VV drejt kapjes së radhës? Dy njerëz të saj në listën e ngushtë për kryekadastër të shtetit (Dok)

VV drejt kapjes së radhës? Dy njerëz të saj në listën e ngushtë për kryekadastër të shtetit (Dok)

Zyra e drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK), vazhdon të mbetet e zbrazët tash e  1 vit e gjysmë, ndonëse ka një proces e sipër për përzgjedhjen e personit të ri që do ta udhëheqë këtë pozitë gogja me peshë.  Ministria e Punëve të Brendshme  tashmë ka shpallur rezultatet me listën e ngushtë të kandidatëve favorit për kryeshef/e. Periskopi ka parë se pikërisht në atë listë figurojnë dy emra të njerëzve të Vetëvendosjes. Si ka rrjedhur procesi deri tash, a po synohet kapja e këtij institucioni të pavarur dhe çka thonë disa prej atyre që morën pjesë në garë…

Të enjten e kësaj jave,  në uebfaqen e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, e cila futet në dikasterin e ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu, janë publikuar rezultatet nga konkursi për zgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të AKK’së, ku si kandidatë me më së shumti pikë figurojnë Suad Çmega, Nora Kelmendi dhe Edon Maliqi, këta dy të fundit njerëz të partisë në pushtet.

Nora Kelmendi, me profesion ekonomiste,  ish- këshilltare e kryeministrit Albin Kurti gjatë Qeverisë Kurti I, vazhdon të mbetet  anëtare e Vetëvendosjes dhe  asambleiste e kësaj partie në komunën e Prishtinës. Kurse Edon Maliqi, anëtar në Lëvizjen Vetëvendosje, me një qasje kritikuese specifikisht për qeverisjen në Mitrovicë, vend edhe nga vjen.

Periskopi ka mësuar se fillimisht në konkursin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës  ishin përzgjedhur gjashtë kandidatë për intervistim me shkrim, por vetëm katër prej tyre i ishin nënshkruar një procedure të tillë, për ta vazhduar pastaj me intervistim verbal, që ngushtoi listën në tre.

Si ndodhi renditja e Kelmendit dhe Maliqit në listë të ngushtë?

Kandidatja e dytë në listën e ngushtë, Nora Kelmendi, në testimin me shkrim ishte vlerësuar me 37.48 pikë, mësohet se krejt pas një kandidati të eliminuar me emrin Faik Kelmendi. Nga ajo renditje, pas intervistimit ajo figuron me 42.86 pikë.

Ndërkaq zotëri Maliqi doli të ketë pasë më së shumti pikë në test me shkrim, pra 45.8, por që pësoi një rënie tek intervistimi, pra mori veç 29.32 pikë.

E sa i përket kandidatit të parë, Suad Çmegës, e kishte njëfarë balanci të pikëve në të dyja vlerësimet. (Shih dokumentin më poshtë).

Zonja Kelmendi ishte edhe shefe e kabinetit të ish-ministrit Arben Vitia, çka dyshohet se sipas Ligjit do të mund ta komplikonte angazhimin e saj në AAK nëse do të zgjidhej, përderisa kanë kaluar veç 1 vit nga largimi i saj nga ky post politik.

Ambasada britanike nuk rekomandon asnjërin kandidat!

Mbikëqyrësit e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve në pozita të larta drejtuese, pra komisioni i Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë,  kanë publikuar raportin e tyre të pavarur, përmes së cilit nuk rekomandojnë asnjërin nga tre kandidatët e vlerësuar me pikët më të larta për kryekadastër të shtetit.

Rezultatet e këtij raporti janë shpallur të enjten, pas intervistimit të datave 15-16 nëntor të Kelmendit, Çmegës dhe Maliqit.

 

‘’Më të mirë se unë s’ka’’ – Çka thonë kandidatët e listës së ngushtë?

Lidhur me procesin, Periskopi ka kontaktuar Suad Çmegën, Edon Maliqin dhe Nora Kelmendin për t’i pyetur si e kanë parë këtë proces dhe dhe si u gjendën në grupin e njerëzve favorit për pozitën që konsiderohet të qëndrojë larg ndikimit politik.

Zonja Kelmendi, përkundër që Periskopi i ka adresuar pyetje përmes emailit, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Ndërsa zotëri Çmega është deklaruar se e konsideron veten si më profesionist për këtë pozitë. I pyetur nëse ndjehet i rrezikuar  nga dy kundërkandidatët që  i përkasin partisë në pushtet, ai thotë:

‘’ Unë absolustisht nuk ndihem i rrezikuar nga dy kandidatët tjerë sepse mendoj që për këtë pozitë jam më i miri.’’

Tutje ai vlerëson se Nora Kelmendi, si ekonomiste nuk do të duhej të merrte një pozitë të tillë.

‘’Për me u marrë me tema të gjeodezisë, e logjikshme është me qenë gjeodez sepse ashtu i njeh këto probleme. Sa i përket që Nora Kelmendi është ekonomiste, është problem i saj por kjo po i bie si unë me pasë konkurru në ndonjë pozitë të financave. E çka di unë për financa, nuk di asgjë apo pak thjeshtë. Kushdoqoftë të jetë kryeshef, e udhës është të ishte gjeodez. Nëse me të vërtetë do shteti me i zgjidhë problemet e gjeodezisë, duhet me marrë një gjeodez, qoftë unë apo dikush tjetër.’’

