‘ZMR’, treshja e frikshme e Kombëtares së Kosovës që pritet ta tmerrojë Malin e Zi

Kombëtarja e Kosovës të premten do të luajë me Malin e Zi në Podgoricë Pas më shumë se dy muaj Kombëtarja e Kosovës do të rikthehet për të luajtur ndeshjet e saj në kuadër të kualifikueseve për Euro 2020, raporton Periskopi. Futbollistët janë grumbulluar në Prishtinë dhe nga 2 qershori kanë filluar përgatitjet për dy […]
Pas më shumë se dy muaj Kombëtarja e Kosovës do të rikthehet për të luajtur ndeshjet e saj në kuadër të kualifikueseve për Euro 2020, raporton Periskopi.
Futbollistët janë grumbulluar në Prishtinë dhe nga 2 qershori kanë filluar përgatitjet për dy sfidat e muajit qershor.
Kosova e nisi me barazim kampanjën kualifikuese të Euro 2020, derisa shpreson që fitoren e parë ta marrë në Podgoricë.

Yjet e Kosovës përfunduan sezonin me skuadrat e tyre përkatëse, derisa tani para se futbollistët të mendojnë se ku t’i kalojnë pushimet para vetes kanë dy sfida mjaft të rëndësishme, ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë, shkruan Periskopi.
Formacioni i Kosovës pritet të ketë ndryshime, sidomos në mesfushë shkaku i mungesave të shumta, por sulmi pritet të jetë i njëjtë me treshen ‘ZMR’, Zeneli-Muriqi-Rashica që kanë shkëlqyer me skuadrat e tyre.
‘ZMR’ këtë sezon kanë shënuar hiq më pak se 36 gola.
Statistikat e treshes fantastike të Kosovës:
Z – Arbër Zeneli gjatë edicionit që shkoi veshi fanellën e dy skuadrave. Deri në janar ishte pjesë e Heerenvenit ku shënoi 4 gola, ndërsa pas kalimit te Reims në sezonin pranveror ka shënuar 3 gola. Me Kombëtaren e Kosovës ka regjistruar 15 paraqitje dhe ka shënuar 6 gola, duke kujtuar hat-trikun ndaj Azerbajxhanit në fitoren 4-0 në Prishtinë.

M – Vedat Muriqi shpërtheu te Rizespori duke shënuar 17 gola. Për të tani po interesohen shumë klube të mëdha evropiane, derisa dëshira e prizrenasit mbetet Galatasaray. 25 vjeçari që ka numrin e këpucëve 48,5, me Kosovën ka realizuar 16 paraqitje dhe ka shënuar 4 gola.

R – Milot Rashica i njohur ndryshe edhe si ‘Raketa’ pati paraqitje të shkëlqyera me Werderin në edicionin pranveror. Ai gjatë sezonit të fundit realizoi 12 gola, derisa me Kosovën deri tani është paraqitur në 20 ndeshje ku ka shënuar vetëm 2 gola.

Trajneri, i Kombëtares, Bernard Challandes është i lumtur me formën që po kalon ‘ZMR’.
“Zeneli-Muriqi-Rashica ? Jam i lumtur me një pjesë të lojtarëve, po bëjnë shumë mirë në gjysmën e dytë të sezonit. Zeneli, Muriqi dhe Rashica kanë qenë të shkëlqyer,” ka thënë Challadnes.
Të tre këta futbollistë pritet të startojnë nga minuta e parë në ndeshjen kundër Malit të Zi. Le të shpresojmë që formën e mirë që kishin në klube ta bartin tani edhe në Kombëtare. /Periskopi/












