VV tash s’e çelë gojën për minatorët, e dikur: Fati i Kosovës është i lidhur me fatin e Trepçës

Që nga e marta 700 minatorë të Trepçës po vazhdojnë grevën e urisë, ata po refuzojnë të hanë e të pinë, për shkak të kushteve të rënda të punës. Kërkesat e minatorëve janë realizimi i pagës mujore me kohë (nga data 6-10), shkarkimi i Menaxhmentit, sigurimi shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve të punës. Nga Qeveria […]
Në një reagim 11 vjet më parë, VV kishte deklaruar pas fillimit të grevës duke e thënë se fati i Kosovës është i lidhur me fatin e Trepçës. Derisa shkruante se Trepça kishte ardhur në këtë gjendje si pasojë e vjedhjes së parasë publike dhe institucioneve shtetërore të uzurpuara e të kidnapuara.
Çka thoshte para 11 vitesh partia e Kurtit lidhur me grevën e minatorëve?
“Shteti i uzurpuar dhe zaptuar, institucionet shtetërore të kidnapuara, paraja publike e keqmenaxhuar dhe e vjedhur, agjencitë shtetërore e kompanitë publike të kolonizuara e shkatërruara (për t’u privatizuar), janë të gjitha duke i ndodhur Trepçës”, shkruante dikur partia në pushtet, përcjell Periskopi.
Atë kohë partia në krye me Albin Kurtin akuzonte drejtuesit dhe ish drejtuesit e Trepçës si keqmenaxhues dhe njerëz që publikisht e kanë pranuar se kanë qenë agjentë të ShIK-ut, duke e fajësuar Qeverinë e cila ishte në pushtet atë kohë se po e shet, e copëton Kosovën.
“Fati i Trepçës është i lidhur ngushtë me fatin e Kosovës, sepse Kosova është e lidhur ngushtë me Trepçën. Trepçës po i kanoset copëtimi e shitja, nga e njëjta qeveri që po e copëton e shet Kosovën. Rrjedhimisht brohoritjet e minatorëve kundër privatizimit të Trepçës, dhe për mosnjohje të AKP-së jo vetëm që janë të qëlluara por edhe duhet përkrahur deri në fund. Privatizimi përkatësisht AKP-ja e shkatërrojnë Trepçën, duke e shndërruar atë në një ndërmarrje nxjerrëse/eksploatuese të xeheve të Kosovës, pa kurrfarë rritje të kapaciteteve përpunuese dhe shtuese të vlerës”, thuhet më tutje në reagimin e VV-së dikur.
Deri më tani për gjendjen e minatorëve, nga partitë opozitare ka reaguar kryetari i PDK-së Memli Krasniq, duke thënë se kjo formë e protestës nuk ishte zgjedhje e tyre – por ishte zgjidhja e vetmja për shkak të injorimit të plotë që u ka bërë Qeveria kërkesave të tyre për më shumë se dy vjet.
“…Fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar më shumë se 72 orë në grevë, këta qindra minatorë që po qëndrojnë qindra metra në thellësi të tokës, nuk kanë pasur asnjë vizitë nga Kryeministri, as nga Ministrja e as nga ndonjë tjetër pushtetar. Natyrisht që ikin – sepse premtimet e tyre të mëdha dje për Trepçën dhe minatorët, sot po vërtetohet të kenë qenë vetëm mashtrime”, ka shkruar Krasniqi.
Kujtojmë se greva e nisur para katër ditësh nga minatorët, po vazhdon edhe sot në minierën e Stantërgut. Disa prej tyre u është përkeqësuar gjendja dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore, derisa nga Sindikata e punëtorëve të Trepçës kanë deklaruar se do të vazhdojnë grëvën deri në plotësimin e kërkesave të tyre./ALBINA ZARIQI-PERISKOPI