Nga aludimet nëse do tërhiqej nga gara për t’ia lëshuar pozitën Kelmendit, për ndonjë interes të caktuar, duke qenë se është pronar i kompanisë Gjeo-projekt, ai thotë:

‘’Unë do t’i shkoj garës deri në fund, por e përsërisë që edhe Nora është e nevojshme sepse ka përvojë nëpër drejtori, edhe me u zgjedh unë kryeshef, më duhet edhe bashkëpunimi i saj i mëtejmë.’’, shtoi Çmega për Periskopin.

I renditur si i treti, ndonëse  i pari në testin me shkrim, anëtari i Vetëvendosjes, Edon Maliqi në një deklaratë për Periskopin mendon se në Kosovë, askush nuk mund t’i bëjë konkurrencë për gjeodezi.

”Ne jemi në Vetëvendosje, të paktën unë për vete. Por para se me qenë në Vetëvendosje, unë jam doktor shkence në këtë fushë edhe e kam një CV të begatë për atë pozicion. Po të mos mendoja që jam më i kualifikuari, unë nuk isha fut në konkurs. Përgjigja ime është që në Kosovë askush nuk mund të më bëjë konkurrecë për qet pozitë. Ama bash askush. Unë kam projekt për me avancu institucionin. Ai institucion është në një gjendje të mjerueshme, për fatin e keq edhe unë i kam kapacitetet, idetë,.. Unë s’kam hi me provu, unë e kam ditë në fakt, kjo për mu është edhe një test për shtetin.’’

Tutje Maliqi dyshon për korrektësinë në intervistimin verbal të kandidatëve, duke aluduar se ishte super i suksesshëm në testin me shkrim, krahas kundër-kandidatëve.

‘’Testi me shkrim është organizu në mënyrë korrekte, transparente dhe ka një sistem kompjuterik që ne ju kemi nënshtru. Vlerësimi me shkrim për mua mbetet 100 për qind korrekt, vlerësimi në intervistë pa dashtë me thënë se kam qenë më i miri, por është vlerësim subjektiv. Atij ia jep 8 pikë, ty t’i jep tre pikë. Edhe kjo është përshtypje personale, por me shkrim, kam arritur 92 përqind ta mbushë testin  e aftësive të përgjithshme. Kisha preferu me bë një hulumtim, a ka arritë deri tash në konkurse publike 45.8 pikë në test me shkrim.’’, përfundon Maliqi për Periskopin.

Përtej këtyre treve, Periskopi ka zgjedhur të marrë përshtypjen edhe të një kandidati tjetër, që Ministria e Punëve të Brendshme e kishte futur në procedurë të mëtejme të rekrutimit. Bëhet fjalë për Blerim Jasharin.

Ai  ka deklaruar që për çështje personale, e kishte njoftuar komisionin që s’do shkonte në asnjërin vlerësim.

”Nuk kam marr pjesë në intervistë hiç. As me shkrim e as me gojë. Kam qenë jashtë shtetit qato ditë, s’kam mujtë me marr pjesë. Për të tjerat, vetni ata më të mençurit, çka po më vetni mu.’’, tha Jashari.”

E sipas kandidatëve, ministria tashmë i ka njoftuar për fazën e ankesave rreth rezultateve, që do jetë  e hapur për tetë ditë.

 Çka duhet të dijmë më shumë për Nora Kelmendin?

Një aktiviste e devotshme e VV-së e cila ka punuar për një kohë të gjatë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Pasi që VV fiton për herë të parë në zgjedhjet komunale në komunën e Prishtinës, Nora emërohet drejtoreshë e Kadastrës në kryeqytet, si dhe të njëjtën pozitë e kishte ushtruar edhe në komunën e Prizrenit, kur udhëhiqte Mytaher Haskuka.

Në Qeverinë Kurti I, Nora Kelmendi ka qenë këshilltare e kryeministrit. Karriera e Kelmendit tutje vijoi në zyrën e ish-ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, si  shefe e kabinetit të ministrit të shëndetësisë Arben Vitia dhe krejt në fund kandidate për asamble komunale të Prishtinës, duke dalë si më e votuara me 1782 vota.

Nora Kelmendi kishte fillur të punojë që nga viti 2011 në kompaninë “Management Development Associates” (MDA), kompani kosovare e konsulencës, si udhëheqëse e Divizionit për zhvillim të bizneseve.

Ndyshe, zonja në fjalë gjatë kohës sa ka punuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit ishte hetuar nga organet e drejtësisë nën dyshimet për korrupsion, por që hetimet ishin mbyllur pasi Prokuroria nuk gjeti ndonjë provë kundër saj.

Po për Edon Maliqin?

Ai përpos që është doktor shkence në fushën e Gjeodezisë,  është anëtar në Lëvizjen Vetëvendosje, mban pozitë si profesor edhe në kolegjin UBT, ndërsa ka punuar në të kaluarën në Shoqatën e Gjeodetëve të Kosovës.

Po ta vizitosh profilin e tij në Facebook, shihet krah shumë figurave apo kolegëve të tij partiak. Ndërsa një fotografi publike e ka edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Kujtojmë që Drejtor i Kadastrit të Kosovës ishte Avni Ahmeti, i cili dha dorëheqje para 1 viti e gjysmë.

Agjencia Kadastrale e Kosovës është autoriteti qendror për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale, për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë, për hartografi dhe GIS, për sistemin e unifikuar të adresave, për infrastrukturën kombëtare të informacioneve hapësinore dhe për administrimin e Infrastrukturës së Teknologjisë së Informacioneve. /Kaltërina Misini – PERISKOPI/

 

 

 

Shpërndaje në: