhe për më tepër as në vetë versionin anglisht të faqes së FFK-së.

UEFA më tej ka shtuar për Periskopin se për rastin në fjalë mund të vlejë vetëm Neni 9 i statutit të saj, dhe i cili flet për suspendimin e një federate kur autoritetet shtetërore përzihen në punët e brendshme të një federate. Kujtojmë se FFK e kishte ngritur edhe çështjen e një suspendimi eventual nga UEFA dhe FIFA për Kosovën duke alarmuar opinionin tonë futbolldashës.

Një Federatë Anëtare [e UEFA-s] mund të suspendohet në veçanti nëse autoritetet shtetërore përzihen në punët e saj në atë mënyrë domethënëse që:

  1. Nuk mund të konsiderohet më plotësisht përgjegjëse për organizimin e çështjeve që kanë të bëjnë me futbollin në territorin e saj;
  2. Nuk është më në pozicionin për të performuar detyrimet statutare në mënyrë të përshtatshme;
  3. Kur nuk garantohet organizimi i garave; ose
  4. Zgjedhjet e lira të trupit ekzekutiv ose zgjedhjet plotësisht të pavarura ose vendosja e trupave tjerë të saj që nuk sigurohet më.

Në bazë të kësaj, duke marrë parasysh pikën D, del se FFK-ja po rrezikon anëtarësinë e saj në UEFA duke mos lejuar zgjedhje të lira.

Periskopi do t’iu mbajë të informuar në lidhje me çështjen.

Shpërndaje në: