ZRrE bllokon komentet në lajmërimin për shtrenjtimin e rrymës për 16 për qind

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka njoftuar edhe zyrtarisht se është marrë vendimi për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike. ZRRE ani pse nuk dha detaje në mbledhje, përmes një komunikate për media tashmë ka konfirmuar se energjia-elektrike është rritur në çmim për 16%, transmeton Periskopi. Veprimi tjetër i ZRrE-së pas vendimit për […]
ZRRE ani pse nuk dha detaje në mbledhje, përmes një komunikate për media tashmë ka konfirmuar se energjia-elektrike është rritur në çmim për 16%, transmeton Periskopi.
Veprimi tjetër i ZRrE-së pas vendimit për shtrenjtim, në njoftimin përmes Facebook-ut ka bllokuar komentet në postimin e tyre, duke ia pamundësuar qytetarëve të shprehin pakënaqësitë e tyre.
Më poshtë mund ta shikoni veprimin e tyre.


Por, qytetarëve si duket nuk u duhet hapësira për komente fare, pasi numër i madh i tyre protestuan sot në Prishtinë par zyrave të ZRrE-së një orë pas vendimit për shtrenjtimin e rrymës.
“Kjo nuk është jetë, është mbijetesë”. “Nuk paguajmë për dështimet tuaja”. “Fatura jonë, pasuria juaj”, ishin këto vetëm disa nga thirrjet që bënin dhe pankartat që protestuesit mbanin në duar para zyrave të ZRrE në kryeqytet.
Në mbledhjen e sotme të ZRRE-së është bërë e ditur se është marrë vendim për ngritjen e çmimit të faturave të energjisë-elektrike, por të njëjtit nuk kanë pranuar të deklarohen se sa do të jetë përqindja e kësaj rritje.

Derisa Bordi i ZRRE’së ka mbajtur mbledhjen e tij, sot ku edhe pritej të merrej vendimi për propozimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 15%, pati tensione mes gazetarëve dhe kryesuesit të Bordit, Ymer Fejzullahu.
Një gazetar kërkoi të bëjë një pyetje, por nuk është lejuar ta bëjë.
“A lejohet një pyetje me bë?”, ka pyetur gazetari, ndërsa Fejzullahu i është përgjigjur: “Mos na detyro me ju qit jashtë.”
Ndërkohë, drejtori menaxhues i ZRRE-së, Petrit Pepaj, në mbledhjen e sotme të ZRRE-së tha se në vlerësimet për vitet 2025 është parashikuar edhe import meqë njësitë gjeneruese janë në planifikim të mirëmbajtjes.
Ai foli edhe për procesin e ankesave për propozimin për rritjen e çmimit të rrymës, për të cilat tha se janë trajtuar “me kujdes” dhe se raporti me komente do të bëhet publik.
“Gjatë gjithë procesit kemi pranuar qindra komente nga qytetarët, komente nga shoqëria civile, nga KOSTT, KEDS, KESCO, Elektrosever, nga zyra e deputetit Armend Muja, Qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Presidenca. Me të përfunduar konsultimi publik. ZRRE ka zhvilluar takime bilatrale me të gjitha palët e interesit. Mandati ligjor i ZRRE-së ka dhënë përgjigje dhe sqarime të detajuara. Raporti së bashku me komente është dorëzuar në bord. Ankesat janë shqyrtuar me kujdes maksimal nga stafi profesional”, tha Pepaj, shkruan lajmi.net
Ai tha se qytetarët kryesisht kanë shprehur kundërshtimet në raport me këtë proces, duke përmendur ndikimet negative në buxhetin familjar.
Ai tha se disa komente janë jashtë mandatit të ZRRE-së.
“Raporti do të bëhet publik”.
Pak më parë para objektit të ZRrE-s ka përfunduar edhe protesta me moton “Asnjë cent më shumë”.
Në protestën e sotme që ishte e shoqëruar edhe nga forcat e Policisë u bë thirrje që të ulet çmimi i rritjes së energjisë elektrike, ndër tjera u paralajmëruan edhe protesta të tjerë.
Po ashtu, organizatorët paralajmëruan edhe ngritjen e një padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës.












